EDITORIALI I KAMPIONATIT NGA BESNIK DIZDARI/ Përpiqem të shkruaj për Kampionatin e Shqipërisë, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2024 | 20:21

EDITORIALI I KAMPIONATIT NGA BESNIK DIZDARI/ Përpiqem të shkruaj për Kampionatin e Shqipërisë, por…

NGA BESNIK DIZDARI
…Por, e kam më të vështirë se asnjëherë tjetër në plot 56 vjet që shkruaj për të. Madje, tash, në këtë vit 2024, po e kam të një vështirësie disi ndryshe, më saktë: tejet “origjinale”.

superiore

E kam të vështirë, sepse tribunat nuk kanë qenë asnjëherë kësisoji më të boshatisura prej spektatorëve. Aq sa më bëjnë të mendoj se ky nuk është Kampionati i vërtetë i Shqipërisë. Pa harruar numrin e paktë të skuadrave, vetëm 10, pra me 30 përqind nga i njëjti qytet (Tirana). Kur ndoshta mund të vijë edhe Vora – një qytezë dikur fshat, vetëm nja 12 kilometra larg Tiranës – e do të mund të bëheshin 40 përqind! Sa shumë që më varfërohet mendimi, vërtet!…

Ndërkaq, Sportklub Tirana – 28 herë Kampionia e Shqipërisë – më mërzit edhe më fort, kur nuk arrij të parashikoj se në cilin qytet verior apo jugor të Shqipërisë, do ta zhvillojë ndeshjen e saj të radhës. Dhe papritmas më mërziti fakti që në ndeshjen e ashtuquajtur më të rëndësishme, që qe kjo Vllaznia-Partizani në “Loro Boriçi” të Shkodrës, nuk denjuan të vijnë më shumë se nja një e gjashta e kapacitetit të tij prej 16.000 vendesh.

Tronditem tejet kur kujtoj se të gjithë këto pikë që skuadrat fitojnë çdo javë, mbas nja 8 muajve do t’iu zhduken jo vetëm nga faqja e dheut, por më saktë nga historia. E kam vërtet të vështirë të shkruaj për Kampionatin, kur mendoj se si gazetar më është hequr e drejta të përdor fjalën “Kampion”. Pra, përcaktimin “luftë apo garë për titullin kampion”. Kështu nga që për bukur një vit skuadrat nuk luftojnë për titullin kampion, por luftojnë për “final four”, ndryshe luftojnë për të zënë një vend në katërshen e parë, që të çon në turpin “e luftës” për titull me vetëm nja 4 ndeshje në Tiranë. Zhvillimi i rrufeshëm i të cilave shënon shuarjen e meritave të mëdha e fort të pasura, të plot një viti garë të përjavshme.

E vërteta është se dua të shkruaj për Kampionatin, por…

…Por turma e të nënshtruarve ndaj kësaj skeme shkatërruese, më mpak. Dhe të nënshtruarit, për fat, janë shumë. Janë ata që quhen “presidentë” (në shqip “kryetarë”) të klubeve, punonjës të FSHF-së, anëtarë të të ashtuquajturit Komitet Ekzekutiv i FSHF, trajnerë, vëzhgues a delegatë, një pjesë e mirë e të cilëve të përulur hyjnë e dalin zyrave federaliste pa bëza. Të duket se janë përfaqësues të “klubit të heshtjes” ndaj gjithë atyre shkaqeve të mësipërm, sidomos ndaj vendimit absurd të të famshmit “final four”. Ndërkohë që nuk e di ku qëndron forca e asaj që quhet Asambleja Kombëtare e futbollit, se përsa i përket Ligës Kombëtare të futbollit, kjo po më zhduket edhe nga kujtesa…

Mandej, ajo që të dhemb edhe më fort, teksa vëren se të nënshtruarit janë jo pak edhe gazetarë-analistë. Ndonëse këta nuk punojnë në FSHF, nuk paguhen prej saj, e të cilët harrojnë se detyra e profesionit të tyre është të pasqyrojnë vërtetësi, problematikë kritike, trajtesa komentuese të një realiteti dhe jo shkrime e komente ledhatuese. Shumë prej tyre nuk e bëjnë. Dhe papritmas kanë bërë më të përdorshmen e komenteve të tyre “final four”-in, pra, edhe ata. Ndryshe, mbrojtjen e paargumentueshme të këtij “final four”, teksa e ngrejnë në qiell këtë skemë shkatërruese, të anshme, më të panatyrshmen e një kampionati të futbollit kudo në botë. Çka përveç të tjerave, ka bërë zot të përcaktimit të titullit kampion vetëm një stadium: stadiumin e quajtur “Air Albania”. Ku për mahnitje po shohim që ndonëse ky është stadium i kryeqytetit, po “ndalon” të luajë në te edhe skuadrën legjendare të tij që është Sportklub Tirana.

