EKSKLUZIVE/ “Aleksi mungesë e rëndësishme, por besoj tek Ahmetaj”! Tetova: Fitojmë Kupën dhe largojmë presionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2024 | 9:00

EKSKLUZIVE/ “Aleksi mungesë e rëndësishme, por besoj tek Ahmetaj”! Tetova: Fitojmë Kupën dhe largojmë presionin

Për finalen e sotme me Kukësin dhe shortin e gjysmëfinaleve të “Final 4” ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.

TETOVA

Durrsaku u shpreh se skuadra e tij gëzon një formë të mirë dhe do të bëjë gjithçka për të mbrojtur trofeun e Kupës kundër verilindorëve, por edhe për të fituar titullin kampion në Superiore për herë të parë në histori. Egnatia, sipas trajnerit, nuk niset favorite sot në “Air Albania”. Ai ka pohuar se nuk ka presion në skuadër për ndeshjen e sotme.

Tetova, përballeni me Kukësin në finalen e Kupës. A ka presion nga fakti që niseni favoritë?

S’ka aspak presion në skuadër, pasi jemi ndërtuar për t’u shkuar deri në fund trofeve këtë sezon. Kemi treguar se dimë të fitojmë në Kupë dhe do të mundohemi t’i shfrytëzojmë mundësitë që kemi. Nuk e shikojmë veten favoritë, pasi finalja një ndeshje është dhe shanset janë të barabarta. Kukësi ka bërë mirë në Kupë dhe në javët e fundit ka luajtur mirë. Natyrisht, do të jetë e vështirë dhe jemi të përqendruar për të zhvilluar një ndeshje pozitive, duke shpresuar t’ia dalim në fund.

Si është gjendja e skuadrës para finales?

Fatmirësisht futbollistët gëzojnë një formë të mirë fizike. Me grupin janë bashkuar edhe Rama dhe Ibrahimoglu, të cilët kishin shqetësime. E vetmja mungesë e rëndësishme është Albano Aleksi, i cili është i pezulluar.

Sa do të ndikojë kjo mungesë, duke ditur eksperiencën e Aleksit?

Aleksi është një mungesë e rëndësishme për skuadrën tonë, pasi është një lojtar me vlera dhe eksperiencë. Megjithatë, besoj që Ahmetaj do ta zëvendësojë mjaft mirë, pasi ka treguar progres të jashtëzakonshëm. E shoh të motivuar në seancat stërvitore dhe besoj që do të bëjë maksimumin kundër Kukësit.

Shorti ju vendosi përballë Vllaznisë në gjysmëfinale të “Final 4”, sa i kënaqur jeni?

Do të luajmë me një rival, që jemi ndeshur jo pak këtë sezon. Vllaznia është një ekip solid, i ndërtuar për të fituar titullin, ashtu si dhe Egnatia. Nuk pata ndonjë preferencë dhe mund të them se shorti ishte i pritshëm. Uroj dhe shpresoj që në gjysmëfinale të fitojë skuadra më e mirë, ajo që do ta meritojë.

Sa shanse keni të shkoni në finale?

Mundësitë i kemi, sepse jemi skuadra që kemi udhëhequr dhe dominuar sezonin e rregullt. Skuadra është e qetë dhe i ka të gjitha mundësitë për të shkuar në finale, edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë. Duhet të fitojmë fillimisht Kupën, për të shkuar pa presion në takimin me Vllazninë. Do t’i marrin ndeshjet një e nga një dhe do të bëjmë gjithçka për titullin kampion.

Sot (dje) prekët nga afër trofeun e titullit, çfarë emocioni ishte për ju?

Ishte një moment mjaft emocionues, që e shijova shumë. Kemi punuar dhe po punojmë maksimalisht që ta fitojmë trofeun e titullit kampion këtë sezon.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"