EKSKLUZIVE/ Bruno Dita: Dinamo reagon në Korçë, shohim vetëm për lart! Besojmë fort te çdo lojtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2024 | 22:50

EKSKLUZIVE/ Bruno Dita: Dinamo reagon në Korçë, shohim vetëm për lart! Besojmë fort te çdo lojtar

Humbja në derbin me Partizanin, që ndërpreu serinë e rezultateve pozitive të Dinamos, vazhdon të jetë një lloj “pengu” në kampin blu.

dita

Të gjithë e kanë konsideruar të pamerituar atë humbje, duke iu referuar atë që bëri skuadra në fushë. Kështu mendon edhe kapiteni Bruno Dita, një nga lojtarët me më shumë eksperiencë të 18 herë kampionëve të vendit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori 31-vjeçar që po luan më shumë në mbrojtje thekson se të shtunën Dinamo duhet të kthehet te fitorja për të përforcuar më shumë pozitat e saj na tabelë. Dita e njeh shumë mirë ambientin në Korçë, pasi ka luajtur aty 3 sezone, por përtej respektit për qytetin dhe kampin kundërshtar, ai kërkon suksesin blu.

Bruno, si e gjen Dinamon ky rifillim i kampionatit. Ishit në një nivel të mirë loje para ndërprerjes?
Këtë periudhë dyjavore kemi punuar shumë, kemi marrë ngarkesa të larta dhe mendoj se jemi në gjendje të mirë para ndeshjes me Skënderbeun në Korçë. Po, është e vërtetë që po kalonim një moment të mirë para ndërprerjes së kampionatit, pavarësisht asaj humbjeje me Partizanin, që për mua ishte e pamerituar, duke ditur si rrodhi loja. Por jemi mundur të punojmë sa më mirë, sepse ka ende gjëra për të përmirësuar.

Shkoni në Korçë të shtunën, në një ambient që ju e njihni shumë mirë. Çfarë ndeshje pret?
Do të jetë e vështirë, si çdo ndeshje e këtij kampionati, por na duhet të reagojmë dhe do të synojmë fitoren që të rikthehemi në rrugën që kishim nisur. Në Korçë është gjithmonë kënaqësi të luash, ka një ambient shumë të mirë, që e kam provuar, pasi kam luajtur aty. Kjo është pozitive për një ndeshje, që e parashikoj shumë të fortë në fushë. Ne do të luajmë vetëm për fitore.

Te Skënderbeu mund të ketë më shumë presion për pikët në këtë moment…
Nuk e shohim këtë pjesë. Ne po mundohemi ta përgatisim ndeshjen sa më mirë, me qëllimin që të marrim pikët maksimale.

Shumë mungesa ndërkohë para kësaj sfide, ku veç Bregut është shtuar edhe Aliji. Sa ua vështirësojnë punën?
Po, kemi mungesa dhe për më tepër kur bëhet fjalë për titullarë, siç janë Bregu dhe Aliji, të cilët ishin edhe në një formë të mirë. Por Dinamo ka një skuadër të kompletuar dhe besoj se ata që do t’i zëvendësojnë do të na ndihmojnë për të arritur qëllimin. Kemi lojtarë të mirë, edhe ata që futen nga stoli japin kontributin e tyre për të mirën e skuadrës. Shpresojmë që të mos kemi më kaq shumë mungesa si tani, sepse kemi nevojë për të gjithë.

Ka një ngjeshje të ndeshjeve tani në fund të vitit. Ku e sheh Dinamon pas 6 ndeshjeve të mbetura të 2024-ës?
Nuk mund ta them këtë gjë, çdo gjë varet nga ajo çfarë do të jemi në gjendje të japim në fushë. Nuk mund të them se do të marrim pikë të plota, do na duhet shumë punë dhe sakrificë për të grumbulluar sa më shumë pikë që të jemi sa më stabël në renditje.

Këto 13 javë kanë treguar rivalitet të fortë për “Final 4”. Si një lojtar më shumë eksperiencë, si e shihni këtë garë dhe pozicionin e Dinamos në fund?
Rivaliteti besoj se do të jetë i tillë deri në fund. Skuadrat janë aty-aty, nuk kemi parë në këto ndeshje një rival më të fortë, apo që të na dominojë. Të gjithë duan të shkojnë në “Final 4”. Personalisht kam bindjen se Dinamo do të jetë në 4-she, pastaj do të shohim. Kemi forcë si skuadër dhe nuk na mungon asgjë nga presidenca e klubi. Nuk do të jetë e lehtë, në futboll asnjëherë nuk i dihet, por duke punuar fort të gjithë bashkë do të arrijmë ta çojmë Dinamon në vendin që meriton.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"