EKSKLUZIVE/ Dinamo nuk ndalet, kthen në Superiore edhe Ardit Tolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 21:40

EKSKLUZIVE/ Dinamo nuk ndalet, kthen në Superiore edhe Ardit Tolin

Kur dukej se merkatoja e Dinamos ishte mbyl lur, ose mund të kishte edhe një vend bosh për ndonjë sulmues qendre, vjen një goditje për mesfushën blu. “Panorama Sport” zbulon se kryeqytetasit rikthejnë në Superiore një tjetër emër të njohur, siç kanë bërë më parë me Bruno Ditën dhe Dejvi Bregun.

ardit toli

Bëhet fjalë për Ardit Tolin, 27- vjeçarin e lindur në Greqi dhe të formuar sportivisht te moshat e Olimpiakosit. Ai ka qenë pjesë e të gjitha kombëtareve të moshave të Shqipërisë, numëron 16 ndeshje me Kombëtaren U-21 dhe po ashtu është grumbulluar edhe një herë me Kombëtaren A. Për dy sezone ai ka qenë pjesë e Tiranës dhe e njeh shumë mirë Superioren, ku ka fituar edhe titullin kampion. Pikërisht për këto arsye drejtuesit e Dinamos kanë vendosur që ta bëjnë pjesë të tyre.

Palët kanë arritur marrëveshjen dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i Tolit me fanellën e 18 herë kampionëve të vendit. Pasi iku nga Tirana, mesfushori kaloi në kampionatin ukrainas, me Vorskla Poltavën. Një aventurë që nuk shkoi ashtu siç pritej për këtë futbollist, i cili ishte i lirë dhe blutë kanë përfituar për t’ia bashkuar “armatës” së trajnerit Ilir Daja. Ndoshta nga sot Toli do të bashkohet në stërvitje me kryeqytetasit në kompleksin e tyre në Arbanë.

MESFUSHA – Me ardhjen e Tolit shtohet cilësia dhe rivaliteti në mesfushën e Dinamos. Në një kampionat të gjatë duhen sa më shumë alternativa dhe duket se klubi blu i ka bërë mirë llogaritë, duke shtuar edhe një lojtar të rëndësishëm në organikën e vet. Për ndeshjen e radhës me Partizanin, për shembull, skuadra ka nevojë në mesfushë, pasi mungojnë Gudiabi për shkak kartonësh dhe Qefalija për shkak dëmtimi. Përveç kapitenit Dita, të gatshëm janë dy të rinjtë Karamba dhe Doçi, ndërkohë që në këtë pozicion mund të aktivizohet edhe braziliani Lorran.

Afrimi i Tolit e kompleton edhe mesfushën, ndërsa Dinamo konfirmohet si “mbretëreshë” e merkatos së verës. Duhet theksuar se 27- vjeçari, përveç rolit të tij natyral si mesfushor mbrojtës, luan edhe si mbrojtës i djathtë. Afrimet e Dinamos këtë verë janë vërtet “big”, duke nisur nga stoli, ku ka ardhur trajneri Ilir Daja, që do të debutojë në derbin me Partizanin. Dita, Bregu, Muzek, Aliji, Rufati janë vetëm disa nga emrat që i janë bashkuar “Nëndetëses” në merkato, duke e bërë atë pretendente për 4- shen e parë këtë sezon.

FATJON RUPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"