Ekipi pa staf teknik, por me sekretare në Kairo/ Çudira shqiptare, Kombëtarja pa trajner në Botërorin e Qitjes
Në Egjipt po mbahet Kupa e Botës në qitje sportive, aktivitet madhor ku merr pjesë edhe Shqipëria.
Delegacioni Kuqezi në Botërorin e Qitjes
Kombëtarja kuqezi përfaqësohet me sportistet Kristina Anxhara, Gresia Balli, të cilat janë dërguar me shpenzimet e federatës, ndërsa gjithashtu pjesë e ekipit janë edhe Manuela Delilaj dhe Manjola Konini, qitëse të cilat kanë udhëtuar me shpenzimet e tyre personale.
Por ajo që bie në sy në këtë aktivitet është se Shqipëria paraqitet pa trajner.
Pjesë e delegacionit janë qitëset dhe sekretarja e FSHQS-së, Enkeleda Çaushi, e cila është gjithashtu anëtare e Komitetit Ekzekutiv në KOKSH, ndërsa mungon trajnerja Diana Mata, e cila pritet t’i bashkohet ekipit në ditët në vijim bashkë me qitësin e ri, Ilian Lati.
Një zgjedhje që duket se ka ardhur për shkaqe financiare, por është paradoksale, se si një ekip mund të futet pa trajner në kompeticione të tilla.
Ndërkohë ditën e djeshme për Shqipërinë ka garuar Kristina Anxhara, e cila përveç se sportiste është edhe pjesë e administratës së Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Anxhara konkurroi në disiplinën 10 metra pushkë me ajër.
Ajo regjistroi 612.7 pikë, duke u renditur e 65-ta mes 68 rivaleve në baterinë e saj, ndërsa në klasifikimin e përgjithshëm u renditi në vend të 122-të mes 135 konkurrueseve.
Një rezultat shumë i dobët, që tregon edhe një herë se sa larg lavdisë së dikurshme është qitja shqiptare.
Vitet e fundit Shqipëria e qitjes është e “abonuar” rregullisht me vendet e fundit në kompeticionit e rëndësishme ndërkombëtare të këtij sporti.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"