EKSKLUZIVE/ “Dinamo dominoi, goli ishte i mrekullueshëm”, Mandela: Partizani luajti vetëm për barazim (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2025 | 23:25

EKSKLUZIVE/ “Dinamo dominoi, goli ishte i mrekullueshëm”, Mandela: Partizani luajti vetëm për barazim (E PLOTË)

Peter Itodo Mandela duket se e ka qejf portën e kuqe. Ka realizuar dy gola shumë të bukur në derbet me Partizanin dhe në të dy rastet ndeshja ka përfunduar në barazim, 2-2 fazën e parë dhe 1-1 të shtunën.

P. Pashollari

P. Pashollari

Sulmuesi nigerian i Dinamos ishte një nga më të mirët në fushë në këtë sfidë, ku skuadrës së tij i iku fitorja nga duart në kohën shtesë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mandela e veçon golin e fundit si më të bukur se ai në derbin e parë, pasi këtë herë goditi fuqishëm me të majtën.

Ai thumbon pak kundërshtarin, duke theksuar se Partizani luajti vetëm për barazim në derbi dhe Zoti e ndihmoi për ta marrë këtë rezultat. Nigeriani i qëndron objektivit të shpallur që në fillim të sezonit për të shënuar mbi 20 gola këtë sezon me fanellën blu. Deri tani ka shënuar 10 gola në kampionat dhe 3 në Kupën e Shqipërisë.

Mandela, shënuat golin e dytë në derbet me Partizanin, që ishte gati identik me të parin. Cili prej tyre ju ka shijuar më shumë?

Goli shënova në këtë ndeshje mendoj se ishte i nivelit të lartë, sepse godita me këmbën e majtë. Më pëlqeu pak më shumë. Edhe pse unë gjuaj me të dyja këmbët, them se goli që realizova të shtunën ishte vërtet i mrekullueshëm.

Çfarë komenti keni për ndeshje, ku Dinamo luajti më mirë, por nuk shkoi më shumë sesa barazimi?

Ndeshja në tërësi ishte shumë interesante. Dinamo e dominoi lojën nga fillimi deri në fund, por ky është futbolli, të ndëshkon. Nuk mund të parashikosh se çfarë do të ndodhë në minutën tjetër. Partizani nuk e meritonte barazimin, por Zoti i dha në fund. Ky ishte objektivi i vetëm që ata kishin për këtë ndeshje. Megjithatë, mendoj se ishte një 90-minutësh i mirë.

Si e shikoni garën me këtë rival deri në fund të kampionatit, apo edhe me rivalët e tjerë?

Ata janë ekip i mirë, por Dinamo bën lojën e saj, mendoj se nuk mund të na përballojnë. Kam bindjen se jemi skuadra më e mirë e kampionatit dhe duhet të bëjmë punë tonë të përqendruar, me besimin se do t’i kalojmë të gjithë në garën për titull.

Vazhdoni t’i qëndroni “premtimit” tuaj për të shënuar 20 gola këtë sezon për Dinamon?

Po, u qëndroj fjalëve të mia se do të shënoj 20 gola e lart para përfundimit të këtij sezoni.

U duk sikur patët një problem fizik në fund të ndeshjes. Sa shqetësues është?

Nuk është diçka shumë serioze. Të shohim, por them se do të rikthehem në 100% të formës sime shumë shpejt.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"