EDITORIALI I KAMPIONATIT/ Çka e bëri “finale” ndeshjen e shtyrë Dinamo-Teuta, por dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 18:01

EDITORIALI I KAMPIONATIT/ Çka e bëri “finale” ndeshjen e shtyrë Dinamo-Teuta, por dhe…

Nga BESNIK DIZDARI
E bëri shtyrja e justifikuar për shkak të shiut dhe ter renit të stadiumit “Niko Dovana”, të drobitur prej kohësh. Dhe e ligjëroj mosluajtja e saj në mes të javës që shkoi. Kështu ka ndodhur edhe me ndeshjet e shtyra Partizani-Teuta, Partizani-SK Tirana dhe Skënderbeu-Dinamo. Tash le të shohim se ku qëndron rëndësia e ndeshjes së shtyrë Dinamo-Teuta.

dinamo-teuta

Qëndron te pasiguria, e pse jo, edhe te mosvërtetësia e renditjes të tri skuadrave të vendeve 4, 5 dhe 6. Që janë Skënderbeu me 40 pikë, SK Tirana me 39 dhe Dinamo me 36 pikë. Luftojnë të tria për vendin e katërt që të çon në finalet e famshme të jashtë kampionatit të rregullt, shpikje shqiptare kjo, më e panevojshmja në botë!

Ndërkaq, le ta shndërrojmë paksa këtë editorial në të renditjes. Kësisoj, po të fitojë Dinamo, atëherë këto të tria janë vetëm 1 pikë ndryshim nga njëra-tjetra. Por që të krijohet kjo situatë vërtetësie e renditjes, do të duhej që ndeshja Dinamo-Teuta të luhej domosdoshmërish para ndeshjeve të javës 29. Çka në këtë situatë pikësh pa ndikime, do të na çonte te “finalja” Dinamo-Skënderbeu e javës 29. Dhe merreni me mend mandej po të fitonte Teuta, çka sigurisht nuk është e pamundur, duke mbërritur pra, durrsakët në 34 pikë, e të nisin e të ëndërrojnë edhe ata…

E pra, a do ta plotësojë renditjen reale FSHF-ja jonë e dashur para javës 29, të 29 dhe 30 marsit?

Dhe ja ku dalim te pyetja ndoshta më me vlerë: a u bë tërheqës kampionati? E mua, që jam kundërshtar i pandryshueshëm i skemës në fjalë, më duhet të pranoj se kampionati vërtet u bë tërheqës. Qenka kjo lufta për katërshen. Një luftë e çuditshme, kapriçoze, e dyshimtë, befasuese, e paarsyeshme, për shumëkënd edhe e arsyeshme…

Papritmas zbresim te java e 15-të, 3 dhjetor 2023. Kryesonte natyrisht Egnatia. Kishte 33 pikë. Vllaznia në vendin e 6-të kishte 17 pikë. Pra, 16 pikë më pak nga Egnatia! ”Po sot kampionat, më thuaj si je”? Përgjigja është kjo: vazhdon të kryesojë si gjithnjë Egnatia. Po a e dini se kush e ndjek? E ndjek Vllaznia, ajo që kishte qenë 16 pikë mbrapa, por tashmë me vetëm 2 pikë larg!

Ec e thuaj se kampionati nuk është tërheqës, qoftë dhe me këtë absurditet Shkodër-Rrogozhinë. Sikur Vllaznia të kishte fituar në Kukës do ta kryesonte ajo kampionatin me 1 pikë mbi Egnatian. Mirëpo, ja që ndërhyri fati “hyjnor” i futbollit duke mos e lejuar skuadrën shkodrane të bëhet “shenjti” i kampionatit. Egnatia vazhdon të kryesojë për bukuri. Sidoqoftë, më duhet të pranoj se të dyja e kanë siguruar vendin në katërshen e titullit. Janë 12 pikë mbi të afërtin që kërkon vendin në katërshe. Në këtë largësi është SK Tirana, e cila kërcënon Skënderbeun, e ndoshta Dinamo që mund të ketë në “arkën e kursimeve” të Durrësit 3 pikë. Sigurisht nëse kjo ”arkë” durrsake nuk ia falimenton këtë “kursim”. Për të cilin “kursim” një lojtar i Dinamos me shumë sinqeritet, para nja tre-katër ditësh, tha se “ne jemi të favorizuar, sepse kemi një ndeshje më tepër për të luajtur”. Kështu ndodhka kur ndeshjet e shtyra qenkan favorizim. Fajtori për këtë artificialitet të garës, ka vetëm një emër: FSHF! Ia shtyu Dinamos një muaj ndeshjen me Skënderbeun dhe mbas një muaji Dinamo, “dinake” si dikur, shkoi e fitoi në Korçë, duke e bërë “lëmsh” vërtetësinë e renditjes.

