EKSKLUZIVE/ Blutë hapin dyert e shtëpisë së re, Bardhi: Sakrifica ime, bashkëpunimi me Mançester Sitin është fati ynë i madh
Më në fund, Dinamo do të hapë sot dyert e shtëpisë së saj të re kompleksit stërvitor dhe selisë së klubit në Arbanë. Do të jenë ekipet e moshave që do të përurojnë të parët fushën e re me bar sintetik të këtij kompleksi, për të cilën specialistët janë shprehur se është më e mira në Shqipëri.
Më pas, ndoshta në mesjavë, në shtëpinë e re do të stërvitet edhe skuadra e parë, pasi po kryhen edhe punimet e fundit që kishin mbetur. Është një investim i madh i presidentit Adrian Bardhi, me ndihmën e FSHF-së. Me projektin e ri që te Dinamo ka nisur të marrë jetë tashmë, atë të futjes në rrjetin e Mançester Sitit, akademia blu do të ketë përparësi. Interesimi për të qenë pjesë e saj ka qenë shumë i madh që në ditët e para dhe tashmë stafeve teknike u duhet të bëjnë seleksionime.
“Ju gjithmonë pyesni vetëm për skuadrën e parë, për lojtarët që vijnë dhe ikin, por për mua më e rëndësishme ka qenë dhe është shtëpia e Dinamos. Tani kemi gati fushat në Arbanë dhe për këtë jam shumë i lumtur. Realizimi i këtij kompleksi është sakrifica ime, me ndihmën e FSHF-së, që dua ta falënderoj për kontributin. E kam thënë shpesh kohët e fundit se tashmë ka nisur një epokë e re dhe vazhdoj të theksoj se bashkëpunimi me Mançester Sitin është fati ynë i madh. Tani kemi edhe shtëpinë tonë gati dhe kjo do të na ndihmojë shumë”, ka thënë për “Panorama Sport” presidenti i bluve.
Ai ka qenë mjaft i angazhuar që kur mori drejtimin e Dinamos për ta bërë atë me shtëpi të re, pasi ky klub kishte mbetur vërtet jetim që pasi e hoqën nga kompleksi i tij afër Liqenit Artificial dhe hodhën në rrugë. Kompleksi i Arbanës është një gur i fortë themeli në projektimin e Dinamos së ardhshme, që pritet të kthehet fuqishëm në majat e futbollit shqiptar.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"