EDITORIALI I KAMPIONATIT / Skema që na cenoi lirinë e shtypit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 17:53

EDITORIALI I KAMPIONATIT / Skema që na cenoi lirinë e shtypit

Nga BESNIK DIZDARI
Më 3 maj ka qenë “Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit” ku Shqipërinë në tanësi e turpëroi me renditjen fort të ultë që i dha.

Besnik-Dizdari

Të nesërmen e kësaj dite, në Shqipëri u zhvillua java e 34-t e kampionatit kombëtar të futbollit. Pas këtyre pesë ndeshjeve renditja e tri skuadrave të para ishte kjo:

Kryeson Egnatia e Rrogozhinës me 60 pikë, e ndjekur nga Vllaznia e Shkodrës me 58 pikë dhe Partizani me 57 pikë. Skuadra e vendit të katërt, Dinamo, ka 47, ose plot 13 pikë larg vendit të parë. Çka do të thotë se 180 minuta para mbarimit të kampionatit, kjo Dinamo nuk ka asnjë mundësi për të fituar titullin e kampionit. Po ashtu si dhe Skënderbeu e SK Tirana që janë në kuotë të njëjtë pikësh me të.

Kësisoj, në luftë për titullin janë vetëm tri skuadrat e para. Dhe janë larg njëra tjetrës vetëm 2 e 3 pikë. Ndryshim tejet i vogël që e bën garën për titull mjaft emocionuese dhe dramatike. Dhe është hera e parë në histori që skuadra e një qyteze me vetëm nja 11.000 banorë, mëton të fitojë titullin e kampionit të Shqipërisë. Është Egnatia e Rrogozhinës, e cila ka kryesuar plot 30 javë rresht të kampionatit. Ky është kryesimi rekord në gjithë historinë e të gjithë Kampionateve të Shqipërisë.

Nuk ka asnjë lojtar të “tokës” së saj, por të gjithë i ka bërë të vetët falë ekonomisë së tregut, duke i marrë prej qyteteve, krahinave, madje edhe prej shteteve të huaja. Them se më e merituar për titullin kampion se kjo skuadër me emrin antik “Egnatia”, për këtë 2023-2024, nuk është asnjë tjetër.

Nuk është vendi këtu ta përshkruajmë stilin e futbollit të saj të drejtuar nga trajneri Edlir Tetova. Por do të theksojmë vetëm një cilësi: ajo është skuadra me forcën harmonisë më të barabartë se të gjithë skuadrat e tjera në të gjithë vijat taktike të saj Në portë, në mbrojtje, në mesfushë e në sulm.

Megjithatë, janë vetëm 2 e 3 pikë ndryshim nga dy skuadrat ndër më të shquarat e historisë së Shqipërisë, që janë Vllaznia dhe Partizani. Çka do të thotë se titulli për shkak të ngushtësisë së madhe të pikëve, është ende në pikëpyetje të plotë. Titull që do ta përcaktojnë vetëm këto ndeshje të ardhshme të këtyre ditëve të fundit: KF Kukësi-Partizani, SK Tirana-Vllaznia, Dinamo-Egnatia dhe ato Egnatia-SK Tirana, Vllaznia-Skënderbeu e Partizani-Erzeni.

Çka do të ndodhë? Pra, cila skuadër e treshes në fjalë do të shpallet kampione e Shqipërisë për vitin 2014? Egnatia, Vllaznia apo Partizani?

Mirëpo ja “colpo di scena” e cenimit të lirisë së shtypit që na kërcënon duke na kujtuar se i gjithë ky komenti mësipërm i imi është i rrejshëm. Pra, nuk është i vërtetë. Është imagjinativ. Do të ishte i vërtetë vetëm nëse kampionati do të zhvillohej si gjithmonë, sipas skemës botërore. Skemë që na kujton se titullin e kampionit e fiton skuadra e cila në fund të tij, të mbarimit të ndeshjeve të rregullta me shkuarje e ardhje të të dy fazave, ka numrin më të madh të pikëve të fituara. Nuk qenka kështu. Komenti i mësipërm i imi është pra, i rrejshëm.

