EKSKLUZIVE/ “Duhet të tregojmë sa na vlen lëkura”, Malota: Egnatia ringrihet, s’fiton gjithmonë më i miri (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2024 | 23:43

EKSKLUZIVE/ “Duhet të tregojmë sa na vlen lëkura”, Malota: Egnatia ringrihet, s’fiton gjithmonë më i miri (E PLOTË)

Egnatia nuk mundi të kualifikohet në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve. Fati nuk ishte me rrogozhinasit, të cilët ngecën te penalltitë përballë boshnjakëve të Borac Banja Lukës, pas humbjes 1-0 në transfertë dhe fitores 2-1 në Elbasan. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, kapiteni Renato Malota shprehet se Egnatia bëri gjithçka për të kaluar më tej, por fati dhe ngjarjet e takimit të parë në Bosnjë ndikuan në fatin e kampionëve të Shqipërisë.malota

Mbrojtësi me eksperiencë thekson po ashtu se skuadra ka forcën dhe karakterin të shkojë në grupet e Ligës së Konferencës.

Malota, si është përjetuar eliminimi me penallti nga kompeticioni i Ligës së Kampioneve?

Jemi të mërzitur, sepse bëmë gjithçka në fushë dhe nuk u shpërblyem për atë që meritonim. Për të dytin vit radhazi eliminohemi përmes penalltive dhe kjo na e shton dozën e hidhërimit. Në këto kushte përjetimi ishte shumë emocional, ku të gjithë mjafton t’i shikoje në fytyrë për të kuptuar gjendjen shpirtërore të gjithsecilit. I tillë është futbolli, nuk fiton gjithnjë ekipi më i mirë. Duhet të nxjerrim mësime nga ai takim, që do të na shërbejë për të tjera sfida që kemi përpara.

Pa fat te penalltitë, por pati edhe shanse, që nuk u shfrytëzuan në pjesën e parë…

Përtej mundësive tona, që duhej t’i kishim shfrytëzuar më mirë, është e pabesueshme si u ndëshkuam në të parin dhe të vetmin rast që ekipi i Borac Banja Lukës kishte përgjatë 120 minutave. Këto detaje e bëjnë më dramatik eliminimin tonë.

Egnatia në të dy takimet u mundua të bëjë paraqitje të mira. Ajo që më motivon për të ardhmen është fakti se kjo skuadër premton dhe nuk dorëzohet kurrë. Duhet theksuar se ne kishim 3 mungesa të rëndësishme nga një arbitrim skandaloz në takimin e parë. Gjithsesi, ajo që ndodhi i takon së shkuarës. Ne jemi gati dhe kemi besimin e çdo pjesëtari të klubit. Besoj se do të ringrihemi me të gjitha forcat, siç bëmë sezonin e shkuar, kur humbëm Rafael Duamenën. Dhimbjen e kthyem në besim dhe forcë dhe në fund u shpërblyem me trofe.

Egnatia tani zbret në Ligën e Konferencës. A besoni se do të mbërrini deri në grupet e këtij kompeticioni?

Ne do të punojmë pa u ndalur, tani më shumë se kurrë për të shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Ky grup futbollistësh ka treguar se është i aftë të bëjë gjëra të mëdha. Jemi gati për duelin e radhës, për të treguar në fushë se Egnatia është në këmbë dhe do të përfaqësojë denjësisht vendin tonë ne kupat e Europës.

Do të luani kundër Islandezëve të Vikingur. Sa e njihni këtë skuadër dhe si e shikoni kualifikimin?

Janë një skuadër që e njohim pak, por kemi vlerësim maksimal për kundërshtarin. Skuadra fatmirësisht gëzon një formë të mirë fizike dhe trajneri Tetova mundohet që falë taktikave të tij t’ia marrë maksimumin çdo futbollisti që ka në dispozicion. Natyrisht, do të na dobësojë sa i takon kualitetit largimi i Melih Ibrahimoglu, pasi ishte një futbollist i jashtëzakonshëm. Gjej rastin ta falënderoj publikisht për gjithçka dhuroi për klubin, ku s’do të harrohet goli në finalen e titullit kampion kundër Partizanit. Kemi treguar prej 2 vitesh që jemi skuadër dhe nuk varemi nga individë. Përtej largimeve, Egnatia i ka arritur objektivat.

Ndërkohë, rrugëtimi në Kupat e Europës vijon, si kapiten këtë herë, cili është mesazhi juaj për shokët e skuadrës dhe tifozët e Egnatias?

Futbolli është i bukur, sepse i ka të dyja anët e medaljes, gëzimin dhe hidhërimin. Ne duhet të tregojmë sa na vlen lëkura dhe se meritojmë më shumë në kompeticionet europiane pas një sezoni perfekt në Superiore. Është momenti të ringrihemi të gjithë, duke parë njëri-tjetrin në sy dhe me punë dhe përkushtim maksimal do të arrijmë aty ku dëshirojmë. Tifozët i përgëzoj për atmosferën e krijuar dhe u them në emër të klubit se jemi gati që së bashku të përjetojmë një sezon magjik. Kurdoherë dhe në çdo rrethanë, nëse jemi bashkë, do t’ia dalim të bëjmë gjëra të bukura për Egnatian.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"