EKSKLUZIVE/ Dikur i shënonte Tiranës, ish-portieri Kotorri analizon Elbasanin: Sot fitojmë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 16:35

EKSKLUZIVE/ Dikur i shënonte Tiranës, ish-portieri Kotorri analizon Elbasanin: Sot fitojmë ne

Elvis Kotorri ka qenë një protagonist absolut i sezonit 2005-2006 me verdheblutë, ku Elbasani rivalizonte me Tiranën dhe në fund i rrëmbente titullin kampion.MixCollage-16-Sep-2024-09-11-AM-6030Gardiani elbasanas madje shënonte edhe një gol ndaj bardhebluve në kryeqytet, me penalltinë që i dha edhe titullin kampion përballë rivalëve. Sot, afro dy dekada më pas, Elvis Kotorri kujton atë moment në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, teksa dëshiron t’i mundë sërish kryeqytetasit, kësaj here si pjesë e stafit verdheblu. Kotorri sheh ngjashmëri me ato vite historike të Elbasanit, si në atmosferën e krijuar, por edhe investimet e bëra në skuadër, me bindjen se do të përsëriten sërish. Sa i përket sfidës së sotme, ai beson se Elbasani do të marrë maksimumin e mundshëm, ndërsa është i bindur se do të ketë spektakël në fushë dhe tribuna.

Elvis, pas katër javëve të para Elbasani ka marrë kryesimin, e prisnit?
Në fakt e prisja dhe besoj se i kemi mundësitë që në fund të jemi te katërshja e parë. E kemi kontingjentin e lojtarëve, ndërkohë që po presim që disa të tjerë të kthehen në gjendjen e tyre maksimale, për vetë faktin se kanë qenë të dëmtuar. S

hihni ngjashmëri me vitet 2005-2006 kur u shpallët kampion?
Atmosfera është e njëjtë në Elbasan, njerëzit jetojnë me futbollin. Dhe, mund të them se për mua ekipi i tanishëm ngjason shumë me atë të vitit 2005-2006. Ne do t’i marrim ndeshjet me radhë, sepse ekipi do edhe pak kohë të marrë fizionominë e vet, sepse lojtarët nuk kanë shumë kohë bashkë.

A mund t’i përsërisin sërish ato vite?
Unë jam i bindur që do të përsëriten. Janë të gjitha mundësitë, sepse në ekip është investuar shumë, si në futbollistë, ashtu edhe në staf. Në krye kemi një trajner shumë profesionist, si në terren, i cili po ashtu ka futur një frymë shumë pozitive si me bashkëpunëtorët e tij, ashtu edhe me lojtarët.

Nesër (sot) luani me Tiranën, si e shihni?
Do të jetë një ndeshje shumë e bukur, si në fushë edhe në tribuna. Është një ndeshje që i ka të gjitha rezultatet brenda, por ne i kemi të gjitha mundësitë të dalim fitimtarë nga kjo përballje.

Ju, si i kujtoni ato vite në përballjet me bardheblutë, atmosfera që krijohej?
Atmosfera ka qenë shumë e mrekullueshme, si në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit. Mendoj se dhe tani do të jetë e njëjta atmosferë, ku tifozët tanë mezi i presin përballjet me Tiranën. Shpresoj që të jetë një ndeshje “fair play” si në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit.

Na tregoni një moment që nuk do ta harroni asnjëherë dhe që jua kujtojnë shpesh nga përballjet me Tiranën?
Shënimi i golit ka qenë një moment i paharruar për mua, sepse një portieri nuk i qëllon shpesh të shënojë gol dhe për më tepër të vulosë titullin kampion. Kam pasur shumë momente të bukura në karrierën time, por mendoj se kjo është mbi të gjitha. Për mua nuk ishte hera e parë që godisja penallti, por shokët e ekipit m’i kishin lënë mua ato, sepse atë vit shënuan të gjithë, ndaj donin të shënoja dhe unë.

Si e sheh kampionatin këtë vit, mund të krahasohet me rivalitetin e atëhershëm?
Ky është një kampionat ku mund fitosh me këdo e mund të humbasësh me këdo. Ka shumë skuadra që synojnë katërshen e parë, aty ku ne shpresojmë të arrijmë në fund.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"