“Egnatia ka 4 rivalë”, Ahmetaj: Me Elbasanin barazimi i pranueshëm, të mundim Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 23:44

“Egnatia ka 4 rivalë”, Ahmetaj: Me Elbasanin barazimi i pranueshëm, të mundim Partizanin

Alessandro Ahmetaj po bën vitin e dytë tek Egnatia dhe duket se po përshtatet mjaft mirë me futbollin shqiptar. I dalë nga moshat e futbollit italian, Çesenës dhe më pas Sasuolës, mesfushori që ka provuar madje edhe përfaqësues e U-17 të “Axurrëve”, po merr minutat e duhura në ekipin e drejtuar nga Edlir Tetova.

ahmetaj2

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari vlerëson barazimin në Elbasan, ndonëse do të ishin të kënaqur me tri pikët. Edhe pse përkohësisht kanë humbur kreun, për Ahmetajn rikthimi në krye është çështje kohe dhe Egnatia në fund do të mbrojë titullin kampion. Ai pret një fitore ndaj Partizanit këtë javë.

Alessandro, sa të kënaqur jeni me barazimin në Elbasan?

Besoj se ishte një ndeshje e ekuilibruar në të gjitha aspektet, që u reflektua më pas edhe në rezultatin final që prodhoi fusha. Nuk mund të themi që jemi të kënaqur, pasi na kënaqin vetëm tri pikët. Ashtu si shkoi ndeshja duhet ta pranojmë edhe një pikë dhe të shohim përpara.

Tani Egnatia e ka humbur vendin e parë, mendoni se do riktheheni sërish në atë pozicion?

Jemi në fillim të kampionatit, ku kemi pasur shumë largime dhe ardhje lojtarësh. Mendoj se Egnatia do të kthehet të kryesojë, sepse kjo skuadër është krijuar për të qenë në krye.

Sa ndryshon ky kampionat nga ai i kaluari, kur edhe fituat titullin kampion?

Besoj se këtë vit ka më shumë skuadra që pretendojnë “Final 4” në krahasimme vitin e kaluar. Çdo ekip duhet respektuar maksimalisht, duke qenë ne edhe kampionët në fuqi.

Mendoni se do ia dilni ta mbroni sërish titullin?

Egnatia është e ndërtuar për të fituar gjithmonë. Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur titullin e fituar një vit më parë, plus edhe Superkupën.

Këtë javë luani me Partizanin, çfarë synoni?

Partizani është një ndër ekipet pretendente dhe do të jetë një ndeshje e bukur dhe e fortë. Synimi ynë janë vetëm tri pikët.

Cilat shihni si skuadrat që do të rivalizojnë për titullin kampion?

Mendoj që deri tani renditja flet vetë. Për mendimin tim do të jenë Vllaznia, Elbasani, Partizani, por edhe Dinamo.

Në aspektin personal, çfarë synoni të arrini?

Në aspektin personal shpresoj të marr sa më shumë minuta, të kontribuoj dhe ndihmoj ekipin dhe klubin në objektivat e tyre.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"