EKSKLUZIVE/ Ardian Takaj mbledh skuadrën e Skënderbeut, zbulohet çfarë i tha presidenti stafit dhe lojtarëve (SITUATA)
Ndeshja e radhës në kampionat ndaj Teutës duket se ka marrë vlerësimin maksimal nga korçarët që kanë filluar menjëherë përgatitjet nga Durrësi për këtë takim. Ekipi nuk është kthyer në Korçë, por ka zgjedhur të shfrytëzojë në maksimum ço moment për të bërë përgatitjen e duhur për ndeshjen e radhës. Nisur nga fakti se kanë qenë në Tropikal, gjithçka ka nisur nga një kërkesë e presidentit Takaj që ka nisur gjithçka me një takim me ekipin dhe stafin e klubit bardhekuq.
Për presidentin dy humbjet e fundit, por më së shumti situata që ekipi ka në renditje nuk kanë krijuar një atmosferë të mirë në kampin bardhekuq ndaj edhe për këtë ka kërkuar reagimin e të tijve në ndeshjen e radhës. Numri një i klubit korçar i ka shprehur lojtarëve mbështetjen e tij duke i lënë të kuptohet se do të vijojnë të punojnë në një ambient të qetë, por nga ana tjetër ka kërkuar nga ta reagimin për ndeshjen e radhës me qëllim grumbullimin e pikëve që korçarëve u nevojitet për të qenë brenda objektivave.
“Jemi në një pozicion jo të mirë në renditje dhe për më tepër dy humbjet e fundit kanë krijuar një situatë të vështirë sa i përket objektivave të klubit dhe mbi të gjitha kërkesave që ka ky ekip. Ju duhet të jeni të qetë dhe për këtë keni mbështetjen time për të vijuar punën qetësisht me qëllim që të rikthejmë ekipin atje ku i takon dhe ku ka objektivat. Dua të shpreh mbështetjen time për këtë moment që po kalojmë ndaj punoni qetësisht pasi unë e di se cili është potenciali juaj. Le të lemë pas krahëve gjithçka që ka ndodhur në këto ndeshje dhe të përqendrohemi te ndeshja e radhës. Duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe të jemi të qetë për ndeshjen e radhës”, u tha veç të tjerash numri një i klubit Ardjan Takaj lojtarëve dhe stafit teknik.
SITUATA- Më tej gjithçka iu përkushtua përgatitjeve në fushë atje ku ekipi ka punuar gjatë për përmirësimin e manovrës sulmuese dhe kujdesit që duhet të tregojë gjatë tranzicionit negativ. Sigurisht që para ndeshjes me Teutën lajmet e mira që vijnë për trajnerin Ivan Gvozdenoviç janë rikthimi i sulmuesit kryesor Bismark, i cili pas pezullimit duket se ka lënë pas edhe problemet fizike dhe është gati për ndeshjen e radhës.
Nga ana tjetër ajo që mban në dilemë korçarët është gjendja e Albi Dokës. Ish-lojtari i Kombëtares ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që ka pësuar, teksa pritet që të ketë një provë në ditët në vijim. Gjithsesi, edhe nëse ia del të rikuperohet mendohet se nuk do ta nisë nga fillimi ndeshjen, por nga stoli në Durrës.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"