Egnatia është si jetë a vdekje, Magani mbledh ekipin e Tiranës: Të ringjallemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2025 | 11:38

Egnatia është si jetë a vdekje, Magani mbledh ekipin e Tiranës: Të ringjallemi

Gugash Magani kërkon nga skuadra që të tregojë karakter dhe të përmbysë situatën e rëndë të rezultateve që ka kapluar Tiranën.gugash maganiPas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, Magani ka folur gjatë me lojtarët e tij. Ai ka parashtruar situatën e rëndë që ndodhet skuadra dhe ka kërkuar nga të gjithë reagim. Ka kërkuar që liderët e skuadrës të marrin për dore grupin dhe të tregojnë karakterin në fushën e lojës që në sfidën me Egnatian. Sfidë që duhet të fitohet me doemos. Pikërisht kjo ndeshje, sipas Maganit duhet të jetë pika e kthesës për bardheblutë.

Peqinasi është munduar që të qetësojë të gjithë, ndërsa pranoi se ai beson te kjo skuadër. Trajneri u ka bërë të qartë lojtarëve se një ekip nuk mund të përmbyset tre herë rresht dhe se është e patolerueshme që skuadra të mos vrasë takimin. Pikërisht kjo është ajo që duhet të ndryshojë Tiranë në takimin me rrogozhinasit. Në fund të mbledhjes, Magani foli edhe me dy lojtarët e dëmtuar si dhe u takua kokë më kokë me Emanuel Ernest. për të dytin vit radhazi, skuadra bardheblu nuk ia del dot të kalojë në finalen e Kupës së Shqipërisë.

DEKLARATA E SË MARTËS – Edhe në fund të sfidës me Bylisin, Magani i doli në krah grupit.

“Unë kam besim te skuadra. Kam një detyrim për Tiranën vetëm që të shpëtojmë sezonin, sepse jemi në fund të tabelës. Kjo skuadër mua më bind edhe pse thashë që rezultatet më japin të drejtë. Kemi disa javë me oshilacione, ku në tre ndeshjet e fundit, ne kemi shënuar të parët, por jemi ndëshkuar. Unë mendoj se është vetëm çështje trysnie dhe presioni. Ka momente ku duhet, që lojtarë të veçantë të bëjnë liderin, por nuk e kanë bërë ose nuk po e bëjnë. E mira është që ta ruajmë qetësinë mirëpo unë sërish kam besim te skuadra. Skuadra besoj se me ardhjen e dy lojtarëve që i patë në fushë, dhe për mua nuk luajtën keq, do të ndryshojë edhe në lojë edhe në rezultate”, deklaroi të martën trajneri i bardhebluve.

“ARENA KOMBËTARE” – Tirana do të luajë ditën e shtunë sfidën e radhës në kampionat ndaj Egnatias. Më në fund, bardheblutë do të luajnë në kryeqytet. Sfida është caktuar të luhet në orën 16:30 në “Arena Kombëtare”. Bardheblutë kanë shtatë ndeshje që nuk fitojnë në kampionat. Tirana është ekipi që ka më pak fitore, vetëm 2 në 20 javë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"