EKSKLUZIVE/ “Mezi pres të vijë dita e ndeshjes”, Agim Zeka merr zemër: Dua gol edhe në derbi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2024 | 19:44

EKSKLUZIVE/ “Mezi pres të vijë dita e ndeshjes”, Agim Zeka merr zemër: Dua gol edhe në derbi (E PLOTË)

Agim Zeka po “ndizet”. 25-vjeçari erdhi si një nga afrimet më të bujshëm të Partizanit dhe veçanërisht edhe pas thirrjes në Kombëtare të gjithë presin akoma më shumë nga ai. Sulmuesi nuk zhgënjeu kundër Laçit, pasi ishte pikërisht ai që arriti të krijojë aksione të rrezikshme, por edhe të shënojë golin, që me pak kujdes në mbrojtje mund t’i jepte fitoren ekipit.

agim zeka

Në një prononcim për “Panorama Sport” Zeka shprehet se ekipi meritonte më shumë, teksa shton se fusha ndikoi në lojën e tij dhe shokëve. Ai flet edhe për derbin, ku synimi është fitorja dhe goli i radhës. 25-vjeçari lë të kuptohet se po e pret derbin me shumë emocion.

Barazim në një ndeshje të vështirë, i kënaqur apo kërkonit më shumë?

Mendoj se merituam fitoren, por mund të them se fusha na krijoi mjaft vështirësi, sepse nuk arritëm të realizonim atë që ne si ekip dimë të bëjmë vërtet.

Çfarë mendoni se i mungoi skuadrës që nuk arritët të merrnit më shumë?

Mendoj se pikërisht fusha. Terreni ishte arsyeja që nuk dolëm dot tërësisht te loja jonë dhe në fund nuk arritëm të merrnin fitoren. Ajo ishte shkaku kryesor.

Patët tri raste dhe në fund shënuat. Jeni i kënaqur me paraqitjen e bërë nga ju personalisht në këtë përballje?

Jam i gëzuar personalisht për golin e shënuar. Është i pari për mua me fanellën e Partizanit. Por do të isha shumë më i lumtur në rast se do të vlente për të fituar ndeshjen, jo për ta barazuar.

Duket sikur performan cat tuaja janë në rritje graduale. Po ndiheni më mirë te Partizani?

Po, po ndihem më mirë dita-ditës dhe besoj se do të vijoj akoma të përmirësohem dhe t’i përshtatem ekipit në idenë dhe filozofinë e lojës.

Sa ju çliron emocionalisht ky gol? Do të presim të tjerë në vijim?

Më çliron tej mase, veçanërisht prej faktit që jemi para derbit dhe në atë ndeshje dua të jap maksimumin dhe pse jo, të shënoj për të ndihmuar sa më shumë ekipin.

Derbi është ndeshja e radhës. Do të ktheheni te fitorja me Tiranën?

Është një ndeshje, të cilën nuk e kam shijuar ende. Mund të them se tashmë që sfida me Laçin quhet çështje e mbyllur, po e pres me padurim që të luaj dhe të jap maksimumin tim.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"