“Egnatia s’bën më diferencën”, Erjon Hoti ndez sfidën për kreun: Vllaznia për titull, fiton ndaj Elbasanit (E PLOTË)
Superiorja po mbyll fazën e parë të saj dhe një nga skuadrat protagoniste është pa dyshim Vllaznia. Shkodranët e drejtuar nga trajneri Tomas Brdariç udhëheqin renditjen, me 13 pikë pas 7 javësh. Për ecurinë e deritanishme të kuqebluve ka folur për “Panorama Sport” Erjon Hoti.
Ish-mbrojtësi shkodran u ndal te humbja kundër Dinamos, ku thekson se episodet ishin vendimtare.
Hoti, si e keni parë kampionatin në këto shtatë javë të luajtura?
Të them të drejtën, me çfarë kemi parë deri në javën e 7-të, mendoj se ky do të jetë kampionati më i luftuar në vitet e fundit. Nëse sezonin e shkuar ishte Egnatia që krijoi diferencë me të tjerët, këtë sezon e shoh ndryshe, rrogozhinasit janë më të dobët, të barabartë me Vllazninë, Partizanin, Dinamon, Elbasanin, Teutën dhe Tiranën.
Ndalemi te Vllaznia, që pësoi humbjen e dytë. Pse sipas jush?
Mendoj se kartoni i kuq ndikoi shumë në psikologjinë e lojtarëve. Ata menduan gabim se për 45 minuta mund të rezistosh, duke u mbrojtur në 25 metrat e fundit. Ne po shikojmë shpesh në futbollin e sotëm që fitohen ndeshjet edhe me 10 lojtarë. Për mendimin tim, edhe trajneri gaboi që e tërhoqi skuadrën aq shumë dhe po ashtu me zëvendësimet dhe vendimet që mori gjatë ndeshjes.
Si mund ta zgjidhte ndryshe ndeshjen Vllaznia, që fillimisht ishte në avantazh dhe u përmbys në fund?
Pas ndeshjes e kemi të lehtë për të folur, por për trajnerin në ato momente është një presion i madh. Ai, siç e thashë, duhej të guxonte më shumë. Edhe pse Vllaznia ishte me 10 lojtarë, Dinamo u hodh e gjitha në sulm dhe hapësirat që la duhej të shfrytëzoheshin më mirë. Për mua ishte gabim edhe zëvendësimi i Dodajt aq herët, ai mund t’i bënte dëm në kundërsulm Dinamos.
A është kjo Vllaznia që garanton për gjëra të mëdha këtë edicion?
Nga ajo çfarë pashë në kupat e Europës, kisha dyshime për ekipin. Por, duke parë rritjen, besoj se Vllaznia është një ndër pretendentet kryesore për fitimin e titullit kampion. Edhe pse është herët ndoshta për të folur, e them edhe për problemet me mungesa që ka pasur skuadra. Me plotësimin e grupit do të ketë më shumë alternativa.
Shpesh keni çuar zërin për aktivizimin e të rinjve te Vllaznia…?
Po, e kam çuar zërin me dëshirën e madhe që të shohim sa më shumë talente të Shkodrës në fushë, edhe pse ndoshta fjalët tona bien në vesh të shurdhër dhe nuk kemi gjë në dorë. Ja shikojeni çfarë po japin Dodaj dhe Delaj. Madje Delajn e kam ndjekur që te moshat dhe kam pasur besimin se një ditë do të bëhet një yll. Besoj se shpejt do ta shohim në një kampionat të madh. Edhe Dodaj më ka befasuar shumë, nuk e kam njohur më herët.
FSHF-ja vendosi që sezonin tjetër numri i të huajve të jetë pa limit…
Vendim i gabuar. Më mirë federata të vinte një kusht që në fushë të ishin 3 futbollistë nën 21 vjeç. Nga të huajt që vijnë, shumë pak prej tyre bëjnë diferencën me shqiptarët.
Si e parashikoni ndeshjen e radhës me Elbasanin?
Ndeshja me Elbasanin besoj se do ketë spektakël brenda, të dy ekipet kanë treguar se kanë pretendime dhe bëjnë lojë sulmuese. Historikisht Vllaznia dhe Elbasani kanë zhvilluar takime të bukura, edhe kjo javë nuk do të bëjë përjashtim. Them se Vllaznia është “shkundur” pak nga humbja me Dinamon, do të kërkojë fitoren dhe besoj se do t’ia dalë.
Mund të na thoni një golashënues?
Për golat kë tjetër mund të përmend para Bekim Balajt? Ai po kalon një rini të dytë. Disa e kanë kritikuar shpesh, por mos harroni se përveç golave Bekimi ndihmon skuadrën edhe në fazën mbrojtëse. Është një lojtar që vrapon pa fund dhe bën repartin i vetëm, duke krijuar e shërbyer. Prezenca e tij në fushë i jep autoritet tjetër skuadrës.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"