EDITORIALI I KAMPIONATIT/ Nëse bien SK Tirana dhe Skënderbeu, Kampionati “duhet ndalë”!…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2025 | 20:15

EDITORIALI I KAMPIONATIT/ Nëse bien SK Tirana dhe Skënderbeu, Kampionati “duhet ndalë”!…

Nga BESNIK DIZDARI
… Përse duhet ndalë? Duhet ndalë sepse pa Sportklub Tiranën dhe pa Skënderbeun e Korçës, atëherë 10-shtja e Kampionatit 2025-2026 mund të jetë kjo:

-900-0-Tirana-Skenderbeu

PARTIZANI i Tiranës
DINAMO e Tiranës
VLLAZNIA e Shkodrës
EGNATIA e Rrogozhinës
AF ELBASANI i Elbasanit
BYLIS i Ballshit
TEUTA e Durrësit
KF LAÇI i Laçit
KF VORA e Vorës
FLAMURTARI i Vlorës

Kampionati do të jetë i tillë, nëse guxojmë dhe e marrim para kohe si të vërtetë përfundimtare, situatën e tashmë të dy renditjeve aktuale. Atë të dy kampionateve: atij të rangut të parë që u quaka “Abissnet Superiore” dhe atij të rangut të dytë që rrejshëm u quaka “Kategori e Parë” – në një kohë që vërtetësisht është “Kategori e Dytë”.

Më qartë, nëse mbesim në situatën e sotme të këtyre kampionateve, kjo do të thotë se nga skuadrat e qyteteve të cilat 95 vjet më parë kanë themeluar Kampionatin e Shqipërisë, do të jenë përfaqësueset e vetëm 4 qyteteve: Vllaznia e Shkodrës, AF Elbasani i Elbasanit, Teuta e Durrësit dhe Flamurtari i Vlorës.

Nuk po përfshij këtu Partizanin e Dinamon, sepse për mbi gati 50 vjet këto skuadra të Mbasluftës, edhe pse të lavdishme për historinë tonë, nuk kanë përfaqësuar qytetin e Tiranës, por Ushtrinë Popullore dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Këtu kemi mbërritur. Më saktë këtu keni mbërritur ju që pa u thelluar sa e si duhet, keni denatyruar vlerat e historisë kombëtare jo vetëm të Kampionatit të Shqipërisë, por të vetë futbollit kombëtar qytetar. Kësisoji, ngaqë dihet se Kampionati Kombëtar është përfaqësuesi më parësor dhe më i vërtetë i vlerave të futbollit kombëtar të çdo vendi.

Kjo situatë e mësipërme po rrezikon të bëhet situata më e tmerrshme, më e papranueshme, më e fajshme, më mospërfillëse, më e dënueshme, më jo atdhetare në gjithë historinë e organizimit të Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë!

Është për alarm! Një alarm që sapo e nis e buçet, për fat 15 javë para mbarimit të këtij Kampionati 2024-2025. Çka do të thotë se ka kohë për të mos e lejuar pamjen e mësipërme që shkatërron sa politikën po aq dhe gjeopolitikën e zhvillimit shoqëror të vetë futbollit qytetar kombëtar. Përsëris: qytetar, pra!

Dihet ndërkaq, se për të mënjanuar këtë katastrofë, zgjidhjet janë të pafund. Po rivendos këtu më kryesoren që është kjo:

Veprim i menjëhershëm i shtimit të skuadrave nga 10 në 14. Çka do të thotë që për këtë sezon 2024-2025 të mos ketë rënie nga kategoria, por që 4 skuadrat që zënë 4 vendet e para në Kampionatin e Kategorisë së Dytë (rrejshëm e Parë, siç thoni ju) të ngjiten në Kampionatin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse në të vërtetë keni harruar se vetëm ky është Kampionati Kombëtar. Kampionatet e tjerë nuk janë të tillë. Ata janë rangu i dytë apo i tretë ku luftohet për të mbërritur te Kampionati Kombëtar. Dhe kjo për fat të keq, me “play off”-e e “play-out”-e të panumërt, e krejt pa kulturë organizimi.

Nuk po guxoj ndërkohë, që të kërkoj 16 skuadra – e as kjo nuk do të ishte keq – ngaqë mund të hidheni përpjetë prej kundërshtimit. Ngaqë duket se dëshironi fort për të pasur vetëm 10 skuadra, përveç të tjerave për t’i “kontrolluar” më lehtë, në fund të fundit, për të pasur edhe më pak telashe e punë, sepse dihet, 10 skuadra sundohen më lehtë se 14 apo 16.

Kështu pra, nëse lejoni që të bien Sportklub Tirana dhe Skënderbeu i Korçës, dhe nëse me kryefortësi të një prepotence të dënueshme – çka organizimet e futbollit kombëtar nuk e kanë përjetuar asnjëherë deri më sot – atëherë ju do të keni një Kampionat Kombëtar me skuadrat e vetëm katër qyteteve themelues: Shkodër – Durrës – Elbasan – Vlorë! (Natyrisht kësisoji nëse rikthehet Flamurtari i Vlorës).