Kështu pra, e kam vërtet të vështirë të shkruaj për Kampionatin edhe sepse nuk më ndikon e nuk më frymëzon aspak një reklamë apo publicitet i RTSH, e cila njofton ende çdo ditë se “ndeshjet e Kampionatit do t’i transmetojë Televizioni Shqiptar”, ndonëse ai ka 10 javë që i transmeton. Madje ky televizion nuk transmetoka vetëm ndeshjet e Kampionatit, por do të transmetojë edhe ndeshjet e “final four”, duke e reklamuar këtë deri me një “pllakat” të veçantë publiciteti, a thua se është fjala për një kampionat tjetër. Me sa duket mendon se ky “final four” është vërtet një kampionat tjetër, pa e ça kryet aspak se ai është thjesht pjesa e fundit e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë.

Deri këtu ka mbërritur edhe për gazetarinë dashuria për “final four”-in absurd dhe rrënues të vlerave të Kampionatit.

E kam shumë të vështirë që të shkruaj për Kampionatin! Ndonëse, në fund të fundit, pse nuk shkruaj unë për Kampionatin, kjo nuk ka asnjë rëndësi dhe nuk i prish punë askujt. Rëndësi ka që Kampionati zhvillohet dhe çdo javë – të premteve, të shtunave, të dielave e deri të hënave – buçasin rubrikat televizive së bashku thuajse me thirrjen “final four”. E mandej me “moviolën” që ka rimarrë një hov të papamë, me përcaktime të paprekshme, ndonëse me VAR-in gjatë ndeshjeve, ta do mendja se moviola e studiove televizive nuk ka më fort vlerë. E pra, si i bëhet që ta kaloj vështirësinë që mbas 56 vjetëve po më pengoka të shkruaj për Kampionatin?…

Duhet ta kem gabim, megjithatë. E përse të mos shkruaj, bie fjala, për lojtarët e huaj, krejt mesatarë, që kanë vërshuar pa ndalë, e që vitin tjetër, simbas një rregulli kundërkombëtar do të shtohen edhe më shumë? Edhe pse kjo është në dëm të talenteve të reja të farishteve të klubeve shqiptare. Merret me mend që unë dhe të gjithë gazetarët nuk do të kenë më mundësi se ku t’i gjejnë për t’i përshkruar e nxitur talentet e futbollit autokton shqiptar. Shihni Kombëtaren, e cila nuk ka më asnjë “shqiptar” për be. Shqiptarë të futbollit të tokës shqiptare, të dalë pra, prej Kampionatit të Shqipërisë, e besoj se kuptohemi apo jo?

Kështu është vendosur. Është vendosur se nuk do të mund të lindin më talente të bie fjala, të kalibrit të Riza Lushtës e Naim Kryeziut, të Loro Boriçit qysh në vitet ’30, që arritën deri në protagonistë të Kampionatit të Italisë – Kampione e Botës në fuqi. E mbas tyre talentet e tjerë të pafund. Deri protagonistë të pashlyeshëm ndaj ngjarjeve të rangut të Europës: Shqipëria Kampione e Ballkanit, Partizani i Kolnit e Torinos, 17 Nëntori i Ajaksit, Vllaznia e Austrisë së Vjenës, Flamurtari i Partizanit të Beogradit e Barcelonës, Kombëtarja Shqiptare e Irlandës së Veriut, e Gjermanisë Perëndimore apo e Belgjikës 1984 thuajse pranë kualifikimit për në Botëror – çka besoj se mbas pak javëve do t’ia përimtojnë me një vështrim të ri 40-vjetorin kësaj arritjeje të bujshme.

Dhe të gjitha këto e të tjera me vetëm talente të futbollit të tokës shqiptare dhe të Kampionatit të Shqipërisë.

Janë shumë, shumë. I ka krijuar e formuar futbolli i tokës shqiptare, i farishteve të talenteve të klubeve të qyteteve shqiptare e të Kampionatit të Shqipërisë. Për çka tash nuk besokan se do të lindin të tjerë si këta. Ose paskan provuar “shkencërisht” se nuk do të lindin më të tjerë si këta. Me sa duket do të ketë vetëm lojtarë të huaj, ose lojtarë të huaj pa kufi, edhe pse shumica e tyre krejt të nivelit mesatar. Shqipëria nuk do të nxirrka më talente të futbollit.

Kështu paskan parashikuar e vendosur zyrat “moderne” të FSHF-së, me të pranishëm vetëm nja pak zyrtarë të saj, mbase të mbledhur krye më krye rreth një tryeze edhe kjo tejet e paktë dhe e vogël në sipërfaqe për të mbartur mendimin hapësinor atdhetar kombëtar të zhvillimit të futbollit. Bie fjala, iu duken pak plot 55 të tillë të huaj, të cilët luajtën kësaj Jave Nr. 10 të Kampionatit 2024-2025.

E kështu, mua – dhe jo vetëm mua – do të më vështirësohet gjithnjë e më shumë të shkruarit për Kampionatin e Shqipërisë sime.

