EKSKLUZIVE/ Andi Hadroj drejt Ukrainës, Partizani bën gati shitjen. Ja prapaskenat me mbrojtësin e “demave” (E PLOTË)
Andi Hadroj mund të lërë Partizanin në muajin janar, kur edhe hapet dritarja e radhës e transferimeve. Pukjani prej kohësh është përfolur për kalimin në një ligë më të fortë, por duket se javët në vijim do të jenë vendimtare për të.“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime pranë klubit se Partizani është në negociata për shitjen e mbrojtësit me klubin ukrainas, Polisia Zhitomir. Aktualisht ka një dakordësi verbale mes dy klubeve dhe përfaqësisë së lojtarit dhe në vijim pritet që gjithçka të kalojë në kuadrin e marrëveshjes zyrtare.
PRAPASKENAT – Shifra e saktë e operacionit për momentin nuk bëhet e ditur, por ajo çka gazeta ka arritur të mësojë, në këtë rast klubi ka arsyetuar më së shumti mbi karrierën e lojtarit, sesa për të tentuar një shifër sa më të lartë. Hadroj pritet të shitet për një shifër prej afro 200-250 mijë eurosh, çka bën që Partizani të mbulojë gjithë shpenzimet e deritanishme të pagave, por edhe shifrës që klubi pati paguar te Bylisi për ta afruar. 25-vjeçari ka kontratë me klubin e kuq deri në vitin 2026, por aventura pritet të mbyllet më shpejt.
ECURIA – Hadroj zbarkoi te Partizani në janar të vitit 2022 nga Bylisi. Pukjani vinte me një profil të ulët, teksa në ato gjashtë muaj iu desh të luante si i majtë, pasi nga e djathta kishte bërë mirë Albion Marku. Gjithsesi, me potencën, zgjuarsinë dhe punën e tij, 25-vjeçari arriti të zërë një vend stabël në formacion dhe në sezonin 2022-2023 ishte një nga elementet kyç të ekipit në rrugën drejt titullit kampion. Katapultimin te Partizani, Hadroj e shfrytëzoi në maksimum, pasi përmes “Demave” sot është i grumbulluar në Kombëtare, si i vetmi lojtar aktual i Superiores.
HAPI I MADH – Vetë lojtari ka qenë gjithnjë në pritje të një transferimi të madh, pasi ndjente se kishte ardhur ky moment. Tashmë ai ka shansin ta tregojë veten në kampionatin ukrainas, ku kanë kaluar një sërë shqiptarësh në të shkuarën.
Nëse operacioni mbyllet, duhet thënë se Hadroj do të shkojë në një klub me pretendime për vendet e para të tabelës. Polisia ka një vlerë lojtarësh prej 22.45 milionë eurosh në merkato dhe renditet në vendin e katërt në kampionat, pas 12 javësh të luajtura. Është një klub i përbërë kryesisht nga lojtarë ukrainas, teksa nuk mungojnë as amerikanolatinët apo gjeorgjianët.
BOSHLLËKU – Në rast se ky operacion finalizohet, Hadroj do të linte një boshllëk jo të vogël te Partizani, me drejtuesit, që do të duhet të ndërhyjnë me patjetër në merkaton e janarit për të riparuar dëmet. Përveçse një lojtar cilësor, të kuqve pritet t’u largohet edhe një lider në fushë dhe jashtë saj.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"