Ekipet kombëtare, startojnë seleksionimet e lojtarëve. Futbollistë shqiptarë nga e gjithë bota provojnë veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2024 | 12:16

Ekipet kombëtare, startojnë seleksionimet e lojtarëve. Futbollistë shqiptarë nga e gjithë bota provojnë veten

Dje nisën seleksionimet që Federata Shqiptare e Futbollit po organizon në “Shtëpinë e Futbollit”. Në seancat përzgjedhëse do të marrin pjesë futbollistët e rinj shqiptarë që jetojnë jashtë territorit shqiptarë. Seleksionimet kanë një rëndësi të veçantë, pasi synojnë të evidentojnë talentet kuqezi të së ardhmes që mund të bëhen pjesë e ekipeve kombëtare të moshave.

f2

Deri më tani, interesi ka qenë i madh dhe vetëm dje kanë qenë rreth 100 kandidatë të lindur brenda vitit 2007. Gjatë paradites në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvilluan katër ndeshje me nga dy pjesë 30 minutëshe nga të cilat stafi teknik përzgjodhi elementët më të spikatur.

Gjatë pasdites, u zhvillua një tjetër ndeshje mes të përzgjedhurve që do t’i shërbejë trajnerëve Julian Ahmataj dhe shefit të skautizmit në FSHF Ardi Behari për të pasur një ide më të qartë për elementët që mund të rezultojnë të dobishëm për të ardhmen.

DATAT – Seleksionimet në “Shtëpinë e Futbollit” do të vijojnë nesër për të lindurit në vitin 2008 dhe pasnesër për datëlindjen 2009 që mund të shërbejnë për Europianin U-17 të vitit të ardhshëm ku Shqipëria si vend organizator është e kualifikuar automatikisht.

Për të lindurit në vitet 2010 dhe 2011 seleksionimet do të zhvillohen me datë 10 dhjetor po në “Shtëpinë e Futbollit”. Duhet thënë se mes konkurrentëve kishte elementë të ardhur që nga vende të largëta si Kandaja siç ishte edhe Grant Kullojka i cili është pjesë e Richmond Hill Soccer Club.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"