Dhe pyetja “dëfryese”: mos ndoshta ka tifozë të Dinamos në FSHF si dikur? Se aty këtu në televizione sikur na duket se ka tifozë të Dinamos…

Ndodhemi para 8 javëve të fundit të kampionatit. Mendja më thotë se Egnatias e Vllaznisë nuk iu duhen më shumë se edhe nga nja 9 a 10 pikë prej 24 të mundshme për të mos dalë jashtë katërshes. Kjo është llogaria e një gazetari, e nuk besoj se të tjerëve mund t’i duket i guximshëm ky parashikim, edhe pse mbi krye na qëndron shembulli i Vllaznisë, e cila nga – 17 pikë mbërriti në vetëm – 2 pikë. Mirëpo, ajo ishte, si të thuash, periudha e “qetësisë” së kampionatit. Ndërsa tashmë kemi hyrë në periudhën e “shqetësimit” të Kampionatit, kur çdo ndeshje mund të shndërrohet në dramatike e fatale madje, qoftë edhe për një SK Tirana. E, për çastin, më duket sikur vërtet kemi hyrë në një “fatalitet”, teksa sheh se në katërshe janë tri skuadra, të ashtuquajtura të rretheve, dhe vetëm 1 e kryeqytetit, këto të favorizuara deri në padrejtësinë më zyrtare të të gjithë historisë së kampionatit të Shqipërisë. Ngaqë për të cilin është vendosur që finalet për titullin të luhen në Tiranën e Partizanit, të SK Tiranës e të Dinamos…

Këtu qëndron pra një nga padrejtësitë më historike madje, të skemës së këtij kampionati 2023-2024. Pa shkuar te ajo tjetra: te siguria e fuqishme e Egnatias dhe e Vllaznisë, çka mund të na shkaktojë ndonjë diçka tjetër të pakëndshme “liberalizmi” të rezultateve. Do të na duhet t’i thërrasim forcës së karakterit sportiv.

Tashmë, kampionati i Shqipërisë është ndalur në vend për bukur 14 ditë, ngaqë ka dy ndeshje Kombëtarja e Shqipërisë. Ndonëse asnjë lojtar i kampionatit nuk bën pjesë në Kombëtare. Dhe çudia e çudive: për 14 ditë ndalojnë edhe dy kampionatet të tjerë të kategorive dytësore…

Ndoshta po gaboj, por ja që mua për vete, edhe pse kam shkruar historinë e Kombëtares, po më ndodhka që po dua më shumë Kampionatin se sa Kombëtaren. Kjo ndoshta ngaqë kampionati kombëtar është një gëzim apo kënaqësi e përjavshme, ndërsa Kombëtarja e këtillë është vetëm nja 7 a 8 herë në vit.

Çudi vërtet, teksa kujtoj se çdo ditë dëgjoj zhurmën e publicitetit për këtë Kombëtare të 7 a 8 ditëve në vit, sidomos nga ata që do të transmetojnë në TV ndeshjet, duke na gëzuar ne “varfanjakëve” me njoftimin e përditshëm (“bukën e përditshme falna zot”) se ndeshjet e saj do të transmetohen pa pagesë. Harrojnë se përherë ne ndeshjet e saj në TV i kemi parë pa pagesë!

Tashmë do të ndjekim me kënaqësi dy ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë pra, ajo e cila është një nga 24 finalistet e “Euro 2024”. Çka prap se prapë, për çudi, të paktën mua, nuk ma largon mendjen nga rëndësia e ndeshjes së shtyrë Dinamo-Teuta që u bë “finale” për peshën e vërtetësisë së renditjes së kampionatit kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Argumentet besoj se ndoshta i lexuat në këtë editorial.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"