EKSKLUZIVE/ “Bardhebluve u mungon eksperienca”, Abazaj në prag të derbit: Pengu im te Tirana, ja si mund të thyhen “demat” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2024 | 23:12

EKSKLUZIVE/ “Bardhebluve u mungon eksperienca”, Abazaj në prag të derbit: Pengu im te Tirana, ja si mund të thyhen “demat” (E PLOTË)

Kristal Abazaj do që të fitojë Tirana në derbi, por sipas tij të kuqtë kanë një avantazh, eksperiencën. Ish-sulmuesi i bardhebluve, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, flet për sfidën me të kuqtë.

abazaj

Mënyrën sesi bardheblutë po luajnë. Cilat janë pikat e dobëta dhe të forta të kombëtares. Në fund, ai tregon se cila është mënyra që mund të fitohet derbi, një nga pengjet më të mëdha të tij në “epokën” bardheblu.

Abazaj ke nisur një aventurë të re, por ke pasur probleme fizike nëse nuk gabohem. Si jeni tani?
Në fakt, nuk kam pasur probleme fizike, por kam bërë një ndërhyrje kirurgjikale. Kam operuar shpatullën, pasi u dëmtova në ndeshjen e parë të kampionatit.

Gjatë kësaj kohe, a e keni parë kampionatin shqiptar? Çfarë mendimi ke për Superioren?
Të them të drejtën nuk është se e kam ndjekur shumë, pasi jam marrë më shumë me rikuperimin, por mund të them që gara për “Final 4” është shumë e fortë, pasi Elbasani dhe Dinamo do të jenë një “kockë e fortë”.

Për Tiranën çfarë mendimi ke?
Ndryshoi gjithë skuadrën, nuk po luan keq, por nuk fiton. Ku mendoni se është problemi? Tirana është Tirana. Ekipi më i madh në Shqipëri me tifozët më të mirë, gjë që e bën edhe më të madh si klub. Pavarësisht se presioni është shumë i madh, mund të them që për disa lojtarë kjo gjë nuk është e mirë, pasi nuk mund të dalin në lojën e tyre. Keq nuk po luajnë. Realisht po luajnë mirë me dëshirë, që vrapojnë. Aty ka lojtarë me eksperiencë të madhe siç është Mici, gjë që të rinjtë mund të mësojnë shumë nga ai. E shoh eksperiencën një problem dhe lojtarët e rinj duan pak kohë që të kuptojnë dhe të përshtaten. E përgëzoj Shkëmbin për punën e mirë që po bën, duke i marrë maksimumin një grupi të tillë lojtarësh.

Vjet shënove në derbi, por nuk ia dolët të fitonit. Si e kujtoni atë sfidë?

Normalisht që goli në derbi është një ndjesi tjetër. Kjo nuk do shumë mend. U kisha shënuar të gjitha ekipeve në kampionatin shqiptar. Edhe kur kam qenë pjesë e skuadrave të tjera, kur kam luajtur kundër Tiranës i kisha shënuar. Nga ana tjetër, ndjesia dhe emocioni i veçantë, dhe këtë e them pa pikë dyshimi është goli në derbi. Diçka shumë e bukur, por edhe pse shënova në derbi nuk arrita të fitoja. Nga e shkuara ime te Tirana kam disa pengje, por ajo aventurë i përket të shkuarës dhe në të ardhmen nuk i dihet kurrë. Erdha me objektivin te Tirana për të dalë kampion, por nuk ia arrita. Ama sezonin që u mbyll në maj 2023 ne ishim kampionët e vërtetë, pavarësisht sesi shkuan gjërat. Siç e thashë, kam shumë pengje, por futbolli i ka këto. Nga ana tjetër, futbolli të jep ndoshta edhe një shans të dytë. Ndoshta ndodh…

Ju e keni luajtur disa herë derbin. Si e parashikoni këtë Tirana-Partizani?

Tirana-Partizani është një ndeshje e madhe, vitrina e futbollit shqiptar. Padyshim ndeshja më e bukur, për shkak edhe të tifozëve dhe atmosferës që krijojnë në shkallët e stadiumit. Shpresoj shumë që Tirana ta fitojë takimin. Dua që tifozët e Tiranës të jenë të lumtur në fund të takimit. E meritojnë, pasi atmosfera që ata krijojnë është fantastike dhe jo çdo lloj tifozërie e bën e duhen komplimentuar. Nga ana tjetër nuk e shoh sfidë të lehtë, pasi edhe Partizani ka një skuadër shumë të fortë, me lojtarë mjaft të mirë. Me lojtarë të talentuar, që e njohin mirë kampionatin shqiptar dhe atmosferën e derbit. Ky është një fakt që mund t’i ndihmojë, por siç e thashë, Tirana ka shanset e veta. Ka djem të rinj, ka katër-pesë lojtarë të cilët kanë eksperiencë dhe e njohin atmosferën e derbit. Shpresoj që këta 4-5 lojtarë t’ua shpjegojnë edhe shokëve të tyre sesi është derbi. Të rinjtë nuk kanë faj se nuk e njohin ambientin, por duhet të jenë të vjetrit që t’ua rrëfejnë derbin. Dua shumë që Tirana të bëjë një ndeshje të madhe dhe ta fitojë derbin.

Ndikon fakti që ka shumë lojtarë të rinj, të cilët e luajnë për herë të parë derbin?

Do të ndikojë te Tirana, sepse ka lojtarë të rinj. Ndoshta për formulën që përdor Tirana për të aktivizuar të rinj dhe për t’i shitur. Bardheblutë janë ekip me emër dhe shesin lojtarë. Një plus për Partizanin që ka lojtarë me eksperiencë në këtë ndeshje, që mund ta menaxhojnë, por ndeshjeve nuk i dihet. Shpresoj që djemtë e rinj të Tiranës, të bëjnë një ndeshje të madhe, pasi ka lojtarë që janë shumë të talentuar. Ata mund të bëjnë diferencën, duke dhënë maksimumin. Nëse fitojnë është një vitrinë e madhe për ta dhe karrierën e tyre.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"