E sigurisht që nuk harroj dramën më të madhe të Kampionatit. Kisha 9 vjet që nuk mund të shkruaja asnjë rresht për skuadrën “dikur” kampione të Shqipërisë me emrin e qytetit të Elbasanit. Kam 5 vjet që nuk mund të shkruaj për Flamurtarin e famshëm të Vlorës. Kam 11 vjet që nuk e kam personazhe të shkrimeve Besën e dashtun 100 vjeçare të Kavajës. Kam po bukur 12 vjet që nuk më lëvizin germat e tastierës së kompjuterit për të radhitur qoftë dhe një paragraf të vetëm rreshtash për Tomorin – simbol të Beratit. Kam nja 6 vjet të mira që nuk e di ku ndodhet Luftëtari i Gjirokastrës, dikur edhe Nënkampion i Shqipërisë.

Kaq për të mos e zgjatur më tej me këtë mungesë të pamshirshëm të skuadrave të qyteteve tradicionale të fubollit shqiptar për të dëshmuar se sa poshtë ka rënë Kampionati i Republikës së Shqipërisë me vetëm 10 skuadra që i përkasin vetëm 8 qyteteve! Megjithatë, ka diçka që ndoshta më lehtëson e më bën të kapërcej disi pengesën për të shkruar për Kampionatin. Është thjesht tabela e renditjes, që si në çdo kampionat të çdo shteti të botës, mbetet gjithnjë “bixarre”, teksa ndryshon, “vallëzon” përmes kapriçiove të “muzikës” që shkakton lëvizje befasuese të çdo jave. E duket se papritmas më pushton mundësia për të shkruar për Kampionatin.

…Partizani në krye me 17 pikë, e Vllaznia që për 60 sekonda me golin e pësuar në të 93’ zbret nga vendi i parë në të pestin. Dhe plot 13 ndeshje të këtij Kampionati që janë përcaktuar me gola të mbas minutës së 90-të. Janë 6 skuadra me vetëm 3 pikë ndryshim. Ndërkaq, SK Tirana me vetëm 1 fitore në 10 ndeshje – ndoshta hera e parë në histori. Vetëm kaq? Me sa duket po!

Ndonëse papritmas guxoi të kaloj në një vështrim psikologjik, edhe pse kjo nuk është fushë e imja. Po përpiqem të marr mbështetje te profesori im i psikologjisë, i paharrueshmi Bedri Dedja. Për fat, nxënës i babës tim, Gani, në Shkollën e famshme të Parrucës në Shkodër, të cilit i ka kushtuar një penelatë të pashlyeshme në librin e kujtimeve të tij. Profesor Dedja, sa me mjeshtri e dituri dinte t’i shtrinte leksionet e tij në atë që mund ta quaj një lloj psikologjie shoqërore, të shoqërisë pra, nëse mund të përcaktoj kështu, teksa nuk ndalonte që me shembuj të shumtë praktikë t’i hynte thellë shpirtit e botës së brendshme të njeriut. Qoftë edhe me shkrime për futbollin. E pata ftuar të shkruante në “Sportin Popullor” që drejtoja dhe me çfarë gatishmërie, modestie e mirësie që do të pranonte!…

Kështu pra, duke nxitur “studimin” tim psikologjik, fragmentar, të rrufeshëm e krejt modest, vështroj fytyrat apo shikimet e lojtarëve edhe kur humbasin me golin e minutës 93, por dhe të trajnerëve. Për çudi nuk ngrysen fort. Me sa duket, ngaqë e dinë se ky Kampionat ka vetëm një garë që vonon të vijë: garën për të zënë thjesht vendin e katërt. Ajo për titullin kampion që është diçka e largët, që nuk duket as në horizont. Mendojnë se ka kohë për të fituar ndeshje e pikë sa për të zënë vendin e katërt.

Kjo është ajo që na mbërrin falë skemës “final four” që ka shkaktuar rënien e rëndësisë së fitoreve dhe të humbjeve. Ky është Kampionati i idesë: “ka kohë”. Në fund të fundit “për vendin e katërt luftoj”. Edhe kur humbasin, lojtarët largohen nga fusha jo me kryelë e shqetësim si paraardhësit e tyre të dikurshëm, por me psikologjinë e një qetësie olimpike që humbjeve në futboll nuk i shkon për shtat kurrsesi.

E prapë më pushton psikologjia, këtu aspak “shoqërore”, e vështirësisë për të shkruar për Kampionatin e Shqipërisë. Qoftë edhe nga që dëgjoj mijërat e shqiptarëve tek vrapojnë se mos bëhen vonë për te ekrani i televizorit ngaqë fillon Barcelona–Real dhe Juventus-Inter. Dhe mandej ndoshta stepen duke dëgjuar analistët shqiptarë në studio, të cilët nga toka e vendit të shqiponjave, gati gati sa nuk iu tregojnë këtyre skuadrave legjendare të futbollit botëror, por jo shqiptare po të shteteve të tjera, se ku i kanë gabimet, se si duhet të luajnë e se cilin repart duhet të rregullojnë.

Po Kampionati i Shqipërisë me “final four”- in e tij ku ndodhet vallë?…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"