EKSKLUZIVE/ “Jam tifoz i Realit”, rrëfimi special i portierit Abalora: Më thërrasin “luan”, do ta provoj bugaçen e Elbasanit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2024 | 20:54

EKSKLUZIVE/ “Jam tifoz i Realit”, rrëfimi special i portierit Abalora: Më thërrasin “luan”, do ta provoj bugaçen e Elbasanit (E PLOTË)

Razak Abalora u ambientua menjëherë me Elbasanin dhe futbollin shqiptar, duke fituar shpejt edhe admiruesit e tij në vendin tonë.abaloraPërtej mbrëmjes së errët ndaj Dinamos, ku pësoi 5 gola dhe për ganezin ishte ndeshja më e keqja në karrierë, 28-vjeçari është protagonist me verdheblutë. Ai është një nga pikat e forta të skuadrës së trajnerit Roberto Bordin, i cili e solli në Elbasan pas eksperiencës që kanë pasur së bashku në Moldavi.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, “gardiani” i katërkëndëshit elbasanas rrëfehet edhe për jetën e tij jashtë futbollit. Lakonik dhe i prerë në përgjigje, ndryshe nga sa bën në fushë ku mundohet të argëtojë me veprimet individuale, Abalora thotë se i pëlqen qetësia që ka gjetur në qytetin e Elbasanit, ndërsa nuk bën shumë gjëra përtej futbollit. Nofka e tij është “luani” dhe simpatizon ekipin e Realit të Madridit. Nuk e ka provuar ende bugaçen e Elbasanit, por është kurioz dhe shpreson që shokët t’ia tregojnë se çfarë është…

Razak, një përshtypje për futbollin shqiptar?

Mund të them se futbolli shqiptar ka një ligë e mirë, konkurruese. Di që po kënaqem duke luajtur këtu.

Sa i kënaqur jeni me paraqitjet tuaja me fanellën e Elbasanit deri në këtë moment?

Të them të drejtën, nuk jam i kënaqur me paraqitjet e mia. E di që mund të jap akoma më shumë nga performanca ime për Elbasanin.

A ishte me Dinamon nata juaj më e keqe në portë, apo ka pasur edhe më keq?

E vërtetë, ishte nata ime më e keqe. Nuk kam pësuar kurrë në jetën time pesë gola më herët. Gjithsesi, edhe kjo është pjesë e lojës së futbollit.

Do të gjejë Elbasani forca për t’u ringritur në vazhdim të kampionatit?

Patjetër. Në çfarëdo situatë të jemi, Elbasani gjithnjë do të ringrihet.

Si është një ditë për ju në Elbasan?

Ditët këtu në Elbasan po i kaloj këndshëm. Gjithçka është mirë për mua.

Çfarë ju pëlqen më shumë nga qyteti?

Qyteti është shumë i qetë dhe ka shumë paqe brenda tij. Kjo është diçka që më pëlqen më shumë

Çfarë ushqimi ju ka shijuar më shumë në Shqipëri nga ato që keni provuar?

Nuk kam provuar shumë gjëra deri tani dhe nuk di ç’të them (qesh).

Ende nuk ua kanë treguar shokët bugaçen e Elbasanit?

Jo, nuk e di. Por do t’i pyes dhe do ta provoj patjetër (qesh).

Cili është shoku më i mirë që keni në skuadër, ai që kaloni më shumë kohë?

Nuk kam ndonjë që mund të veçoj nga të tjerët për momentin. Ndoshta së shpejti.

Cili është ekipi yt i preferuar?

Reali i Madridit është ekipi që simpatizoj.

Cili është lojtari, apo njeriu, nga i cili frymëzohesh?

Babai im. Ai më ka frymëzuar shumë gjithmonë.

Cila është nofka juaj, nëse keni?

Luani.

Çfarë premtimi keni për tifozët e Elbasanit?

Do të japim gjithnjë maksimumin për t’i kënaqur dhe ata duhet ta mbështesin skuadrën deri në fund.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"