EKSKLUZIVE/ “Barazimi në Shijak është pengu i vetëm, Binishi drejtori i ri i klubit”, Bizhdili: Ky është sezoni i Besës
Ndryshe nga çdo sezon më parë, ku presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, ishte i hapur për median dhe prononcohej shpesh, në këtë edicion ka preferuar të qëndrojë larg medias. Kjo mënyrë sjellje, sipas njëshit të klubit kavajas, është zgjedhur për të lejuar që të flasë trajneri dhe futbollistët në fushë e lojës.
Në prononcimin e dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” Bizhdili bën një bilanc të fazës së parë të Besës, duke cilësuar barazimin në Shijak si pengun e vetëm në 11 javët e para. Skuadra kavajase Besa mbetet në korsinë e duhur dhe janari pritet që të sjellë të tjera surpriza lidhur me merkaton verdhezi. Në fakt, kjo nuk përbën çudi, pasi Bizhdili njihet për rikompozimet e vijueshme të skuadrës në çdo merkato dimri.
Si e vlerëson presidenti Bizhdili paraqitjen e Besës gjatë fazës së parë të kampionatit?
Sezoni ka nisur ndryshe që në fillim, ku punën dhe procesin stërvitor e nisëm më herët se vitet e tjera. Bëmë një merkato të mirë-studiuar duke afruar lojtarë me vlera dhe me përvojë në Superiore. Kjo na u shpërblye gjatë fazës së parë me lojëra dhe rezultatet që morëm. Kemi shënuar gola më shumë se kushdo, përjashto Flamurtarin, si dhe kemi pësuar vetëm 3 të tillë, edhe ata plotësisht të evitueshëm. Pengu im i vetëm mbetet barazimi në Shijak, aty ku rivalët tanë fituan të gjithë madje edhe Kukësi së fundmi.
Ndërkohë, ndaj Valbonës ju pamë të tensionuar në 15 minutat e fundit të takimit. A mund ta dimë arsyen?
E kam thënë hapur dhe publikisht, se në ndeshjen e parë në Tropojë ku fituam, u pritëm dhe respektuam, si dhe ndeshja ishte “fair-play”. Vërtetë një model se si duhet e mund të pranohet rezultati i një ndeshje futbolli. Kjo kërkonte nga ne, që Valbona, stafi dhe tifozët të respektoheshin po njësoj, por me dallimin se në fushë secili ka objektivat e veta. Lojtarët e mi, duke parë dominimin total në fushë, harruan se futbolli ka kapriçot e veta nëse nuk e respekton deri në fund. Prandaj u acarova, pasi ndeshja duhej e mund të mbyllej që pjesën e parë teknikisht. Të sillesh ashtu me rezultatin, kjo është e papranueshme.
Pavarësisht se ekipi ka shënuar 21 gola, ka shpërdoruar pothuaj gjysmën e tyre në raste flagrante. Keni ndonjë koment?
Fatkeqësisht, edhe pse kemi shënuar kaq shumë, mund e duhet të bënim më mirë, sidomos në disa takime si në Shijak, Lushnjë apo me Vorën. Prandaj e thashë më lart, se jam i kënaqur me treguesit si në 21 golat e shënuar edhe ato 3 të pësuar. Gjithsesi, kam në plan të ndërhyjë përsëri në merkato për të bërë disa përmirësime në grup. Çdo ekip ka nevojë për të korrigjuar diçka. Si fillim, po e nisim nga drejtori i ri i klubit, i cili do të jetë Nesti Binishi.
Së fundi, jeni i bindur se në fund të sezonit Besa do të rikthehet në Superiore pas 11 sezonesh mungesë?
Pse, gjithë ky investim që në start, gjithë kujdesi, ndihma dhe përkrahja nga bashkia është bërë për mbijetesë?(qesh) Nuk diskutohet, besoj fort dhe këtë do ta dëshmojmë javë pas jave se ky do të jetë sezoni ynë. Besa synon dhe beson se do të jetë një ndër dy ekipet e kreut në fund të kampionatit.
FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"