Egbo i qetë, Bylisi merr lajme të mira nga infermieria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2024 | 22:10

Egbo i qetë, Bylisi merr lajme të mira nga infermieria

Vëmendja e Bylisit tashmë është te sfida e radhës, ajo me Tiranën e vlefshme për javën e katërt të Superiores. Mallakastriotët i presin sfida delikate dhe me kundërshtarë me pretendime madhore këtë sezon në Superiore, ndërsa pritet që ndaj bardhebluve grupi të jetë i plotë sepse edhe lojtarët që u dëmtuan në Laç, Peralta e Ualison, janë duke u rikuperuar dhe nuk kanë probleme shqetësuese.

egbo

Trajneri Emanuel Egbo dhe stafi kanë zhvilluar stërvitje me një program ndryshe, madje dje janë parë që të punojnë në aspektin fizik dhe atë tekniko-taktik.

Në seancë është përfshirë tërë grupi i lojtarëve. Bylisi është stërvitur edhe në palestër, ndërsa nuk kanë munguar ushtrimet me topin, por edhe ndeshjet brenda grupit. Mallakastriotët vazhdojnë që të qëndrojnë në grumbullim, ndërsa ky sistem do të vazhdojë që të ndiqet edhe për disa javë, pasi Superiorja kërkon tjetër seriozitet dhe angazhim.

AFRIMET-Bylisi ka qenë skuadra më aktive në Superiore, me mallakastriotët që kanë bërë 16 afrime. Përforcime në çdo repart, por edhe në çdo rol. Madje në Ballsh ka ende lojtarë të cilët edhe pse kanë ardhur me bujë, ende nuk kanë debutuar me skuadrën e Bylisit. Zenuni, Kasmollari, Çelaj e Mici ende nuk kanë marrë minuta në skuadrën e parë në Superiore.

Ballshiotët pritet që në fundjavë të zhvillojnë test miqësor ose ndeshje brenda grupit, në mënyrë që trajneri Emanuel Egbo t’u japë shans lojtarëve që nuk janë aktivizuar apo dhe kanë luajtur pak, për faktin që të kapin formën e tyre më të mirë, duke qenë se kampionati është i gjatë dhe mallakastriotët kanë ambiciet e tyre, si në kampionat ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"