EKSKLUZIVE/ Basketboll, Avni Ponari kundër anulimit të aktiviteteve: Ja si do ta përfundojmë sezonin…
Si të gjitha aktivitet sportive në vend, edhe basketbolli ka ndalur për shkak të pandemisë me koronavirusin. Lidhur me këtë situatë të vështirë, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me Avni Ponarin, presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Kreu i sportit të koshit shprehu vullnetin e tij për t’i përfunduar aktivitetet e ndërprera, ndryshe nga Kosova që vendosi për anulimin e tyre. Ponari gjithashtu komentoi edhe vendimin e qeverisë për të mos e përfshirë sportin në paketën e ndihmës, ndërsa ka një apel edhe për të gjitha klubet dhe shoqatat sportive.
Z.Ponari çfarë do të bëhet me sezonin 2019-2020?
Pavarësisht se disa federata e kanë anuluar të gjithë aktivitetin e basketbollit për sezonin 2019-2020, përfshirë këtu edhe Kosovën, ne po mendojmë që t’i përfundojmë kampionatet.
Çfarë zgjidhjesh keni menduar për ti shkuar deri në fund kompeticioneve?
Kemi menduar t’i organizojmë me grupim aktivitetet, kuptohet nëse situata do të ndryshojë. Ndoshta diku rreth fundit të majit, apo fillimit të qershorit të kemi grumbullime javore, ku të zhvillohen edhe ndeshjet e prapambetura, por edhe takimet ‘play-off’.
Kryeministri ka thënë që sporti nuk do të përfshihet në paketë e ndihmës së qeverisë. Si do ta komentoni këtë vendim?
Basketbolli është sporti i dytë në Shqipëri dhe është mëse e domosdoshme mbështetja. Ajo që ne i kemi kërkuar shtetit është që të bëjë ligjin e sponsorizimit. Kjo është mbështetja që ne duam nga qeveria. Detyrimi i shtetit është që të bëjë ligjet, strukturat dhe hapësirat për mundësitë e investimeve. Ne vetëm këtë gjë po kërkojmë, asgjë tjetër.
A ka ndonjë plan apo strategji për tu ardhur në ndihmë klubeve?
Ne ende nuk kemi marrë fondin grant për vitin 2020 dhe po presim marrjen e këtij buxheti. Të shikojmë sa dhe si do të jetë ky grant dhe më tej do të flasim për mbështetje apo për lëvizje, të cilat do të bëhen të gjitha në bashkëpunim me shoqatat e basketbollit.
Cili është apeli juaj për klubet dhe shoqatat?
Aktualisht, ne po vazhdojmë të mbajmë lidhje dhe kontakte si me FIBA-an, ashtu eshe me shoqatat sportive të basketbollit. Po i mbajmë të gjitha shoqatat të informuara për ndryshimet që kanë ndodhur në arbitrim dhe në zhvillimin e ndeshjeve, pasi janë futur 2-3 risi së fundmi. Ndërkohë, duke qenë se janë në një periudhë pritje, klubeve dhe shoqatave të basketbollit do t’u thosha që t’i shikojnë me shumë kujdes ndryshimet statutore që u kemi dërguar, pasi bëhet fjalë për kushtetutën e sportit. Shpresojmë që vitin e arshshëm, kur të rifillojnë normalisht garat, t’i kemi miratuar këto ndryshime në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ta shfrytëzojmë këtë kohë karantine për të diskutuar dhe komentuar me njëri-tjetrin, në mënyrë që të kemi një statut sa më të saktë nga ana ligjore.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"