“Ekipi i kompletuar, vjet na penalizuan dëmtimet”, Memushi: ”Kriza” ka kaluar, Flamurtari ndërroi marsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2025 | 12:02

“Ekipi i kompletuar, vjet na penalizuan dëmtimet”, Memushi: ”Kriza” ka kaluar, Flamurtari ndërroi marsh

Eqerem Memushi mendon se Flamurtari është në rrugën e duhur dhe me marshin drejt Superiores. Për “Panorama Sport”, ish-trajneri i vlonjatëve thekson, se periudha më e vështirë e skuadrës kaloi me barazime dhe një humbje. “Unë kam folur edhe në ndeshjen para Vorës, ku kam thashë që ishte një takim që duhej luajtur, por nuk vendoste fatin e kampionatit.

MEMUSHI

Po ta shikosh pas asaj ndeshje, Flamurtari luajti shumë mirë edhe në Vlorë. Skuadra që aty filloi që të rrisë marshin, pra ta ndërronte atë. Është një fat i madh për ne, sepse ne atë periudhë të keqe që e përjeton çdo skuadër, ne e kaluam me barazime dhe me një humbje. Po të shikosh Besën e kaloi më me dhimbje, pasi në këto kohët e fundit në 12 pikë ka marrë vetëm 3. Në këtë kategori shikojmë që skuadrat janë pothuajse të ndara tani“, shprehet fillimisht Memushi.

SKUADRA E VJETSHME – Eqerem Memushi ndalet edhe te skuadra që drejtoi sezonin e shkuar. Sipas teknikut, vjet kishte probleme të mëdha me dëmtimet. “Në momentin që unë kam marrë drejtimin, skuadra ka pasur 8 lojtarë të dëmtuar. Ky është mendimi im. Nga eksperienca e vjetshme, ata kanë marrë shumë lojtarë, që t’i kenë gati. Po ta shikosh, në pjesën e fundit të kampionatit, ne kemi luajtur me lojtarë të dëmtuar. Kemi shkuar në “play off” me Vasil Shkurtajn që e kemi futur me detyrim në fushë pasi nuk kishim sulmues. Gjej rastin që ta falënderoj për atë sakrificë”, shprehet ish-trajneri.

KAMPIONATI – Si një njohës i mirë i Kategorisë së Parë, Eqerem Memushi analizon edhe kampionatin e këtij viti. “Tre skuadrat e para, Vora, Flamurtari dhe Besa, që luftojnë për objektivin e tyre madhor, Superioren, dhe pjesa tjetër janë skuadrat e “play off”-it. Sipas renditjes, Burreli e Kastrioti që janë më afër do të luajnë për një vend për të vazhduar më lart, por edhe Apolonia, Lushnja edhe Pogradeci. Kurse pjesa poshtë, janë të zgjidhura. Valbona, Erzeni për mua janë të rëna. Korabi me Kukësin mund të diskutojnë zonën e “play off”-it”, thotë Memushi.

AKADEMIA – Një koment Eqerem Memushi e ka edhe për akademinë. Thekson, se skuadra do të vuajë ende nga prodhimi vendës dhe fatkeqësisht do të duhet që skuadrat të ndërrohen çdo vit. “Sinan Idrizi është i gatshëm që të investojë edhe në infrastrukturë, pasi me një fushë futbolli nuk mund të bësh akademi dhe nuk e furnizon dot me futbollistë vendës. Kështu do vuajmë. Skuadra do të ndërrohet çdo vit”, përfundon Memushi.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"