EKSKLUZIVE/ Bitri: Largimet kanë ndikim, por Partizani mbetet ekip i fortë. Ja kush duhet të bëhet lideri i skuadrës (E PLOTË)
Eneo Bitri është një nga lojtarët e paktë që janë larguar nga Partizani në vitet e fundit dhe po shkëlqejnë në arena më të mëdha të futbollit.
Ish-kapiteni i të kuqve aktualisht luan në Hungari me ETO Giori, ku po bën shumë mirë dhe duket se është drejt një hapi më të madh në karrierë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bitri flet për veten, por edhe analizon ndryshimet te Partizani. Ai shprehet se të kuqtë mbeten favoritë për titullin.
Si po ju shkon aventura në Hungari?
A jeni ambientuar shpejt me futbollin atje? Deri më tani, duke lënë mënjanë modestinë, mund të them se kam bërë një sezon fantastik. Nuk e kam pritur kaq mirë të them të drejtën. Kam shënuar katër gola dhe kam dhuruar edhe një asist. Mendoj se deri më tani kam bërë një nga sezonet e mia më të mira.
Keni luajtur në disa vende jashtë, ku jeni ndier më mirë?
Është e vërtetë kam luajtur në katër vende të ndryshme, por mund të them se më mirë jam ndier në Çeki (Banik Ostrava). Atje i gjithë stafi dhe ekipi më kanë mbështetur. Çunat që në ditën e parë më kanë afruar dhe jam ndier si në Shqipëri, si në shtëpinë time. Por edhe këtu në Hungari po ndihem mirë, jam ambientuar shpejt me këdo.
E keni ndjekur Partizanin, si ju është dukur në gjysmën e parë të sezonit?
E kam ndjekur me sa kam mundur. Mund të them se ekipi ka bërë mjaft mirë dhe shpresoj ta ruajë këtë ritëm deri në fund, përse jo edhe të dalë kampion. Ata i kanë të gjitha kualitetet për tu shpallur kampion në këtë sezon.
Sa mendoni se do të ndikojnë largimet e rëndësishme të Carës, Rrapajt, Hadrojt dhe Mbasë?
Normalisht, mund të ketë ndikim, sepse janë larguar lojtarët kryesorë në mesin e sezonit dhe për të rinjtë duhet pak kohë që të afrohen dhe të japin atë çka djemtë e ikur kanë dhënë për skuadrën. Por nuk besoj se Partizani do të ketë probleme. Para dy vitesh në të njëjtën periudhë jam larguar edhe unë e Skuka, por në fund skuadra u shpall kampion. Fakti është ky dhe nuk besoj se mund të ketë ndikim të madh te Partizani largimi i lojtarëve, kushdo qofshin ata.
Kush mendoni se mund të bëjë liderin e këtij Partizani?
E theksoj sërish se Partizani duhet t’i besojë një lojtari si Preka. Unë e kam pëlqyer që në momentin e parë që na është bashkuar te Partizani. Jam përpjekur ta ndihmoj dhe mund të them se ai mund të jetë lideri i ri i ekipit, duhet ta shfrytëzojë në maksimum këtë gjë, sepse është përgjegjësi e madhe. I uroj fat që të ketë një karrierë sa më të gjatë dhe sa më të suksesshme!
Cilat ekipe shihni si rivalët kryesorë të të kuqve?
Këtë vit është shtuar edhe Dinamo. Shoh blutë, Egnatian, Vllazninë dhe Partizanin si rivalët kryesorë që do të luftojnë “dhëmb për dhëmb” për titullin. Pres të jetë një garë katërshe shumë e fortë dhe e ngjeshur deri në ndeshjet e fundit.
Ku mendoni se duhet forcuar skuadra në merkaton e janarit?
Nuk e di, sepse nuk jam në brendësi dhe nuk mund të përcaktoj hollësisht ku ata kanë nevojë për tu forcuar, por besoj se drejtuesit e dinë mirë. Duhet të shtojnë forcat aty ku ata ndihen më të dobët dhe të ndërtojnë një skuadër për nivelet ku i takon.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"