EKSKLUZIVE/ “Do gabojnë nëse e mendojnë si hakmarrje”, ish-mbrojtësi Tola: Duhet Partizan më “i egër”, ka forcë ta mposhtë Iberian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 21:45

EKSKLUZIVE/ “Do gabojnë nëse e mendojnë si hakmarrje”, ish-mbrojtësi Tola: Duhet Partizan më “i egër”, ka forcë ta mposhtë Iberian

Partizani bëhet gati për betejat e turit të dytë, por pas sfidave me Marsaslok, të gjithë kemi vënë re elemente që skuadra duhet t’i përmirësojë përballë një kundërshtari më cilësor, si Iberia.

tola

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i të kuqve dhe jo vetëm, Afrim Tola, shprehet se të kuqtë duhet të jenë më agresivë kundër gjeorgjianëve. Ai shton se skuadra e Shehit është më cilësore se kundërshtari dhe me një menaxhim më të mirë se para dy vitesh, mund të arrijë në turin e tretë. Sa i përket organikës, Tola shprehet se këtij ekipi i duhet një “komandant” në mesfushë.

Afrim, si ju është dukur Partizani në këto dy ndeshje kundër Marsaslokut?
Edhe pse nuk mu duk mirë, sërish mund të them se bazën e ka dhe mund të ecë përpara. Ka fat që ka një president të përgjegjshëm dhe i përgjigjet ekipit në çdo moment, e do Partizanin. Për mendimin tim, Iberia është një kundërshtar i kalueshëm në rast se do të menaxhohet mirë nga trajneri Shehi.

Çfarë duhet të ndryshojë krahasuar me ato dy ndeshje, ku mendoni se duhet të korrigjojë skuadra ndaj Iberias?
Mendoj se duhet të jetë disi më e organizuar dhe më agresive, me “e dhunshme” në kuptimin sportiv. Në dy sfidat e kaluara luajti thjeshtë, lirshëm, edhe pse maltezët ishin një ekip që të detyronin t’i përgjigjeshe lojës së tyre. Me Iberian është gjë tjetër, ata e kanë kaluar tashmë këtë histori dhe nuk duhet të ndodhë e njëjta histori e para dy viteve me këtë skuadër. Duhet një ekip më e përgjegjshëm dhe më “i egër”.

Sa i përket merkatos, ku mendoni se Partizani ka nevojë për përforcime? Çfarë elementi i duhet kësaj skuadre?
Çdo skuadër ka nevojë për tu përmirësuar, sidomos në rastin e ekipeve shqiptare. Në gjykimin tim, Partizanit i duhet të paktën një lider në mesfushë. Ky repart është pjesa më delikate e ekipit. Duhet një lider që të dirigjojë mesin e fushës dhe me aq sa kam informacion, presidenti Demi dhe stafi i tij po kërkojnë një organizator shumë të mirë, që t’i përgjigjet ekipit dhe emrit të Partizanit.

Mendoni se Partizanin do ta ndezë disi ndjenja e “hakmarrjes” pas atij eliminimi me penallti dy vite më parë?
Nëse do të shkojnë me këtë ide, është gabim. Ekipit duhet t’i injektohet fakti se është vetëm një ndeshje futbolli dhe nuk duhet “hakmarrja”, por thjesht kalimi i turit. Ajo që i leverdis Partizanit është që të luajë me qetësi ndeshjen e radhës. Është një ekip i njohur për ta, ndaj të cilit vetëm disa gabime të vogla ia hoqën kualifikimin në betejat e mëparshme. Duhet patjetër qetësi nga trajneri dhe stafi. Besoj se Partizani është një ekip më i mirë se Iberia, sepse ata numërojnë disa humbje radhazi dhe nuk janë në situatën më të mirë të mundshme. Besoj se do ta kalojnë nëse bëjnë ato korrigjime që përmendëm më lart. Ky tur duhet kaluar për shumë arsye, por më së shumti për aspektin financiar, pavarësisht se Demi nuk është kursyer dhe është një nga presidentët më korrektë në kampionatin shqiptar, çka është për t’u vlerësuar. Me çdo tur të kaluar, rritet buxheti, por edhe kapaciteti në merkato, për të afruar lojtarë cilësorë. Partizani në këtë epokë të re ka fituar thuajse gjithçka dhe ka ardhur momenti të mendojë më shumë për ndeshjet e Europës.

Nga cili lojtar prisni që ta shtyjë Partizanin drejt kualifikimit?
Duke marrë shkas edhe nga ajo që bëri Kombëtarja në Europian dhe më parë, edhe Partizani duhet të përqendrohet te grupi. Në momentin që futbolli shqiptar po kalon, grupi duhet të jetë elementi vendimtar. Partizani ka disa lojtarë të mirë, që në vijim mund të shiten në ekipe të mira, por komplet ekipi e bën diferencën.

Si ju është dukur merkatoja e Partizanit deri më tani? Veçanërisht afrimet e Zekës dhe Zguros, të cilët i njohim?
I kam ndjekur dhe mendoj se janë lojtarë punëtorë, që e ndihmojnë Partizanin. Kanë ardhur në një klub me emër të madh dhe në gjykimin tim janë ata që kanë fituar. Uroj që atë që kanë dhënë në ish-ekipet e tyre ta japin edhe te Partizani.

Përveç Partizanit, asnjë skuadër tjetër shqiptare nuk arriti ta kalonte turin. Çfarë tregon kjo?
Unë prisja më shumë nga Egnatia, duke pasur parasysh gjithë ecurinë e kampionatit, ku kanë qenë një ekip unik, me emra shumë të mirë. Edhe pse dolën lojtarët me të kuqe në Banja Luka, prisja të kalonin. Është çështje eksperience, të cilën Partizani e ka dhe kjo e distancon nga pjesa tjetër. Gjithashtu, ka një staf shumë të mirë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"