EKSKLUZIVE/ “S’e prisja kreun kaq shpejt”, rrëfehet Aliji: Daja trajner pasionant, jeton me futbollin dhe na lodh për… (E PLOTË)
Festat e fundvitit janë më të bukura për dinamovitët, të cilët po i shijojnë si kampionë dimri të Superiores. Është vetëm një titull simbolik, që vlen më shumë për moralin, sepse në kampin blu e kanë të qartë se asgjë nuk vlen, nëse në fund nuk realizohen objektivat e titullit.
E ardhmja duket premtuese me atë çfarë po tregon në fushë skuadra e trajnerit Daja, ndërsa sipas drejtuesve të Dinamos, stafit dhe lojtarëve, ka ende vend për përmirësim. Naser Aliji, një titullar fiks në formacionin e kryeqytetasve, po i shërben skuadrës me eksperiencën e tij, duke luajtur si qendërmbrojtës.
Numëron 15 ndeshje deri tani, nuk ka marrë asnjë karton dhe është vërtet një shembull i mirë profesionisti për më të rinjtë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 30- vjeçari nga Kumanova flet për statusin e ri që ka fituar Dinamo në kampionat, “sekretet” e ekipit dhe trajnerit Ilir Daja, rivalitetin në Superiore dhe të ardhmen.
Naser, Dinamo nuk e nisi mirë sezonin, por u shpall kampione dimri. E kishe menduar këtë ndryshim dhe ngjitjen në krye?
Ndryshimin e kisha menduar, natyrisht, por të them të drejtën, nuk e prisja që të ngjiteshim në vend të parë të kampionatit kaq shpejt. Kemi pasur një ecuri të mirë, kemi marrë rezultatet e punës sonë dhe jemi të kënaqur kur shohim që jemi në krye të renditjes. Kisha besim, por siç e thashë, nuk mendoja se do të merrnim vendin e parë në një kohë kaq të shkurtër.
Si u bë e mundur kjo ngjitje kaq e shpejtë, sipas jush, çfarë faktorësh ndikuan?
Së pari nga puna e të gjithëve. Kemi punuar shumë këtë periudhë dhe besoj se kemi një skuadër mjaft të mirë, me lojtarë me kualitet. Mendimi im është se Dinamo ka një miksim shumë të mirë të lojtarëve me eksperiencë me më të rinjtë e talentuar. Grupi ka një atmosferë shumë pozitive, shoh që ata që janë të rinj janë shumë të fokusuar për të mësuar nga ne që jemi me eksperiencë. Pyesin, dëgjojnë dhe mësojnë. Besoj se është diçka e rëndësishme për skuadrën dhe e ndihmon të bëjë progres pas çdo ndeshjeje.
Jeni shndërruar në një mbrojtës qendre tashmë dhe duket sikur keni kohë që luani në këtë pozicion…
Ne jemi të gjithë futbollistë profesionistë dhe duam që të bëjmë sa më mirë atë që na kërkohet. Unë po luaj si mbrojtës qendre dhe për mua nuk ka asnjë problem. Jam i kënaqur që po i shërbej skuadrës aty ku ajo ka nevojë më shumë. Nuk ka rëndësi pozicioni në fushë, rëndësi ka që të arrijmë qëllimin si skuadër, duke bërë atë që na kërkon trajneri ynë.
Flitet shumë për ndikimin e trajnerit Daja në skuadër. Ju që keni punuar me shumë trajnerë në nivel klubesh apo dhe në Kombëtare, për çfarë do ta veçonit atë?
Do ta veçoja për faktin që ai nuk kënaqet asnjëherë dhe gjithmonë kërkon diçka më shumë nga ekipi, apo edhe nga ata lojtarë që janë më mirë. Ai është një trajner shumë pasionant, që jeton me futbollin çdo moment. Ne mundohemi ta ndjekim. Trajneri Daja na lodh në fakt, e kam fjalën për mirë, sepse ne kur dalim në fushë e dimë shumë mirë se çfarë kërkojmë dhe çfarë duhet të bëjmë.
Çfarë opinioni keni për nivelin e kampionatit pas 19 javësh dhe cila skuadër mendoni se do të rivalizojë më fort me Dinamon për kreun?
Kampionati besoj se ka një nivel të mirë, të gjitha skuadrat janë të forta dhe nuk mund të fitosh lehtë ndaj asnjërës. Unë do të thosha se Egnatia më është dukur kundërshtari më i fortë në kampionat, por të gjithë skuadrat, sidomos ato të 4-shes së parë, meritojnë respekt maksimal.
Sa beson realisht se në fund të këtij sezoni do të fitosh një trofe me fanellën e Dinamos?
Besoj se do të fitoj diçka, patjetër. Kjo është edhe arsyeja pse kam ardhur këtu, por nuk do të jetë e lehtë, sepse kemi parë që ka një garë vërtet të fortë. Dinamo besoj se do të përmirësohet më tej dhe ka shanse të mira për të fituar një trofe këtë sezon. Klubit dhe skuadrës nuk i mungon asgjë, me punë dhe profesionalizëm do të mundohemi të gjithë të arrijmë diçka këtë sezon.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"