EKSKLUZIVE/ Administratori Çoku tregon emocionet pas 10 vitesh pritje: Final 4 dhe stadiumi plot, sfidat e Elbasanit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2024 | 20:15

EKSKLUZIVE/ Administratori Çoku tregon emocionet pas 10 vitesh pritje: Final 4 dhe stadiumi plot, sfidat e Elbasanit (E PLOTË)

Debutimin e AF El basanit në Superiore, skuadrës që e “krijoi” vetë para tri vitesh, duke marrë mbi supe një risk jo të vogël, e ka pritur jo me pak emocion edhe administratori i klubit, Marenglen Çoku.coku-elbasaniEmocionet fillimisht si tifoz dhe më pas si zyrtar i klubit, i rrëfen në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ku pohon se një barazim në Korçë është një rezultat pozitiv për verdheblutë. Çoku thekson se sfida e këtij edicioni për Elbasanin është sigurimi i “Final 4” dhe mbushja e stadiumit. Administratori bën të ditur se “dhuratat” në merkato nuk kanë përfunduar, ndërsa shpreson tek një fitore ndaj Teutës në shtëpi në ndeshjen e javës së dytë, që luhet të hënën.

Çoku, na tregoni pak emocionet e ndeshjes së parë në Superiore?

Emocionet i kam pasur të dyfishta, së pari si tifoz dhe më pas për pozicionin që kam. 10 vite pritje nuk janë pak për një qytet që njihet për lidhjen që ka me futbollin. Korça është një qytet që shquhet për mikpritjen dhe kam falënderime për këtë pjesë. Nga ana tjetër, tifozëria jonë ishte e shumtë në numër, duke bërë që të ndiheshim si në shtëpinë tonë.

Sa i kënaqur jeni me barazimin në Korçë?

Të jemi realistë, një pikë është një rezultat i mirë për skuadrën tonë. Kjo, duke marrë parasysh se vinim pas shumë vitesh në Superiore, luanim përballë një ekipi me traditë dhe të konsoliduar në elitë, që kampionatin e fundit ishte pjesë e “Final 4”. Megjithatë, unë personalisht dua t’i fitoj të gjitha (qesh), por siç e thashë, një barazim në këtë transfertë na bën mirë

Cila do të jetë sfida juaj këtë sezon në Superiore?

Ne e kemi shpalosur objektivin tonë që në fillim që synojmë “Final 4”, por normalisht çdo gjë do të shihet hap pas hapi. Me pak fjalë, duam të jemi në rangun e ekipeve që pretendojnë. Më pas, sfidë është edhe mbushja e stadiumit dhe besoj se kjo do të ndodhë. E patë edhe në Korçë që ishte ndeshja me më shumë tifozë në këtë javë të parë të kampionatit dhe ky trend shpresoj të vazhdojë në të gjitha ndeshjet e Elbasanit.

Keni bërë shumë investime në merkato, mendoni se do të bëjnë diferencën?

Ne për këtë arsye i kemi bërë investimet dhe kemi afruar lojtarët. Megjithatë, nuk është koha për të vënë në presion të panevojshëm lojtarët apo klubin. Jam i bindur se nga java në javë ekipi do të vijë në rritje dhe lojtarët e afruar do të tregojnë veten.

Keni ndonjë dhuratë të fundit për trajnerin?

E presim të paktën edhe një sulmues. Jemi në negociatat e fundit dhe shpresoj që 5 lojtarë brenda këtyre ditëve të zyrtarizojmë gjithçka dhe ta vendosim në dispozicion të ekipit.

Ndeshja e radhës me Teutën, çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Luajmë në shtëpinë tonë dhe bëhet fjalë për një rikthim në elitë pas 10 vitesh, ku pres mbi të gjitha të mbushen shkallët e stadiumit, duke qenë se luajmë në shtëpi. Sa i përket çështjes së rezultatit më pas, ne normalisht do luajmë për të fituar, siç do të bëjmë në çdo ndeshje. Të shpresojmë tek një fitore dhe një stadium i mbushur.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"