EKSKLUZIVE/ Bregu rrëfen momentin e penalltisë: Isha i qetë, e dija që do t’i ktheja pikët e Ballshit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2024 | 22:12

EKSKLUZIVE/ Bregu rrëfen momentin e penalltisë: Isha i qetë, e dija që do t’i ktheja pikët e Ballshit (E PLOTË)

Dejvi Bregu largon “hijet” e javës së kaluar dhe për këtë i nevojitet një tjetër penallti në fund, tanimë për t’i dhënë 3 pikët e para Dinamos.

FOTO: P. Pashollari

FOTO: P. Pashollari

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, 28-vjeçari pohon se ishte i qetë dhe se do të merrte përgjegjësi të kësaj natyre sa herë të jetë nevoja. Bregu e sheh këtë fitore si një lirim për gjithë skuadrën. Vlonjati shpreson te një fitore në derbi me Partizanin pas pushimeve të ndeshjeve të Kombëtares, ku pse jo shpreson të jetë sërish vendimtar.

Bregu, si e përjetove momentin e penalltisë, duke parë se çfarë ndodhi një javë më parë me Bylisin?

Të them të drejtën, isha i qetë, sepse nuk bëhej fjalë për penalltinë e parë që merrja përsipër. Duke parë edhe eksperiencën apo moshën që kam, e dija që do të vinte prapë momenti që ato tri pikë të humbura nga mua, duke marrë përgjegjësinë javën e kaluar, t’ia ktheja përsëri ekipit. Pavarësisht se ne humbim dhe fitojmë të gjithë bashkë. I rëndësishëm është trepikëshi dhe tani kemi dy javë kohë për të punuar për ndeshjen e radhës.

Sa besim kishit që mund të fitonit me 10 lojtarë?

Kur luan me 10 lojtarë normalisht që është e vështirë, pasi Elbasani ka entuziazëm, ekip të mirë, me lojtarë me eksperiencë. Luanim në një ambient, ku e dinim që tifozët e tyre ishin më të shumtë në numër. Por, po nuk besove, është e kotë të futesh në fushë dhe ne besuam.

Sa i rëndësishëm ishte ky trepikësh në këto momente?

Ishte shumë i rëndësishëm pas dy rezultateve që nuk i prisnim, sepse për mendimin tim këtë kampionat diferencat janë shumë të vogla dhe ekipet janë aty–aty. Ishte një lirim për të gjithë skuadrën dhe tani jemi më të qetë, të shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Deri ku mund të shkojë kjo Dinamo?

Është herët, por Dinamo i ka të gjitha mundësitë këtë sezon të luftojë në të dy frontet. Prandaj kemi ardhur, ta ngremë Dinamon aty ku ka qenë, ekipi 18 herë kampion. Synimi është të luajmë në të dyja frontet.

Pas pushimit nga ndeshjet e Kombëtares luani derbin me Partizanin, si e prisni?

Derbi është një ndeshje shumë e rëndësishme, janë tri pikët në lojë. Partizani dihet që është një ndër ekipet më të mira shqiptare, por do e përgatisim qetë ndeshjen. Luajmë ndaj një kundërshtari që meriton respekt, por në fushë futemi si të barabartë. Kemi respekt ndaj tyre dhe asnjëherë frikë.

Prisni ndonjë gol ndaj Partizanit, pse jo me penallti?

Të them të drejtën, unë pres gol. Goli është gol, si me penallti ose jo. Pavarësisht kësaj, dua të shënoj jo vetëm me penallti, pasi penalltitë me pakicë i kam. Por, pse jo, nëse i shërbejnë ekipit për pikë, dua t’i ndihmoj qoftë me aftësitë që kam, qoftë edhe me gol.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"