EKSKLUZIVE/ “Dinamo me portret pretendeti, Tirana eksperimentale”, Andrea Marko: Derbi në Vlorë? Më mirë në Dhërmi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2024 | 21:01

EKSKLUZIVE/ “Dinamo me portret pretendeti, Tirana eksperimentale”, Andrea Marko: Derbi në Vlorë? Më mirë në Dhërmi (E PLOTË)

Spostimin e derbit me Tiranën në qytetin e Vlorës, një nga emrat më të mëdhenj të Dinamos, Andrea Marko, e komenton me ndonjë batutë, por më shumë ai e sheh si një shqetësim. Ishlojtari dhe ish-trajneri i bluve, në një intervistë për “Panorama Sport”, ngre pyetjen: për kë luhet futbolli në Shqipëri?

andrea marko

Opinioni i Markos është se Dinamo e këtij sezoni ka portretin e një skuadre pretendente për titullin kampion dhe mundësitë për ta fituar derbin e së shtunës i ka reale. Po ashtu, ai jep një mendim edhe për rivalët e saj në Superiore, duke nisur nga Egnatia kampione në fuqi, për të vazhduar me Partizanin, Vllazninë e deri tek Elbasani.

Profesor Andrea, pas 8 javësh kampionat, çfarë mendimi keni krijuar për Dinamon?

Pas asaj nisjeje të dobët me dy humbje, Dinamo më pas ka marrë rezultate pozitive radhazi dhe është ngjitur në renditje. Janë rezultate premtuese dhe gjykimi im është se Dinamo e këtij sezoni ka marrë portretin e një pretendenteje të vërtetë për të fituar trofe, për të fituar pse jo titullin kampion. Me ardhjen e trajnerit Ilir Daja, apo edhe të disa lojtarëve në fundin e merkatos, them se ka atë çfarë i duhet për të pasur sukses. Nëse sezonin e shkuar, pas ngjitjes nga një kategori më poshtë, ishte afër 4-shes së parë, por që nuk e arriti, këtë sezon është më e kompletuar, më e fortë. Tani të shohim vazhdimin.

Derbi me Tiranën është vendosur që të luhet në Vlorë. Çfarë ndjesie ju krijon ky fakt?

Më mirë ta kishin çuar në Dhërmi, kishin bërë edhe pak plazh, koha është e mirë… Nuk e di, por këtu ka shumë për të diskutuar. Le ta çonin në Janinë, në Mal të Zi, në Ohër. Pse nuk e çuan? Në këtë situatë pyetja që ngrihet është: për kë luhet futbolli në Shqipëri? Çfarë duan dy skuadra të kryeqytetit, dy nga më të mëdhatë e futbollit shqiptar, në Vlorë? Është 150 kilometra larg Tiranës. Nuk ka fusha? Atëherë mos e bëj kampionatin.

E kuptoj që është ndoshta një emergjencë e momentit, por mund të ishte zgjidhur ndryshe, të ishte shtyrë më mirë ndonjë ditë dhe të luhej atje ku duhet, atje ku tifozët e Tiranës dhe të Dinamos të kenë mundësi ta shohin. Tani të gjithë do ta shohin nga televizori dhe kjo nuk është gjë e mirë. Për klubet po ashtu nuk është mirë, sepse shtohen shpenzime të paparashikuara, që do të bëhen për grumbullimin e skuadrave, udhëtimin dhe hotelin. Të isha si presidenti i Dinamos, nuk do të kisha pranuar. Edhe për vetë futbollistët e dy skuadrave nuk krijon asnjë ndjesi një derbi që luhet në Vlorë. Për mua është pa kuptim.

Teknikisht si e shikoni këtë sfidë, kush mund ta fitojë?

Dinamo ka më shumë shanse, sepse Tirana më duket në vështirësi. Flasin vetë rezultatet. Tirana e këtij sezonit më duket më shumë si një skuadër eksperimentale për të ardhmen. Të them të drejtën, nuk është se më pëlqen politika që ndjek klubi i Tiranës, që shet lojtarë dhe nuk i zëvendëson më pas për të pasur ekip kompetitiv në garë. Kanë ato problemet e tyre dhe janë parë edhe në fushë.

Me atë që kanë shfaqur skuadrat në fushë deri tani, si e shikon garën e titullit këtë sezon?

Do të duket më mirë javë pas jave, por mendoj se Egnatia mbetet një skuadër e fortë. Edhe pse ndoshta nuk bën pjesë akoma te skuadrat elitare, sepse me dy apo tre trofe nuk mund të quhesh elitar, mendoj se është pretendente e fortë për titullin. Pastaj janë edhe të tjerët. Për Tiranën fola, ndërsa Partizani, pavarësisht se është në vend të parë, më është dukur një skuadër me oshilacione. Nuk ka qenë konstant këto javë dhe mendoj se çalon në mesin e fushës.

Vllaznia profesor duket sikur bën një futboll pak më tërheqës se të tjerët…

Po, është e vërtetë. Shikoni, kur thua Vllaznia, nënkupton atë futbollin e bukur, një skuadër që do të ketë zotërimin e topit, ta bëjë ajo lojën dhe të sulmojë. Pastaj kanë edhe atë pjesën e unit, që ‘ne jemi tradita’ e me radhë. Janë skuadër pretendente, patjetër.

Tjetër rival shihni, pasi ka edhe pak ngjeshje aty në vendet e para? Është edhe Elbasani, por mendimi im është se ky ekip po luan me sforco, po jep gjithçka në fushë për të marrë pikët që ka deri tani. Nuk jam i bindur, nëse do ta ruajë këtë ecuri apo jo, kam pak dyshime. Ka atë pjesën e fushës dhe të tifozëve si armë të vetën.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"