Ekselenca Erjon Bogdani, golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2024 | 15:30

Ekselenca Erjon Bogdani, golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares

Nga prof. Dr. Ramazan Bogdani
Në këtë shkrim jam në rolin e përzgjedhësit dhe redaktorit të lëndës objekt, vjelur nga dy autorët përkatës.

Bogdani

Erjoni, protagonist i 546 ndeshjeve futbollistike si profesionist duke shënuar 124 gola në Shqipëri, Itali, Turqi, Kroaci. Është golashënuesi më i mirë i Kombëtares të Shqipërisë me 18 gola, nga krijimi i FSHF në vitin 1930 e deri më sot.

Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XX dhe të këtij shekulli, Erjoni është aktivizuar në skuadrat futbollistike profesioniste: “F.K. Partizani” dhe “F.K. Dinamo” në Tiranë, Shqipëri; “Gençerbirligi” të Ankarasë, Turqi; “N.K.Zagreb” të Kroacisë si dhe në shtatë skuadra në Itali: “Rexhina” e Rexhio të Kalabrisë; “Salernitana” të Salernos; “Hellos Verona” të Veronës; “Siena” të Sienës; “Kievo Verona” të Veronës: “Livorno” të Livornos dhe “Çezena” të Çezenës.

Gjatë karrierës futbollistike, Erjoni është etiketuar me shumë superlativa, që janë botuar në artikuj të ndryshëm. Disa nga këto do të përbëjnë edhe objektin e këtij shkrimi, njëherësh sipas librit përkatës:

– Ka fituar Anketën “Të artët 1999-2000”, organizuar nga gazeta “Sporti Shqiptar” (18 qershor 2000).

– Është shpallur tre herë fitues në Anketën “Dhjetë sportistët më të mirë”, përkatësisht në vitet 2000, 2004, 2005 (gazeta “Sporti Shqiptar”).

– Ka marrë pjesë në Anketën “All stars” të përbërë nga futbollistë të huaj që luajnë në Itali. Si rrjedhojë, një formacion i tillë është ndeshur me Kombëtaren e Italisë në stadiumin “Olimpiko” të Romës, më 29 tetor 2000, organizuar për “Mileniumin e Ri”. Për këtë event Papa i Vatikanit, i ftuar nderi në atë veprimtari, i ka dorëzuar Erjonit “Medaljen Përkujtimore”, duke zhvilluar me të edhe një bashkëbisedim të ngrohtë, pikërisht aty në shkallët e stadiumit “Olimpiko”. Me këtë rast, Erjoni është falënderuar me një letër të posaçme nga Presidenti i Ligës së Futbollit italian Franco Carrero.

– Përbën event tregolëshi i Erjonit me Sienën në Serinë A ndaj skuadrës së Palermos, më 28 janar 2006. Si rrjedhojë, ai u përzgjodh në formacionin e javës së 11-të të Kampionatit Italian. Njëherësh për atë javë, edhe në 11-shen e Kampionatit Evropian.

– Për sezonin futbollistik 2005 – 2006 në Serinë A të Italisë, ka fituar Anketën e çmimit “Meglio D’oro” (Fanella e Artë).

– Më 27 shkurt 2007, gjatë ndeshjes Kievo Verona – Torino, Erjoni shënoi një dygolësh. Si rrjedhojë u shkarkua edhe trajneri i Torinos (Duke ndodhur edhe herë të tjera një veprim i tillë, ai është cilësuar nga shtypi italian si “Vrasës i Trajnerëve”). Njëherësh, edhe për atë javë Erjoni është shpallur në 11-shen e Kampionatit italian të Serisë A.

– Më 2 mars 2007 në ndeshjen Kievo Verona – Roma, trajneri i Romës, Kapelo është shprehur: “Goli i shkëlqyer me kokë i Bogdanit e zbukuroi Olimpikun e Romës”.

bogu libri

– Më 21 shtator 2010, si lojtar i Çezenës, me golin shënuar Milanit, është shpallur në 11-shen e javës së Kampionatit të Serisë A të Italisë.

– Më 6 mars 2015 Erjoni është nderuar në Tiranë me titullin “Mirënjohja e qytetit” shoqëruar me dhuratën simbolike “Kulla e Sahatit të Tiranës”, akorduar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

– Presidenti i Skuadrës “Gençlerbirligi” të Ankarasë së Turqisë, në gazetën “Hyrjet” të 26 mars 1998, shkruan: “Erjoni është një lojtar cilësor”.

– Drejtori teknik i skuadrës “Rexhina” të Kalabrisë së Italisë, Gabrielo Martino, në revistën e përjavshme “Guerrin Sportivo” (10-15 prill 2000) e cilëson përfshirjen e Erjonit në Siena të Italisë, me titullin e artikullit “Bogdani, mbret i shqiptarëve”. Ndërsa trajneri i “Rexhinës” Franko Kolombo, e shquan Bogdanin të fortë, “si marka gjermane”.

– Presidenti i skuadrës “Çezena” të Italisë Kampedeli shkruan: “Bogdani duhet t’i bëjmë një monument, madje jo vetëm për golat e shënuar, por edhe për impenjimin që tregon gjatë ndeshjeve”.

bogdani

– Drejtori Teknik i skuadrës “N.K. të Zagrebit” të Kroacisë Marliç, në takimin me prindërit e Erjonit është shprehur: “Me aftësitë që ka Bogdani mund të luajë edhe në Premier Ligën e futbollit anglez”.

