Egnatia “prenoton” Dajsinanin, Xhemajli qëndron dhe një sezon
Egnatia ishte e thuajse plotë në seancën e djeshme stërvitore që zhvilloi në Lekaj. Mungesa e vetme për trajnerin Edlir Tetova është ajo e sulmuesit Somalie Bakajoko, i cili ka filluar vrapimet në fushë dhe kërkon edhe pak kohë që të jetë gati për ndeshje.
Stafi teknik e llogarit lojtarin e dëmtuar në ndeshjet europiane ta ketë gati për ndërprerjes së kampionatit. Edhe pse deri më 31 janar ka edhe shumë ditë kohë, merkatoja e kampionëve në fuqi duket se është mbyllur, sipas burimeve të “Panorama Sport”. Ashtu siç ka pohuar edhe trajneri Tetova, rrogozhinasit presin vetëm afrimin e një sulmuesi afrikan, ndërsa sa i takon merkatos në dalje situata ka ndryshuar.
DAJSINANI – Drejtuesit e Egnatias tentuan deri në fund për të marrë portierin Mario Dajsinani, por nuk ia arritën qëllimit. Përtej dëshirës dhe negociatave me presidentin e Laçit, Pashk Laska, duket se “gardiani” kavajas do të qëndrojë tek ekipi aktual edhe këtë sezon. Por jo gjithçka mbyllet këtu. Klubi rrogozhinas e ka prenotuar Dajsinanin për ta marrë verën e ardhshme, kur ai do të bashkohet me kampionët “gratis”, sepse i përfundon kontrata me kurbinasit. Javën e dytë të kampionatit Dajsinani do të jetë kundërshtari i skuadrës së Tetovës me Laçin e tij. Këtë verë Egnatia shiti portierin titullar, Alen Sherri, i cili kaloi në Serinë A, te Kaljari. Titullar në dy ndeshjet e fundit në Europë dhe tashmë në kampionat luajti Ilir Dabjani, ndërkohë që është afruar Klajdi Kuka. Rrogozhinasit tentuan gjithashtu edhe një portier italian e një grek me origjinë shqiptarë, por pa rezultat.
XHEMAJLI-RAMA – Ka ndryshuar së fundi situata edhe me dy lojtarët që ishin shumë afër largimit. Arbenit Xhemajli pritet të transferohej në një kampionat të huaj, por duket se ka vendosur përfundimisht të qëndrojë tek Egnatia edhe këtë sezon. Për futbollistin 26-vjeçar ka pasur interesim nga disa skuadra belge dhe zvicerane, por lëvizja me shumë mundësi do të kryhet në fund të sezonit që sapo ka nisur. Edhe Rezart Rama ka vendosur të mbetet te kampionët në fuqi të Superiores. Për shkak të aktivizimit të paktë ai kishte menduar të ndërronte skuadër, por tashmë do të përpiqet të fitojë një vend titullari tek Egnatia. Ai kërkon të bindë trajnerin Edlir Tetova për të pasur sa më shumë minuta në këmbët e tij këtë sezon, por duhet të fitojë rivalitetin me Fangajn. Nga rrogozhinasit ka pasur jo pak largime gjatë merkatos së verës dhe qëndrimi i Xhemajlit e Ramës bën që skuadra të jetë më e plotë.
LUBAS – Jouzas Lubas nuk u pa në stërvitjen e djeshme të rrogozhinasve. Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga klubi në lidhje me pozicionin e sulmuesit që ka luajtur pak deri tani, por gjasat janë shumë të mëdha që ai të largohet përfundimisht ose të huazohet në një ekip tjetër në Shqipëri. Lituanezi, sipas asaj që është thënë më parë, pritet të kalojë te Besa për një sezon.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"