Egnatia shënon me gjithë ekipin, tani nis turi i forcës për kampionët
Fitorja e thellë me Bylisin tregoi një fytyrë ndryshe të Egnatias, që pas javës së 5-të kryeson bashkë me Vllazninë. Kampionët në fuqi e administruan mjaft mirë këtë ndeshje, duke e mos e vënë në diskutim asnjë moment fitoren, madje mund të kishin shënuar më shumë se 4 gola me rastet që patën në pjesën e dytë.
Ishte një fitore e rëndësishme, duke ditur që rrogozhinasit vinin pas një barazimi dhe një humbjeje me një lojë zhgënjyese në Shkodër. Me “pokerin” ndaj Bylisit gjithçka është lënë pas dhe fokusi i stafit dhe lojtarëve është te sfida e radhës me Elbasanin.
9 GOLASHËNUES – Interesant është fakti se Egnatia shënon thuajse me gjithë ekipin. Janë 9 lojtarë që kanë gjetur rrugën e rrjetës në 5 ndeshjet e deritanishme. Kanë realizuar nga 1 gola 3 mbrojtës dhe konkretisht Fangaj, Ndreca dhe Xhemajli. Për të vazhduar me mesfushorët, ku kënaqësinë e golit e kanë provuar Lushkja, Zejnullai, Ujka dhe Ahmetaj. Ky i fundit është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës aktualisht, me 2 gola të shënuar.
Dhe në fund janë dy sulmuesit Vuthaj dhe Xhoel, që kanë realizuar nga një gol secili. Nëse shpërndarja e golave në shumë lojtarë është diçka pozitive për kampionët e Shqipërisë, rendimenti i dy sulmuesve nuk është ai që pritej prej tyre. Vuthaj dhe Xhoel e nisën titullarë ndeshjen e fundit me Bylisin, por sërish nuk mund ta shënonin emrin në listën e golashënuesve.
TURI I FORCËS – Egnatian e pret një tur i vërtetë force në tri ndeshjet e radhës, ku do të përballet me Elbasanin, Partizanin dhe Skënderbeun. Janë 270 minuta, që do të shërbejnë për të kuptuar edhe më qartë se çfarë është në gjendje të bëjë skuadra e trajnerit Tetova këtë sezon. Me Elbasanin, që rikthehet në elitë me një skuadër pretendente, dhe me Skënderbeun do të luhet në transfertë, çka i bën këto sfida edhe më të vështira, kurse me Partizanin, rivalin kryesor, luhet në shtëpi. Skuadra ka moralin e duhur për të punuar me qetësi për ndeshjen me Elbasanin, aq më tepër që stafi teknik pritet të ketë një skuadër edhe më të plotë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"