E pra, kjo do të thoshte se ai nuk do të ishte Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, por kampionati i vetëm 4 qyteteve.

Ndërkaq, ia vlen të kujtosh se, për fat të keq, edhe kështu i varfër siç është, ai nuk përmendet kurrnjiherë prej gazetarëve e gazetave të sotme si “Kampionati Kombëtar i Shqipërisë”. Pa pikë zori ai përmendet thjesht si “Abissnet Superiore”, duke ia shuar emërtimin e tij historik 95-vjeçar.

Ka kohë që përpiqem të mësoj se kush ka qenë ai personazh i futbollit shqiptar që propozoi që për tash 11 vjet rresht të zhvillojmë një kampionat me vetëm 10 skuadra, i cili nuk solli asnjë rritje apo fuqizim të tij. Nuk e gjej. E po kështu, plasa me e mësue se kush ishte ai “shpikës” shqiptar, i cili propozoi që në mbarim të Kampionatit, skuadrës që del e para mbas katër fazave të 36 javëve të Kampionatit, t’i hiqen pikët, pra të ketë zero pikë – ashtu si dhe tri të tjerave. E të vijë në Tiranë për të luajtur në fushën favorizuese, jo asnjanëse të kundërshtarit 2 ndeshje të vetme për titullin kampion, të cilin kështu, mund “t’ia vjedhin”, duke ia hedhur në erë përmes një bombe të pamëshirshme federaliste fitimin e garës të një viti të tërë. As këtë nuk e gjej. Gjej vetëm atë që prej një servilizmi anë e kënd, buçet në këtë britmë të pashoqe që nuk është as e gjuhës shqipe: “Final four! Final four! Final four!”

Dhe po ashtu nuk e gjej se cili është njeriu që propozoi që vitin tjetër skuadrat shqiptare të mund të kenë lojtarë të huaj pa kufi, çka vetvetiu ndalon ose pakëson në minimum, përfshirjen në Kampionatin e Shqipërisë të talenteve autentike të futbollit të saj.

Kot e kam! Nuk e gjej asnjërin dhe asnjërën. Ndoshta nga që mbahen sekret, kushedi për ç’arsye. Ndoshta ngaqë të gjithë këto vendime i ka marrë Liga Kombëtare e Futbollit, sigurisht nëse ajo ekziston diku, qoftë dhe me shkresa të fshehura në sirtar. E tash, ja cilat janë 10 skuadrat të cilat zënë 8 vendet e para në arritjet e titujve të 86 apo 89 Kampionateve të Shqipërisë. Janë:

SK TIRANA e Tiranës
DINAMO e Tiranës
PARTIZANI i Tiranës
VLLAZNIA e Shkodrës
SKËNDERBEU i Korçës
TEUTA e Durrësit
AF ELBASANI i Elbasanit
FLAMURTARI i Vlorës

Mirëpo, po të bien SK Tirana e Skënderbeu, atëherë në Kampionatin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë 2025-2026 prej tyre do të kemi vetëm këto:

DINAMO e Tiranës
PARTIZANI i Tiranës
VLLAZNIA e Shkodrës
TEUTA e Durrësit
AF ELBASANI i Elbasanit
FLAMURTARI i Vlorës

Që ndryshe do të thotë se do të kemi të përfaqësuar në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë skuadra të vetëm këtyre 4 qyteteve tradicionalë, të cilët kanë sunduar, zhvilluar e ruajtur vlerat e vërteta të tij. Kishin për të qenë pra, vetëm skuadrat e 4 qyteteve: Shkodrës, Durrësit, Elbasanit e Vlorës. Kësisoji, sigurisht pa përfshirë Partizan/Dinamon që për vite të tëra, siç u tha më lart, nuk kanë qenë skuadra të kryeqytetit Tiranë.

Dhe shoh që në këtë skemë fort të dëmshme do të na ndalohej të përfshinim Besën e Kavajës – 11 vjet radhazi jashtë Kampionatit Kombëtar; Tomorin e Beratit, i cili në 23 vitet e fundit vetëm 2 herë ka qenë në Kampionatin Kombëtar; KS Lushnjën e Lushnjës e cila në 18 vjetët e fundit vetëm 3 herë ka qenë në Kampionatin Kombëtar; Luftëtarin e Gjirokastrës, i cili në 23 vitet e fundit vetëm 6 herë ka qenë në Kampionatin Kombëtar, e madje mungon radhazi tash 6 vjet; Apoloninë e Fierit e cila tash 10 vjet nuk merr pjesë në Kampionatin Kombëtar.

