EKSKLUZIVE/ “Dalim me kokën lart nga stadiumi i Shkodrës”, Vuthaj: Me Egnatian fitoj trofe, sot do të jem ultras i saj (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2024 | 18:10

EKSKLUZIVE/ “Dalim me kokën lart nga stadiumi i Shkodrës”, Vuthaj: Me Egnatian fitoj trofe, sot do të jem ultras i saj (E PLOTË)

Nga Egnatia ka pasur gjatë kësaj periudhe jo pak lëvizje lojtarësh, të larguar në kampionate të huaja dhe po ashtu disa të tjerë që janë bërë pjesë e rrogozhinasve.VUTHAJBlerja më e re e kampionëve të Shqipërisë është Dardan Vuthaj, i cili rikthehet në vendin tonë pas një aventure të gjatë në kategoritë inferiore në futbollin italian. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Vuthaj shprehet se firmosi për Egnatian, pasi u bind nga projekti i këtij klubi. Sulmuesi ka theksuar se skuadra e tij e re do t’ia dalë të kualifikohet për në turin e tretë në Ligën e Konferencës.

Vuthaj, çfarë ju bindi të zgjidhnit Egnatian dhe si ndiheni pas seancave të para stërvitore?
Jam i lumtur që ndodhem këtu, pasi do të kem fatin të luaj me ekipin kampion të Shqipërisë. Egnatia ka treguar vitet e fundit se është një skuadër që mund të bëjë historinë në futbollin shqiptar. U binda nga projekti që presidenti dhe drejtori i klubit më prezantuan. Pastaj këtu kam shumë futbollistë, me të cilët kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Seanca e parë stërvitore shkoi shumë mirë, më pritën shumë miqësisht dhe vura re ekipi ka kualitete.

Përpara është ndeshja e kthimit në Vikingurin në Ligën e Konferencës. Sa shanse ka skuadra për të kaluar për më tej?
E kam parë ndeshjen e parë dhe ishte një ekuilibër total mes dy ekipeve në fushë. Trajneri dhe skuadra duken të qetë dhe po punohet me detaje për të marrë masat për këtë duel shumë të rëndësishëm për objektivat tona. Do të jem në stadium si ultras për t’i mbështetur shokët e mi, për të dalë me kokën lart nga stadiumi “Loro Boriçi”.

Çfarë synoni të arrini me fanellën e Egnatias në aspektin personal?
Kam ardhur këtu për të fituar trofe dhe për të qenë pjesë e rrugëtimit të klubit drejt majave të futbollit shqiptar. Do të sakrifikoj në fushë për të shpërblyer besimin e klubit me gola dhe asiste. Jam mirë fizikisht dhe me këto kualitete që ekipi ka në përbërje, do të kem motive për të lënë gjurmë këtë sezon.

Keni shënuar rregullisht në futbollin italian, çfarë i premtoni tifozërisë rrogozhinase?
Jam i lumtur për faktin që kontribuova me disa ekipe në Itali përgjatë 12 sezoneve. Jam rritur shumë në aspektin profesional, por tashmë shoh nga e ardhmja. U premtoj tifozëve rrogozhinas se kam ardhur këtu me dëshirë dhe do të bëj gjithçka sa herë do më jepet mundësia për t’i gëzuar ata. Mezi po pres të luaj dhe të dërgoj topin në rrjetë, që më pas ta ndaj kënaqësinë me tifozët tanë.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"