EKSKLUZIVE/ Bardheblutë nuk fitojnë që kur iku ai, “rikthehet” Redon Xhixha: Derbi është kthesa e Tiranës, ia dalin me tifozët (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2024 | 20:25

EKSKLUZIVE/ Bardheblutë nuk fitojnë që kur iku ai, “rikthehet” Redon Xhixha: Derbi është kthesa e Tiranës, ia dalin me tifozët (E PLOTË)

Redon Xhixha është lojtari i fundit që ka shënuar dy gola për Tiranën në derbi.xhixhaNjë dygolësh që përkon me fitoren e fundit të bardhebluve në sfidën me Partizanin dy vite më parë. Ish-sulmuesi bardheblu që luan te Karabak kthehet të flasë ekskluzivisht për “Panorama Sport” për atë ndeshje të madhe ku Tirana edhe pse humbi penallti, edhe pse ishte me dhjetë verë ia doli të fitonte. Bomberi i Tiranës në dy sezone analizoi bardheblutë, teksa tha se problemi i vetëm është mosnjohja e derbit, pasi skuadra është e re. Xhixha po kështu, foli edhe për aventurën e tij në Azerbajxhan.

Redon, si po shkon këtë vit në Azerbajxhan? E keni nisur sezonin me gol…

Po e nisa sezonin me gol në kampionat, por dhe në Champions League. Shënova, por aventura këtu nuk po shkon dhe aq mirë, sepse nuk po marr minuta.

Duhet të themi se gjithsesi, jeni shumë i suksesshëm. Tri vite rresht kampion, kjo si me Tiranën dhe Karabakun?

Po është e vërtet që 3 vite jam shpallur rresht kampion, si me Tiranën edhe me Karabakun. Dhe është një emocion i bukur të jesh çdo vit kampion.

A e keni parë kampionatin shqiptar? Çfarë mendimi ke për këtë sezon futbollistik?

Kampionatin shqiptar e kam parë ose shumicën e ndeshjeve. Dhe me aq sa kam parë unë do të jetë një kampionat i fortë dhe shumë i bukur në vazhdim.

Po për Tiranën çfarë mendimi keni? A e keni parë në këto pesë javë që nuk ka fituar?

Tirana ka një ekip të ri. Ka ndryshuar totalisht grupin dhe janë komplet lojtarë të rinj, por që deri tani kanë bërë mirë dhe janë në rrugën e duhur.

Tirana ndryshoi gjithë skuadrën, nuk po luan keq, por nuk fiton. Ku mendoni se është problemi?

Po me të vërtetë po luan bukur dhe nuk fiton, por siç e thashë ka pothuajse gjithë ekipin me lojtarë të rinj. Mendoj që ju mungon eksperienca në fushë.

Tirana ka dy vite që nuk fiton në derbi. Herën e fundit që fitonte skuadra bardheblu, derbi ishte në shenjën e Xhixhës. Si e kujton atë sfidë?

Të them drejtën kur e kujtoj atë sfidë, akoma emocionohem për mënyrën se si filloi dhe si mbaroi ndeshja. Me penallti të humbur nga unë, pastaj karton i kuq kundër nesh dhe pastaj golat e mi që mund të veçoj golin e dytë me sprintin nga porta në portë. Nga ana tjetër më vjen keq, sepse është fitorja e fundit e Tiranës në derbi dhe është bërë 2 vite që nga ajo ndeshje.

Si e parashikoni këtë Tirana-Partizani që luhet ditën e shtunë në “Air Albania”?

Rezultat të saktë nuk di të them. Uroj të fitojë Tirana dhe të festojnë bashkë me tifozët.

Mendon se në derbi do të ndikojë fakti që ka shumë lojtarë të rinj e luajnë derbin?

Që ka lojtarë të rinj ndikon. Edhe fakti se do e kenë për herë të parë derbin. Ama derbi është derbi dhe shpresoj që lojtaret ta dinë dhe ta kuptojnë çfarë rëndësie ka fitorja për tifozët dhe për ata personalisht.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"