Egbo ritakon bardheblutë, Bylisi teston të huajt e afruar ndaj Tiranës
Bylisi luan sot testin e radhës dhe të katërt për këtë fazë përgatitore, me ballshiotët që do të kenë si kundërshtar një ekip të Superiores, Tiranën.
Në takimin që do të zhvillohet në orën 17:30, në “Roza Haxhiu”, skuadra e Emanuel Egbosë pritet që të aktivizojë edhe lojtarët e huaj të cilët për shkak të vizave shengen nuk udhëtuan dot drejt Greqisë në testin me Janinën, kryesisht lojtarët afrikanë, që te Bylisi janë të shumtë.
Ballshiotët deri më tani kanë fituar me Apoloninë 2-1, barazuan 1-1 me Elbasanin, ai dhe u mposhtën nga Janina 1-0. Bylisi ka qenë një nga ekipet më aktive në merkaton e kësaj vere në Superiore, teksa skuadra nga Mallakastra ka afruar tre Brazilianë, por edhe lojtarë të cilët kanë spikatur në Kategorinë e Parë në sezonin e shkuar dhe janë lojtarë të perspektivës.
Në Ballsh tashmë janë të përqendruar në dy “frontet”, faza përgatitore, por edhe sfida e parë në kampionat, ajo me Teutën që po troket pasi në 18 gusht starton gara e elitës. Ndërkohë që merkato ende nuk është mbyllur sepse në këto tri javë të mbetura, mallakastriotët do të kërkojnë që të plotësojnë organikën e tyre, pasi gara e Superiores ka tjetër “melodi”. Synohen edhe 3-4 përforcime dhe të paktën këtë po mendojnë edhe drejtuesit e mallakastriotëve, me lojtarë të cilët pritet që të vijnë nga jashtë.
TESTIMET – Nga “garda e vjetër” e sezonit të shkuar janë aktivizuar elementë si: Beqaj, Peralta, Maçolli, Abazaj e Papa, por një vend do ta kërkojnë edhe Përndreca, Marku, Kamara e Felipe Souza. Afrimet e Hasanbelli apo sidomos tre lojtarëve brazilianë kanë rritur konkurrencën, por qe duhet thënë se kanë arritur që të përshtaten edhe mjaft mirë me pjesën tjetër të skuadrës mallakastriote.
Ballshiotët pritet që krahas Tiranës të luajnë edhe në fundjavë një duel miqësor, me shumë gjasa me një nga pretendentët e së Parës afër Ballshit, ose me skuadra të Superiores që kanë axhendën e lirë. Bylisi në fundjavë do të lërë fazën përgatitore gjirokastrite, për të vijuar me përgatitjet në shtëpi, në kuadër të sfidës së parë me Teutën, ku e tërë skuadra do të vijojë të jetë e grumbulluar në hotelin e klubit.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"