EKSKLUZIVE/ Debutoi me Elbasanin, portieri ganez: Të fitojmë çdo ndeshje…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2024 | 20:14

EKSKLUZIVE/ Debutoi me Elbasanin, portieri ganez: Të fitojmë çdo ndeshje…

Portieri ganez, Razak Abalora, bëri debutimin me fanellën verdheblu, pikërisht në fitoren 1-0 kundër Laçit në stadiumin “Elbasan Arena”.fdsgShtatlarti u shfaq i sigurtë në portë, ndërsa në ato mundësi që kurbinasit patën, ai bëri pritje vendimtare, veçanërisht në një goditje të Olsi Myrtes në pjesën e dytë. 28- vjeçari tregon në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport” përjetimet e para në portën e Elbasanit dhe synimet që ka me këtë klub. Abalora është një njohje e vjetër e trajnerit Roberto Bordin, pasi me këtë të fundit ka bashkëpunuar edhe kur ka qenë pjesë e moldavëve të Sherif Tiraspolit.

Me këtë skuadër Abalora është shpallur tri herë kampion në Moldavi dhe tashmë shpreson të ketë sukses edhe në Kategorinë Superiore. Portierit i ka lënë mbresa atmosfera në stadium, ndërsa me verdheblutë kërkon t’i marrë ndeshjet me radhë për të arritur në fund objektivin e klubit. Abalora pret tanimë një rezultat pozitiv me Tiranën të hënën.

Razak, debutuat me Elbasanin. Si ishte për ju kjo ndeshje e parë me ekipin e ri?
Normalisht jam shumë i kënaqur me ndeshjen e zhvilluar dhe i lumtur që luaj për këtë klub. Por, më e rëndësishmja është që në fund të kësaj sfide ne dolëm me tri pikë.

Si ishte atmosfera në stadium, çfarë të bëri përshtypje?
Ishte shumë e ngrohtë, shumë e mirë dhe mund të them se e shijova atë. Tifozët ishin energjikë, ndaj mund të them vetëm fjalë të mira

Në aspektin personal, si e shihni ardhjen në kampionatin shqiptar?
Për mua është shumë mirë, pasi më pëlqen të bëj ndryshime. Më pëlqen që jam këtu dhe dua të tregoj aftësitë e mia.

Cilat janë objektivat tuaja me Elbasanin këtë sezon?
Nuk më pëlqen të diskutoj për objektiva personalë. Unë dua që të marrim fitore në çdo ndeshje dhe në fund të sezonit të arrijmë synimet që ka klubi.

Ndeshjen e radhës luani me Tiranën, si e prisni?
Mendoj se do të jetë një ndeshje interesante. Ne jemi një skuadër e mirë dhe shpresoj të marrim një rezultat pozitiv.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"