EKSKLUZIVE/ Dështimi te Partizani, askush nuk është i sigurtë nga Shehi te Abilaliaj. Drejtuesit pritet të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2024 | 8:38

EKSKLUZIVE/ Dështimi te Partizani, askush nuk është i sigurtë nga Shehi te Abilaliaj. Drejtuesit pritet të…

Partizani përmbylli të dielën një sezon plot dallgë, që u duk sikur po shkonte në rrugën e duhur në javët e fundit, por rezultoi të ishte një dështim.

Partizani

Nëse një klub si Partizani e mbyll sezonin me zero tituj, nuk mund të ketë një emërtim ndryshe, pavarësisht çdo rrethane. Eliminimi i befasishëm në Kupën e Shqipërisë dhe humbja e së dielës në finalen me Egnatian vulosën në këtë mënyrë gjithë sezonin. Humbja kundër Egnatias dhemb shumë edhe për diferencat që u krijuan në fushë dhe faktin që skuadra dha shumë pak nga ajo që mundet.

ASKUSH I SIGURT – Te Partizani ndër vite jemi mësuar që edhe kur trajnerët e drejtorët shpallen kampion, të shkarkohen në mënyrë të befasishme. Situata dje në klub ka qenë tërësisht e qetë, teksa të gjithë janë të shpërndarë nëpër ambientet e tyre familjare dhe shoqërore. Por kjo heshtje është e mbajtur në një fill të hollë, që mund të këputet nga momenti në moment. Pritet që në ditët në vijim presidenti të organizojë mbledhjen e zakonshme të fundit të sezonit dhe aty të merren vendime mbi të ardhmen e atyre që mbajnë përgjegjësi mbi supe.

SITUATA E SHEHIT – Kur skuadra humbet, i pari që vihet përballë përgjegjësisë është trajneri, në rastin konkret Orges Shehi. Durrsaku e mori skuadrën në fund të vitit të shkuar dhe në pesë muaj ka regjistruar një ecuri jo brilante, që në fund u finalizua me zero trofe. Kjo e vë nën përgjegjësi trajnerin, që nga ana tjetër e mori skuadrën në një situatë të vështirë psikologjike, pas një maratone barazimesh dhe me drejtorin si trajner. Për më tepër barazimet e kanë penalizuar shumë. Përveç kësaj, kjo skuadër nuk është ajo që Shehi do dhe e ka ndërtuar vetë. Pra, medalja ka dy anë dhe gjithçka mund të ndodhë. Aktualisht nuk ka asnjë komunikim për ndarje mes palëve. Gazeta mëson se pas eliminimit nga Kupa, trajneri u ka kërkuar dorëheqjen drejtuesve, të cilët nuk ia kanë pranuar. Kjo dëshmon presionin që është në ajër, por edhe besimin e drejtuesve te Shehi. Deri dje gjërat nuk kanë ndryshuar.

DREJTORI – I dyti që mban përgjegjësi pas trajnerit është drejtori sportiv, në këtë rast Arbër Abilaliaj. Ai ka pasur frerët e merkatos në dorë në dy sesione merkatoje, por sërish skuadra pati mungesë lidershipi dhe potence në mbrojtje, mbipopullim në qendër të sulmit dhe vetëm një sulmues të pastër krahu si Tedi Cara. Në tërësi blerjet nuk kanë arritur të luajnë rol kryesor në 11-she. Nga ana tjetër i është dhënë përparësi lojtarëve si Maget, Binstuka apo dikujt tjetër, për të qenë garanci për të ardhmen apo për t’i siguruar klubit të ardhura të rëndësishme. Abilaliaj mori edhe drejtimin e ekipit në një periudhë pas largimit të Zekiçit, ku e nisi me gjashtë fitore radhazi, por më pas barazimet pushtuan “demat”. Edhe në situatën e drejtorit nuk ka asnjë lëvizje mbi një largim të mundshëm, por kjo nuk e eliminon mundësinë për të ndodhur diçka e tillë.

REVOLUCION – Ajo që duket më e pashmangshmja është revolucioni që në këtë verë pritet të ndodhë në skuadër. Vihen re mbipopullime të panevojshme në reparte, por edhe lojtarë kryesorë, që e kanë ulur nivelin e tyre dhe s’shihen më të denjë për të qenë pjesë e klubit. Në ditët në vijim pritet të niset me largimet, por njëkohësisht punohet edhe për afrime, për të cilat klubi do të duhet të rrisë nivelin e investimeve.

PREMIO GJIGANTE – Presidenti Demi e donte me çdo kusht këtë titull kampion dhe për të motivuar sa më shumë lojtarët kishte akorduar edhe një premio gjigante prej plot 150 mijë eurosh në rast fitoreje kundër Egnatias. Mundësia u shpërdorua dhe lojtarëve do t’u duhet të mjaftohen vetëm me të ardhurat e firmosura në kontratë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"