EKSKLUZIVE/ “Duhet të kishim më shumë pikë dhe të ishim lart në renditje”, Prengaj: Tiranën e kam ëndërruar, do të jemi në “Final 4″ (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2024 | 23:00

EKSKLUZIVE/ “Duhet të kishim më shumë pikë dhe të ishim lart në renditje”, Prengaj: Tiranën e kam ëndërruar, do të jemi në “Final 4″ (E PLOTË)

Fatmir Prengaj, i ardhur në verë nga Vora, i dha fitoren e parë Tiranës së Bledi Shkëmbit, pas gjashtë barazimeve në Superiore të ekipit bardheblu.

IMG_3390

Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i krahut të majtë foli për aventurën e tij të re me kryeqytetasit. Sqaroi përqafimin me Shkëmbin si dhe zbuloi se bardheblutë janë një ëndërr e realizuar e karrierës së tij. Kujtojmë që Prengaj ishte lojtari i parë që firmosi i pari këtë sezon me Tiranën. Ai la Vorën për të qenë pjesë e bardhebluve. Këtë vit ai ka qenë në fushë 7 takime, pesë si titullar dhe dy nga stoli. Sulmuesi është aktivizuar 412 minuta, duke shënuar edhe dy gola. Lojtari më parë ka qenë pjesë e Vorës, Laçit dhe Erzenit.

Dy gola të shënuar dhe një fitore që i jep Tiranës, pas gjashtë javësh barazime, por edhe golat e parë zyrtarë me fanellën e Tiranës?
Po, është e vërtetë. Ishin dy golat e parë zyrtarë me fanellën e Tiranës pas ndeshjeve në Europë dhe Superiore. Tej të gjithave, jam i kënaqur për fitoren, sepse ishim në një ngërç të vogël, por shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm. Rëndësi ka, që të fitojmë. Rëndësi nuk ka nëse shënon Prengaj apo dikush tjetër. E rëndësishme është që të fitojë Tirana në çdo ndeshje të mundshme.

 

Edhe pse shënuat dy gola, duhet të pranojmë se keni qenë i pafat për të shënuar, pasi në çdo sfidë që keni luajtur i keni shkuar afër rrjetës?

Çfarë të them… Dihet që futbolli kështu është. I kam shkuar pranë golit, por në sport dihet. Duhet edhe pak fat për të qenë në majë apo për të shënuar gol.

Të gjithëve në stadium u ra në sy festimi i golit të dytë. Vrapuat dhe festuat me Shkëmbin. Përse e bëtë?

Ashtu e ndjeva. Në një farë mënyre më vjen keq për situatën. Si trajneri dhe skuadra nuk kanë pasur fatin me vete. Kemi luajtur shumë mirë. Kaq pikë sa kemi nuk i meritojmë. Duhet të kishim më shumë pikë dhe të ishim më lartë në renditje. Gjithsesi, tani e pas do të kemi një ritëm tjetër. Gjithashtu, ka rëndësi që takimet t’i marrin ndeshjet një nga një, pasi është çelësi i suksesit.

Tani Skënderbeu u mbyll. Do të luani në transfertë me Teutën, në një ndeshje ku duhet të konfirmoheni…

Me Teutën do të jetë një ndeshje e fortë. Kemi respekt për këtë skuadër, por ne shkojmë për tri pikë në Durrës. Ndeshjen do ta përgatisim me qetësi gjatë gjithë javës dhe shpresojmë që të marrim më të mirën.

Ju keni luajtur me skuadra të tjera, por si e vlerësoni të qenit lojtar dhe titullar i Tiranës në Superiore?

Të them të vërtetën, të qenit lojtar i Tiranës dhe veshja e fanellës bardheblu për mua është ëndërr. Këtë skuadër e kam ëndërruar gjithmonë. Këtë dëshirë time e kam bërë realitet, por tani situata është më e vështirë. Këtë dëshirë dua ta shijoj sa më gjatë, ndonëse do të më duhet, çdo ditë, punë dhe vetëm punë.

Të mos flasim për titullin kampion, sepse ka shumë kohë deri në atë moment. A e arrin kjo skuadër “Final 4”?

Objektivi ynë është i qartë. “Final 4” është objektivi. Ama për të arritur këtë objektiv duhet t’i marrim takimet një nga një dhe kjo është kryesore në këtë moment. Duhet të jemi të lumtur me fitoret dhe të vazhdojmë kështu, dhe pse jo të shpresojmë për gjëra të mëdha si titulli. Jemi Tirana.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"