Kjo është varfëria historike e pjesëmarrjes së skuadrave të qyteteve më futbollistikë të Shqipërisë në Kampionatin e saj Kombëtar.

Dhe heshtni! Më qartë, as nuk doni t’ia dini! Çfarë guximi! Duket edhe ngaqë presidenca e Republikës së Shqipërisë, qeveria e Shqipërisë, ministria përkatëse e Shqipërisë, lëvizja përkatëse olimpike e Shqipërisë, as ata nuk duan t’ia dinë për këtë thuajse shkatërrim të pjesëmarrjes në Kampionatin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë të qyteteve themelues, më fitues, më kontribues në futbollin kombëtar. Janë këta shtetarë, qeveritarë apo funksionarë që nuk shihen e as nuk denjojnë të vijnë ndonjëherë në ndeshjet e Kampionatit. Ose vijnë vetëm kur luan Kombëtarja për t’u krenuar me arritjet e saj, përveç të tjerave, një Kombëtare pa asnjë lojtar të Kampionatit të Shqipërisë. Kuptohet, për ta shfrytëzuar gjithë këtë qëndrim për politikën e tyre të ngushtë, pavarësisht se ia kanë sëmurë fort shëndetin Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Deri aty sa që stadiumet mbeten thuajse bosh. Vështroni vetëm këtë javë që shkoi:

Në Elbasan te Dinamo-AF Elbasani ishin vetëm 1000 spektatorë! Në Durrës te TeutaPartizani vetëm 400 spektatorë! Në Korçë te Skënderbeu-Vllaznia vetëm 300! Në Tiranë te SK Tirana-Egnatia vetëm 1000! Në Laç te KF Laçi-SK Tirana vetëm nja 500 spektatorë! Kjo do të thotë se në të pesë ndeshjet e një jave të plotë të Kampionatit, ishin gjithsej vetëm 3200 shikues! Rekord i mospranisë së spektatorëve në ndeshjet e një jave të Kampionatit Kombëtar të një shteti në Europë. Dhe kujtesa e ironisë së fatit që më çon te ndeshjet e dikurshme stërvitore me dy porta, të ditës së enjte të çdo skuadre, që mbushnin gjysmën e stadiumeve!…

Ju kanë braktisur keqas. E ju nuk mërziteni aspak. Me sa duket po gëzoheni fort se janë vënë në shitje biletat e ndeshjes së Kombëtares sonë me Anglinë në Londër, lajm i dorës së fundit, të cilin gazetarët televizivë të nënshtruar ndaj jush, e dhanë për dy ditë rresht.

Për fat iu kanë braktisur si asnjëherë në histori edhe futbolldashësit intelektualë, dikur qytetarë të përhershëm të futbollit. Ata të cilët një kohë ishin ndër të parët, bie fjala, në të gjitha tribunat e “Qemal Stafës”, sot të zhdukur. Dhe sa ndikonin me mendimet e tyre civilizuese në botëkuptimin qytetar të vlerave po civilizuese të sportit të futbollit. Ndërsa tash kur i takojmë në rrugë apo në bare, vetëm na pyesin se “si dolën ndeshjet sot?”! Shpejt ndoshta rrezikojmë se ata nuk do të interesohen kësisoji as për ndeshjet e Sportklub Tiranës e të Skënderbeut të Korçës. Do të mbeten vetëm te skuadrat e tre a katër qyteteve tradicionalë apo të Egnatias së merituar të Rrogozhinës; e pse jo, ndoshta edhe te skuadra e Vorës më pak se e vogël.

Kjo qenka koha e re e Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, më saktë e Kampionatit Kombëtar të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët për fat shoqëria shqiptare e ka braktisur.

Ndoshta morali i fabulës është ky që thotë: “na lodhe duke kritikuar”.

Mirëpo, ja që kritika është më bashkudhëtarja e gazetarisë së vërtetë, pra e gazetarëve profesionistë të vërtetë. Sidomos kritika historike si në rastin e këtij editoriali. Që dihet, shpesh është ajo që ngjall idetë, si të thuash, për një lloj revolucioni, sado të thjeshtë, por efikas. Ndërkaq, hapa bllokun e shënimeve të mia arkivues dhe lexova këtë thënie të të famshmit filozof, politolog e gazetar i madh edhe pse deri sekretar i Partisë Komuniste Italiane, Antonio Gramsci (Gramshi), por kurrë i një dogmatizmi apo fanatizmi, i fisit me prejardhje nga Shqipëria, i cili ka bërë këtë përcaktim: “Çdo revolucion paraprihet prej një veprimtarie intensive kritike përmes depërtimit kulturor dhe të ideve”.

E po më duket se Kampionati Kombëtar i Futbollit të Shqipërisë – me vlera të mëdha për shoqërinë – ka mbërritur në kufirin e nevojës urgjente për një revolucion. Madje pa vonuar asnjë ditë. Jo revolucion proletar, natyrisht.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"