EKSKLUZIVE/ Bruno Telushi largohet nga Elbasani, priten spastrime të tjera. Ja situata e verdhebluve
Elbasani e mbyll me Bruno Telushin. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime të besueshme në klub se palët kanë arritur të gjejnë konsensusin për mbylljen me marrëveshje të kontratës. Vlonjati vuajti shumë nga dëmtimet këtë edicion futbollistik me verdheblutë, duke mos pasur mundësinë të jepte kontributin e tij për skuadrën dhe më të shumtën e kohës qëndroi në tribunë.
34-vjeçari u aktivizua në vetëm shtatë takime këtë sezon me elbasanasit, me 326 minuta në këmbët e tij. Si një ndër ekspertët e futbollit shqiptar, verdheblutë shpresuan shumë tek eksperienca e tij, ndaj bënë të pamundurën që ta afronin që sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë. Mirëpo, dëmtimet këtë vit ia prishën planet, ku mendohej se vlonjati do të ishte pika referuese në qendrën e mbrojtjes, së bashku me kapitenin Bruno Lulaj.
Në këtë mënyrë, pas prishjes së kontratës me mesfushorin Ardit Hila pak ditë më parë, vjen edhe largimi i dytë me peshë nga elbasanasit.
LARGIME TË TJERA – Këtë pjesë të parë të sezonit jo të gjithë kanë qenë brenda pritshmërive të klubit dhe kanë dhënë atë që pritej, ndaj priten largime të tjera. Burimet në klub pohojnë se janë duke diskutuar për të prishur me konsensus marrëveshjen edhe me dy futbollistë të tjerë, por pa bërë të ditur emrat. Në fakt, diçka e tillë deri-diku edhe pritej dhe drejtuesit në Elbasan kanë nisur të lëvizin shumë shpejt në këtë aspekt, në mënyrë që t’i hapin rrugë edhe afrimeve të reja. Mësohet se brenda këtij viti të kuptohet njëherë e mirë edhe se cilët do të qëndrojnë në skuadrën e drejtuar tanimë nga Ivan Gvozdenoviç për pjesën e mbetur të këtij sezoni.
AFRIMET – Pasi të kenë mbaruar punë me largimet, për klubin nis një tjetër detyrë edhe më e vështirë përpara. Bëhet fjalë për afrimet. Largimet e Telushit dhe Hilës kanë lënë një gropë në repartet e mbrojtës dhe mesit të fushës dhe këto do të jenë dy synimet kryesore, për t’i zëvendësuar denjësisht.
Për momentin mësohet se klubi është në fazë bisedimesh me disa lojtarë që plotësojnë karakteristikat për të qenë pjesë e verdhebluve dhe synimi është që t’ia bashkojnë sa më parë Gvozdenoviçit në stërvitje. Kampionati nis shumë shpejt dhe verdheblutë nuk kanë shumë kohë për të humbur apo pritur.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"