EKSKLUZIVE/ Dinamo gjen paqen te Mandela, sulmuesi: Shënoj edhe në derbin me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2024 | 13:05

EKSKLUZIVE/ Dinamo gjen paqen te Mandela, sulmuesi: Shënoj edhe në derbin me Tiranën

Me fitoren e fundit ndaj Laçit, me shifrat 2- 1, Dinamo konfirmoi se është një skuadër në rritje dhe një kandidate potenciale për 4-shen e parë në fund.

P. Pashollari

P. Pashollari

Për herë të parë këtë sezon kryeqytetasit kanë marrë 2 fitore radhazi, ndërkohë që nuk humbasin që prej javës së 2-të të kampionatit. Për herë të parë pas ardhjes së trajnerit Ilir Daja, skuadra ka pasur mundësinë të pushojë pas ndeshjes me Laçin. Kampionati ndërpritet për shkak të impenjimeve të Kombëtares dhe në kampin dinamovit kanë mundësinë ta përgatisin me qetësi derbin me Tiranën.

MANDELA – Peter Itodo Mandela, me rrjetën ndaj Laçit, është ngjitur në krye të listës së golashënuesve të Superiores. Ai ka shënuar 5 gola, po aq sa ka edhe Bekim Balaj i Vllaznisë, por asnjëherë nuk ka shënuar me penallti. Sulmuesi afrikan është kthyer në një nga lojtarët që po i jep pikë shumë të rëndësishme Dinamos. Në prononcimin e dhënë enkas për “Panorama Sport” pas ndeshjes me Laçin, sulmuesi i bluve nuk e fsheh kënaqësinë, por tregohet modest, duke theksuar se më shumë rëndësi ka fitorja se goli.

“Jam shumë i lumtur, jo vetëm për golin, por më së shumti për rezultatin që morëm kundër Laçit. I kam premtuar vetes time që në çdo ndeshje do të përpiqem të shënoj, apo të jap asiste për shokët dhe të ndihmoj skuadrën që të marrë fitoren”, u shpreh fillimisht Mandela. Sa i përket kreut të renditjes, ai thekson se Dinamo do të përpiqet të jetë e para në fund.

“Ne nuk synojmë thjesht të jemi te katër më të mirët, por të fitojmë diçka në fund. Gjithçka është e hapur, ne do të bëjmë përpjekjet tona”, vijoi sulmuesi i bluve.

Ndeshja e radhës është derbi me Tiranën, për të cilën nigeriani është i bindur që do të shënojë sërish. “Në derbin me Tiranën jam 100% i sigurt që do të shënoj”, mbylli prononcimin e tij për gazetën 21-vjeçari i dinamovitëve, i cili po rezulton një ndër blerjet më të goditura në kampin blu, duke mbajtur mbi supe peshën e sulmit dhe duke shënuar gola të rëndë për skuadrën e Ilir Dajës.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"