EKSKLUZIVE/ Agostineli zbërthen me diplomaci ultimatumin e Idrizit: Flamurtari i kalon kavajasit duke përsëritur… Vorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2024 | 8:58

EKSKLUZIVE/ Agostineli zbërthen me diplomaci ultimatumin e Idrizit: Flamurtari i kalon kavajasit duke përsëritur… Vorën

Andrea Agostineli ka një apel të qartë për të gjithë futbollistët e tij përpara Supersfidës me Besën. Trajneri italian u thotë qartë e prerë, që në fushën e lojës të tregojnë se kjo skuadër ka identitet.

AGOSTINELI

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Agostineli parashikon një takim të një vështirësie të lartë, teksa e krahason me ndeshjen që luajtën me Vorën në Vlorë. Nuk do t’i pëlqente aspak barazimi, por kërkon vetëm pikët e plota. Duke iu rikthyer ndeshjes me Lushnjën, pranon vuajtjet dhe se ishte një ditë jo e lehtë. Italiani komenton edhe deklaratat e Sinan Idrizit pas asaj ndeshje, të cilat i cilëson si një synim për të mbajtur “me këmbë në tokë” lojtarët dhe stafin teknik.

Agostineli, si e shikoni takimin me Besën dhe sa të vështirë e keni?

Ndeshja me Besën që luhet në transfertë, sigurisht që është një sfidë e vështirë, por unë shpresoj të bëhet më e vështirë për ta. Përballjen me Besën e mendoj një takim sikundër e luajtëm në Vlorë me Vorën. Patjetër një ndeshje e vështirë, pasi edhe kundërshtari ka objektivat e tij njësojë si ne. Ju e shikoni edhe vetë që kemi një garë të fortë mes tre ekipeve, Flamurtarit, Vorës dhe Besës.

Do të ishit i kënaqur edhe me një barazim me një rival të tillë?

Flamurtari me çdo ndeshje duhet të ketë identitetin e tij. E përsëris, që të gjitha ekipet kanë për detyrë të kërkojnë gjithmonë më të mirën. Atëherë nëse kundërshtarët janë më të mirë, do t’iu shtrëngojmë duart. Flamurtari hynë gjithmonë në fushë për të fituar dhe për të bërë më të mirën e tij.

Lushnja ju vendosi në vështirësi në ndeshjen e fundit, mbetet për t’u harruar apo…?

Me Lushnjën ishte një fitore siç ndodh shpesh në futboll, që zgjidhet në minutën e fundit. Ndonjëherë të vjen në favor, ndonjëherë të vjen në disfavor. Barazimi ishte një rezultat i drejtë. Është hera e parë që gjejmë një ekip që në na vendos në vështirësi. Për herë të parë them, se nuk e dominuam ndeshjen dhe që vuajtëm. Gjithsesi, me shumë rëndësi kishin tri pikët. Me eksperiencën që kam, e kuptova që ishte një ditë jo e mirë ajo. Në nxehje humbëm dy lojtarë të rëndësishëm si Pjeshkën dhe Bathën. Me eksperiencën që kam mendova se nuk ishte një ditë e lehtë.

Presidenti Idrizi u shpreh i pakënaqur nga mënyra e lojës me Lushnjën, por edhe nga zgjedhjet tuaja. Keni një reagim?

Jam njohur me deklaratën e presidentit Sinan Idrizi që kishte dhënë për “Panorama Sport”, pasi ma përkthyen. Unë mendoj se presidenti me deklaratën e tij do që t’i mbajë të gjithë me këmbë në tokë dhe t’i mbajë të gjithë të fokusuar. Të paktën kështu unë shpresoj dhe e kuptoj atë çfarë ai ka deklaruar.

Në Rrogozhinë ku luhet kjo ndeshje do të udhëtojnë edhe tifozë nga Vlora. Mendoni se do të jenë një mbështetje e rëndësishme?

Unë i falënderoj shumë tifozët dhe u jam mirënjohës për të gjithë mbështetjen e deritanishme. Ata janë shumë të rëndësishëm për ne. Me Lushnjën ndjeva një tifozeri që e shtyu ekipin në minutat e fundit. Ndaj, edhe në ndeshjen me Besën do të jetë shumë me rëndësi prezenca e tyre në stadium.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"