Kësisoj, ngaqë kampionati sulmohet pa mëshirë nga skema e FSHF-së, ku 4 skuadrat e para me nga një ndeshje eliminimi midis tyre, do të triumfojnë. Ose do të bien prej arrogancës së këtyre ndeshjeve të vetmuara të fushës së stadiumit të njëanshëm me emrin tregtar, “Air Albania”! Ndeshje rrufe në qiell të pastër këto, që mund të na sendërtojnë edhe këtë mrekulli: që, për shembull, Dinamo, e katërta, e cila ka 13 pikë më pak nga Egnatia kryesuese, të shpallet kampione! Më ndryshe kjo është skema që na ndaloi të përmendnim synimin e ligjshëm për titullin vetëm të tri skuadrave të cilat 180 minuta para mbarimit zënë tri vendet e para të paarritshme prej askujt tjetër: Egnatia, Vllaznia, Partizani.

E megjithatë, censura pikërisht në “Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit”, për çudi, na e dha një “liri” komentuese: të merremi me garën “mrekulluese” se cila skuadër do të zërë vendin e katërt, pavarësisht që mund të jetë nja 13 a 15 pikë larg vendit të parë. Kjo do të thotë se 180 minuta para përfundimit të kampionatit, ky ka vetëm një garë “të rëndësisë përcaktuese”: se cila është skuadra që do të zërë vendin e katërt. E lumja ajo! Por…

Të mjerët ne, gazetarët, që dashkemi lirinë e shtypit! Ndonëse më saktë, të mjerët ata që shpikën këtë skemë, duke hyrë pa asnjë meritë në historinë e futbollit botëror falë këtij “origjinaliteti shqiptar”. Çka, përveç të tjerave, na cenoi lirinë e shtypit pikërisht në “Ditën Ndërkombëtare” të tij.

Ndërkaq, ne të vjetrit që kemi qenë gazetarë edhe në kohën e regjimit, ku dihej se përjetonim jo lirinë, por antilirinë e shtypit, megjithatë gazetarëve sportivë, kjo liri cenohej shumë pak. Kjo për vetë natyrën tejet “teknike” që kanë sportet. E cila ishte e njëjtë në çdo cep të botës. Gol, korne, penallti, pozicion i parregullt, sulm, mbrojtje, gjuajtje e bukur, e gabuar, shpirt gare, emra, minuta, histori, formacione, krahasime me të tashmen e me të kaluarën, e plot të tjera, përdorimin e të cilave e kishim krejtësisht të lejuar.

Kështu vetvetiu ndiheshim jo pak të lirë. Madje edhe kur “kuadrot” e zellshëm, bie fjala, disa ushtarakë fanatikë të Partizanit apo sigurimsa të Dinamos, kërkonin të “gjenin halën në përpeq”, siç thuhet. Sidomos në elementin biografik. Ngaqë ke përmendë Skënder Halilin, i ke thur lavde Zihni Gjinalit dhe ke kujtuar Selman Stërmasin; apo që po shkruan si shumë për djemtë e Raq Manushit; që ke mbrojt Xhavit Demnerin kur e la skuadrën e famshme të të rinjve të Tiranës; e që ke kujtuar për të mirë Paulin Ndojën, të cilit “partia ia ka ndaluar futbollin”. Për fat, të gjitha këto të shoqëruara edhe me letra anonime, e me kërcënime deri rrugëve të Tiranës, që aty këtu, për çudi nuk munguakan as sot. Ndonëse sot është diçka tjetër: duhen vetëm pesë rreshta për të paditur për në gjyq kërcënuesin, siç na thotë një njeri i sprovuar i drejtësisë.

Por le t’i lëmë këto tema për ndonjë libër gazetarie në liri, e tash për tash le të shqetësohemi prej kësaj skeme të kampionatit të Shqipërisë, që papritmas na e cenoi deri edhe lirinë e shtypit.

“Zoti e baftë mirë, megjithatë!”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"