“Ekipi po funksion, por s’kemi fituar asgjë deri tani”. Marku: Fryma e grupit, baza e suksesit të Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2024 | 12:39

“Ekipi po funksion, por s’kemi fituar asgjë deri tani”. Marku: Fryma e grupit, baza e suksesit të Flamurtarit

Mesfushori Herald Marku është një nga “goditjet” e kryera nga Flamurtari gjatë merkatos së verës në këtë sezon. Mesfushori ka një eksperiencë të gjatë në kampionatin shqiptar dhe po e tregon veten edhe në Vlorë. 28-vjeçari ishte autor i një prej golave të shënuar në ndeshjen me Valbonën, që u fitua nga vlonjatët në shifrat 2-0.

marku feston te flamurtari

Në një interviste për “Panorama Sport”, Marku vlerëson skuadrën dhe frymën e grupit, ndërsa thekson se duhet të punohet më fortë për përballjet në vijim. Ndeshjen e radhës me Korabin e shikon të vështirë, ndërsa këtë kampionat e konsideron tepër të fortë. Ndaj, mesfushori i Flamurtarit thotë se nuk ka vend për eufori në ekip.

Marku, si ndiheni me pesë fitoret radhazi të Flamurtarit?

Ndihemi shumë mirë. I thonë tri pikë për çdo ndeshje dhe për ato ne jemi të angazhuar të gjithë. Skuadra bëri mjaft mirë ndaj Valbonës, jo vetëm se fituam, por edhe bindëm me lojë. Kishim shumë raste dhe rezultati mund të ishte edhe më i thellë nga 2-0. Gjë e mirë është që kjo skuadër prodhon dhe se tashmë është harmonizuar. Mos harroni se jemi një skuadër e re, e ndërtuar nga e para dhe që do kohën e vet. Gjithsesi, tashmë e kemi tejkaluar këtë pjesë.

Ju shënuat në ndeshjen me Valbonën, si ndiheni në aspektin personal?

Ndihem shumë mirë. Ndihmova skuadër dhe bëra detyrën time. Në veçanti, unë dua që të falënderoj tifozët për mbështetjen e madhe. Të shtunën e kaluar ata ishin të shumtë në numër në stadium. I ftoj që të jenë kështu në çdo takim. Ne kemi nevojë për ta, natyrisht që edhe futbolli luhet për tifozët.

Në aspektin taktiko-teknik, a po funksionon kjo skuadër?

Unë mendoj se po funksionon mirë, por nuk duhet të kënaqemi me kaq. Duhet të punojmë më fortë për ndeshjet në vazhdim. Jemi në fillim të rrugës dhe kampionati është i gjatë. Duhet të jemi pa eufori dhe me “këmbë në tokë”. Në fund të fundit ende nuk kemi fituar asgjë.

Si është atmosfera në skuadër pas këtyre pesë fitoreve?

Kemi frymë grupi shumë të mirë që na ka bërë të ecim përpara. Jemi përshtatur mirë me njëri-tjetrin. Kemi djem shumë të mirë në skuadër dhe lojtarë profesionistë.

Ndeshjen e radhës e luani në Peshkopi, si e shikoni sfidën me Korabin?

Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë dhe e luftuar. Korabi është një kundërshtar i fortë. Duhet që të bëjmë maksimumin tonë dhe të tregohemi të kujdesshëm.

E shikoni të vështirë Kategorinë e Parë?

Patjetër që është e vështirë, sepse ka ekipe te mira. Gjithashtu është një luftë e madhe sportive.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"