– Trajneri kroat Josip Kuzhe është shprehur: “Bogdani nuk është për një lojtar, por për dy të tillë”.

– Atribute të shumta të kësaj natyre kanë shprehur edhe personalitete të tjerë të futbollit shqiptar dhe të huaj, si: Faruk Sejdini, Sulejman Demollari, Shyqyri Rreli, Fatbardh Jera etj. Fikadenti i Veronës së Italisë; Hans Peter Brigel; Karlo Ançeloti, trajneri i Milanit; Marko Van Basten, trajner i Hollandës; Oto Bariç e Josip Kuzhe; Rino Foti, drejtori teknik i Rexhinës; Biark, trajner i Kombëtares Franceze; Timuri Kecbaia, trajneri i Gjeorgjisë; Simone Inzagi, trajner i Interit; Uestli Shnajder, trajner i Hollandës. Po kështu, kanë shprehur elozhe edhe personalitete të tjerë të sportit shqiptar dhe të huaj.

– Vlerësime të shumta kanë bërë edhe gazeta të tilla si: “Gazeta Shqiptare”, “Sporti Shqiptar”, “Panorama Sport”, “Klan”, “Korrieri”, “Ballkan”; Gazeta “Sporski Novosti” (Kroaci); “La Gazeta Dello Sport” (Itali); “L’Arena” (Itali); Gazeta “La Stampa” (Itali); Gazeta “Il Messaggero” (Itali); Revista “Il Fedelissimo” (Itali); Gazeta “Sparskie” (Kroaci) etj.

Siç është dëshmuar në opinionin sportiv- evropian, gjatë kësaj periudhe, figura të tilla si:

Bierhof (Gjermani) – Shevçenko (Ukrainë) – Bogdani (Shqipëri), janë legjenda me fizionomi fisnikërie sikur të ishin trinjakë, me dinjitet sportiv dhe forcë të madhe futbollistike.

Së fundmi, pas këtyre pak fragmente për Erjonin, do të shtoja dy memoriale.

Së pari, me fillesat futbollistike të Erjonit në Serinë A të Italisë, gazetari i njohur sportiv Bashkim Dizdari, e pari zbardhur këtë ngjarje me një banderolë të madhe në një fotografi faze gazete me futbollistët shqiptarë të para 50 vitesh në Itali: “Riza Lushta – Naim Kryeziu plus edhe Erjon Bogdani” me diçiturën “Tre Musketierët Shqiptarë në Futbollin Italian”.

Së dyti, gjatë periudhës objekt, jam ndodhur për një Ekspeditë Shkencore te Arbëreshët e Kalabrisë së Italisë. Gjatë një takimi pune, kur të pranishmit mësuan se unë jam xhaxhai i Erjonit, janë shprehur: “Me Bogdanin ne sikur na ka ardhur Skënderbeu”.

Erjoni, pasi u shkëput nga veprimtaria si futbollist, nisi atë të trajnerit. Fillimisht, për vlerat e larta, u caktua Zv.trajner i Kombëtares Shqiptare me trajner De Biazi. Gjatë atyre viteve, 2015 dhe 2016, futbolli shqiptar përjetoi lulëzimin më të madh, pjesëmarrjen për herë të parë të Kombëtares Shqiptare në finalet e Kampionatit Evropian, “Euro 2016”. Në vijim, Bogdani ka kryer detyrën e trajnerit të ekipit kombëtar U-19 (vitet 2017-2018).

Pasi u largua përfundimisht nga veprimtaritë kombëtare të Shqipërisë, u vendos familjarisht, me bashkëshorten dhe dy fëmijët, në qytetin Salerno të Italisë, por duke mos u shkëputur nga futbolli.

Sot Erjoni jeton familjarisht në qytetin e Palermos në Itali, duke kryer funksionet e Drejtorit të të gjithë ekipeve futbollistike të atij qyteti (me përjashtim të ekipit të të rriturve).

Në hapësirën e biografisë, çka është shënuar edhe në kopertinë, libri trajton edhe lëndë të gjerë jetësore, me përparësi të të tre periudhave të jetës:

                                    Fëmijërinë- Adoleshencën – Rininë

*

Ky pra do të ishte shkurtimisht portretizimi i protagonistit tonë në librin e dy autorëve, Doktorë të Shkencave Pranvera dhe Fatmir Bogdani.

Por, edhe Erjoni shfaqej në Median italiane me përcaktuesin Dr., ngase, si rrallë ndonjë futbollist tjetër në Serinë A të Italisë, ai kishte edhe Arsim të Lartë, Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Dega Biznes. (Po ashtu edhe binjaku Adrian ka qenë futbollist me Dinamon e Tiranës njëherësh me Universitet të kryer, Jurist)

Post Refleksion

Shpreh bindjen se në këtë libër dëshmohet më së miri integriteti Erjon, i cili e ka ngritur në një shkallë sipërore fenomenin “Saga Bogdani”. Sipas autorëve Dr. Pranvera Bogdani & Fatmir Bogdani të librit “ERJON BOGDANI Biografia” (Tiranë 2022, 958 faqe)

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"