“Ekipet Sportive”, shpërthen Federata e Sportit Shkollor: Ja shkeljet nga KOKSH dhe ministria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2024 | 9:49

“Ekipet Sportive”, shpërthen Federata e Sportit Shkollor: Ja shkeljet nga KOKSH dhe ministria

Asambleja e 30-të e përgjithshme vjetore e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, e mbajtur më 5 tetor, vijon të prodhojë akuza dhe polemika, ndërsa një prej çështjeve më të nxehta ishte ajo e miratimit të buxhetit për projektin “Ekipet Sportive”.

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli dhe ministrja Ogerta Manastirliu, gjatë një aktiviteti me fëmijë në projektin Ekipet Sportive

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli dhe ministrja Ogerta Manastirliu,
gjatë një aktiviteti me fëmijë në projektin Ekipet Sportive

Një buxhet që u kundërshtua nga dy federata, ajo e Sportit Shkollor dhe Federata e Sportit Universitar. Disa ditë më parë nëpërmjet një letre për “Panorama Sport”, ishte Sporti Universitar që paraqiti të gjithë argumentet e tij, duke radhitur një listë me shkelje nga KOKSH-i për projektin në fjalë. Për këtë çështje kemi gjithashtu një reagim të fortë edhe nga Federata Shqiptare e Sportit Shkollor (FSHSSH), me president Rauf Dimrajn dhe Sekretar të Përgjithshëm, Viktor Gjonin.

Gazeta ka siguruar një “email” që Gjoni i ka drejtuar KOKSH-it, anëtarëve të Komitetit Olimpik, si dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. FSHSSH-ja thekson se projekti “Ekipet Sportive” i takon me ligj kësaj federate, ndërsa përveç akuzave për KOKSH-in nuk mungojnë as ato për drejtuesit e ministrisë.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS), financimin prej 5.000.000 dollarë për aktivitete sportive në shkolla të vendit, ia miratoi KOKSH-it, pavarësisht se ky komitet nuk ka struktura për zhvillimin shkencor të sportit në shkolla, por edhe duke e ditur se ky veprim është në kundërshtim me Ligjin 79/2017 “Për Sportin”, i ndryshuar, Statutin e KOKSH-it dhe në kundërshtim me Kartën Olimpike”, thuhet në shkresën e FSHSSH-së, që më tej ngre me të drejtë pyetjen se çfarë rezultoi nga zhvillimi i kampionateve të sportit në shkollat e Shqipërisë, nën drejtimin e KOKSH-it?

“Ne si FSHSSH kemi vërejtje e kundërshtime të theksuara ndaj modelit që improvizoi e zbaton KOKSH-i. Për mungesë të profilizimit, ekspertizës dhe përvojës shkencore, KOKSH-i nuk serviri strategji dhe modele stërvitore të bazuara në programe shkencore. KOKSH-i nuk vlerësoi dhe nuk kontrolloi asnjëherë gjatë vitit progresin e këtyre testeve nëpër ekipet e vendit, si një kërkesë e domosdoshme. KOKSH-i, në ndryshim me FSHSSH-ja, nuk mbajti ndonjë Konferencë Kombëtare për arritjet sportive në nivel shkolle, qyteti dhe vendi, meshkuj dhe femra, nuk botoi asnjë katalog historik për arritjet sportive të nxënësve për projektin në fjalë, edhe pse kishte në dispozicion 5.000.000 dollarë”, vijon “e-maili”-i i Federatës së Sportit Shkollor.

Më tej kjo federatë ngre disa pyetje të rëndësishme në lidhje me miratimin e buxhetit 5 milionë dollarësh: “E si mund të merret një vendim, për të disatën herë, ndërkohë që nuk ka asnjë raport referuar rezultateve të këtij projekti? Si mund të votohet buxheti i një projekti kur nuk kemi projektin në fjalë më parë? A mund të raportohet auditi i 5.000.000 dollarëve në më pak sesa tri faqe, pa asnjë shifër, në më pak sesa tri minuta?”. Më pas letra e FSHSSHsë vijon: “Federata Shqiptare e Sportit Shkollor është institucioni që duhet të zbatojë këtë projekt, ashtu siç e mandaton dhe ligji. Zbatimi i ‘Ekipeve Sportive’ në shkolla nga KOKSH-i, është një shkelje e drejtpërdrejtë e kuadrit ligjor në fuqi”.

AKUZAT PËR MINISTRINË – Për këtë situatë Federata e Sportit Shkollor bën përgjegjëse gjithashtu edhe ministrinë me drejtuesit e këtij institucioni.

“Theksojmë se MAS-i nuk duhet të hartojë politika të reja duke prishur institucione me cilësi të konsoliduara, e të krijojë hallka të reja por anakronike te KOKSH-it për sportin në sistemin arsimor. E nderuar Znj.Manastirliu, risjellim në vëmendjen tuaj se FSHSSH-ja ju ka dërguar në datën 5.12.2023, shkresën për veprimet denigruese ndaj FSHSSH-së, ushtruar nga zv. ministri Hoxha dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Politikave Zhvillimore të Arsimit, Sportit dhe Rinisë të MAS-it, të cilat kanë dëmtuar Strategjinë e Sportit Shkollor të Shqipërisë”, ndërsa më tej federata i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të MASit, Erzen Tolës, duke bërë të ditur se zv.ministri Endrit Hoxha po merr kompetenca që nuk i takojnë, duke shkelur ligjin: “I nderuar z.Tola, ka më shumë sesa 2 vite që funksionet monitoruese dhe kontrolluese të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit janë shfuqizuar dhe atrofizuar nga ndërhyrjet e zv. Ministrit Hoxha në praktika pune dhe çështje ligjore që tejkalojnë përgatitjen dhe funksionin e tij si zëvendësministër. Ai po merr në mënyrë të paprecedentë detyrat specifike ligjore të Sekretarit të Përgjithshëm të MASit. Ka dy vite që zv. ministri Hoxha ka përjashtuar e diskriminuar haptazi FSHSSH-në nga aktivizimi për zhvillimin e sportit shkollor, duke mos mbështetur projekt-propozimet tona dhe duke mos financuar, me qëllimin për të krijuar kushte të favorshme për KOKSH-in që të zhvillojë kampionate sportive të shkollave të Shqipërisë, në shkelje të hapur të Ligjit 79/2017 ‘Për Sportin’, i ndryshuar, specifikisht nenet 6,18 të Ligjit të Sportit”.

HAPAT DHE APELI – Në fund FSHSSH-ja bën të ditur se do të ndjekë të gjitha hapa ligjore për këtë çështje, ndërsa ka një apel edhe për të federata sportive në vend: “Për arsyet e përmendura, FSHSSH-ja do të marrë hapat e nevojshëm ligjorë në gjykatë për këto shkelje të drejtpërdrejta të kuadrit ligjor në fuqi. Ftojmë të gjithë drejtuesit e sportit shqiptar të marrin hapat e nevojshëm ligjorë referuar mbivendosjes së KOKSH-it në fushën e aktiviteteve dhe kompetencave të federatave sportive. Përfshirja e KOKSHit dhe institucioneve shtetërore për zhvillimin e projekteve të sportit shkollor dhe universitar krijojnë një dëm kolosal kombëtar në shkatërrimin e sistemit sportiv shqiptar”, shkruhet ndër të tjera në “email”-in e Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor.

Faksimile e e-mail-it të Federatës së Sportit Shkollor

Faksimile e e-mail-it të Federatës së Sportit Shkollor

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"