EKSKLUZIVE/ “Ndeshje reklamë për Superioren”, Dorian Bylykbashi analizon Vllaznia-Elbasani: “Valle” treshe për titullin, dua ta fitojë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2024 | 22:07

EKSKLUZIVE/ “Ndeshje reklamë për Superioren”, Dorian Bylykbashi analizon Vllaznia-Elbasani: “Valle” treshe për titullin, dua ta fitojë…

Dorian Bylykbashi “garanton” spektakël si në fushë dhe në shkallët e stadiumit gjatë 90-minutëshit të sfidës Elbasani-Vllaznia. Ish-lojtari i të dyja skuadrave, kampion me shkodranët në vitin 2001, foli për “Panorama Sport” duke analizuar të dyja kampet. Pranoi se dy skuadrat kanë potencial të madh për të fituar titullin kampion.

Dorian Bylykbashi

Gjithsesi, mes tre skuadrave që është aktivizuar në Shqipëri, Bylykbashi zgjodhi Elbasanin, ndonëse me Vllazninë ka dalë kampion dhe me Partizanin ka bërë lavdinë. AF Elbasani – Vllaznia do jetë kryesfida e javës së 8-të në Superiore. Dy nga ekipet më në formë të momentin në kampionat do “përplasen” të dielën në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Bylykbashi, rikthehet pas thuajse 1 dekade në Superiore, Elbasani. Vlerë e shtuar apo jo

Mund të them që ka qenë një pritje e gjatë, ku tifozët dhe ambienti i futbollit në qytet donin me padurim kthimin e skuadrës aty ku duhet. Më në fund Elbasani është aty ku e meriton, mes më të mirëve. Patjetër që është një vlerë e shtuar, sepse ky ekip i ka dhënë tonin kampionatit shqiptar ndër vite. E po ashtu qytetarët e Elbasanit që janë një popull mjaft futboll dhe sportdashës.

Sa mund të jetë garancia e kësaj skuadre për të ardhmen?

Për pjesën e garancisë, unë nuk mund të jap një verdikt, pasi janë drejtuesit e ekipit ata që kujdesen për detajet dhe që skuadra të ecë në drejtimin e duhur. Me sa di unë është një projekt afatgjatë dhe shpresoj ta shohim Elbasanin në majat e renditjes çdo herë.

Në fundjavë, në Elbasan do të luajnë verdheblutë kundër Vllaznisë. Një skuadër që gjithashtu është në zemrën tuaj apo jo?

Besoj se do jetë kryendeshja e javës dhe për vetë pozicionet që kanë skuadrat në renditje. Shpresoj të shohim një ndeshje spektakolare dhe me raste, sepse besoj se edhe tifozëria do të jetë e shumtë në stadium. Sigurisht që Vllaznia ka për të pasur gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time. Kam kaluar 1 vit e gjysmë të mrekullueshëm në Shkodër, me një tifozëri të zjarrtë që më ka respektuar në maksimum.

Ndikon rikthimi i ndeshjeve dhe emrave të mëdha për rritjen e nivelit të Superiores?

Sigurisht që rikthimi i emrave të mëdhenj rrit nivelin dhe interesin. Sepse shohim që në përballjet e skuadrave historike ka prani më të lartë tifozësh. Këtu duhet bashkangjitur edhe mbështetja dhe kushtet e mira financiare. Siç mund ta shohim pa një buxhet të mirë dhe të shëndoshë nuk mund të bësh një ekip pretendent.

Si mund ta parashikoni sfidën e së dielës?

Parashikime nuk mund të ketë për këtë ndeshje, sepse siç e thashë do të jetë kryendeshja e javës. Shpresojmë që të jetë një ndeshje reklamë për kampionatin shqiptar, ku të ketë ritëm e me raste që në fund të mbeten të kënaqur ata për të cilët luhet ky sport, tifozët.

Madje me sa është bërë e ditur të dy tifozeritë do të jenë në të njëjtën tribunë dhe kjo premton një atmosferë që mund t’i japë ngjyra të tjera 90 minutave. Po ashtu një përshëndetje të veçantë dua të ndaj për “Tigrat” e Elbasanit dhe “Vllaznit” kuqeblu. Janë ndër grupimet më të mira në Shqipëri dhe jam i sigurt që të dielën do të  na garantojnë një spektakël.

Nëse do të mund të zgjidhje mes Elbasanit, Vllaznisë dhe Partizanit. Kë do të doje të shikoje kampion në fund?

Pyetje provokuese (qesh). Unë mendoj që në fund fare do të jenë këto 3 skuadra që do luftojnë për titullin kampion. Por nëse do më duhet të zgjedh njërën prej skuadrave sigurisht do të zgjidhja Elbasanin. Sepse është qyteti im i lindjes dhe ekipi ku kam hedhur hapat e parë drejt kësaj loje të mrekullueshme që quhet futboll.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"