EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri kampion Haxhiosmanoviç: Me Laçin u shpërfytyrua, por Vllaznia reagon kundër Partizanit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2024 | 21:13

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri kampion Haxhiosmanoviç: Me Laçin u shpërfytyrua, por Vllaznia reagon kundër Partizanit (E PLOTË)

Është trajneri i fundit që ka nxjerrë kampion Vllazninë në vitin 2001 dhe bëhet gjithmonë nostalgjik kur flet për kuqeblutë.htgfhjFjala është për Dervish Haxhiosmanoviç ose Deda, siç e njohin të gjithë në Shkodër. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” ai flet për ecurinë e kuqebluve. Malazezi ndalet edhe te humbja e fundit kundër Laçit dhe dëshira për ta parë Vllazninë kampione në fund.

Profesor, sa e keni ndjekur kampionatin shqiptar këtë sezon?

Në Shqipëri kam kaluar 10 vite të karrierës sime sportive si trajner. Patjetër, mundohem t’i shikoj sa më shumë ndeshjet e kampionatit shqiptar e veçanërisht Vllazninë, të cilën kur kam mundësi e ndjek edhe në Shkodër, pasi është një skuadër që mbetet gjithmonë në zemrën time.

Pse ndodhi pikërisht kjo që thoni ju kundër Laçit?

Që kuqeblutë nuk ishin të njëjtët si në pjesën e parë dhe atë të dytë? Nuk mund të jap një shpjegim për këtë, duhet kërkuar përgjigja te trajneri ose më saktë futbollistët. Ishin të njëjtët që luajtën shkëlqyer për 90 minuta e më pas në dy minuta në pjesën e dytë u shpërfytyruan. Duhet më reagim në çastet e vështira dhe futbollistët e dinë këtë.

Ndikuan mungesat te Vllaznia kundër Laçit?

Patjetër që mungesat kanë peshë, sepse ishin futbollistë të formacionit. Por edhe futbollistët e tjerë duhet të jenë të gatshëm kur vijnë nga stoli. Ata duhet t’i shfrytëzojnë më shumë mundësitë që iu jepen gjatë një kampionati.

Si e mendon Haxhiosmanoviç ndeshjen e radhës kundër Partizanit?

Uroj që Vllaznia ta ketë ekipin e plotë dhe duhet të reagojë. Luan në shtëpi, me tifozët e saj të mrekullueshëm dhe kundër një rivali direkt. Besoj se është momenti dhe ndeshja e duhur për të treguar vlerat reale dhe objektivat që ka skuadra këtë sezon.

A mund të jetë kjo Vllazni kampione në fund?

E thashë që ka ekip të fortë dhe kam besim tek ata. Uroj dhe dëshiroj me gjithë shpirt që skuadra të jetë kampione, sepse ai qytet dhe ajo tifozeri e meriton. Kanë kaluar shumë vite që kur Vllaznia doli kampion. Në vitin 2001 festova titullin si trajner, uroj që në maj të vitit tjetër ta festoj si tifoz i kuqebluve në Shkodër!

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"