EKSKLUZIVE/ “Duhet t’i finalizojmë rastet e shumta që krijojmë”, trajneri Bordin: Elbasani im, duhet të jesh pak më “i keq”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2024 | 9:21

EKSKLUZIVE/ “Duhet t’i finalizojmë rastet e shumta që krijojmë”, trajneri Bordin: Elbasani im, duhet të jesh pak më “i keq”!

Elbasani sfidon sot Teutën me shpresën për të përsëritur sfidën e fazës së parë, ndonëse janë të bindur se do të jetë një tjetër histori në “Niko Dovana”.

bordin

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Elbasanit, Roberto Bordin, thekson se skuadra është gati për të dhënë më të mirën dhe nuk e shqetëson fakti që vijnë pas tri barazimesh. Italiani nuk preferon ta quajë krizë, për aq kohë sa ekipi është në luftë për “Final 4” dhe rivalët nuk kanë bërë më mirë. Bordin vlerëson reagimin e djemve kur pësojnë gol, por kërkon që të jenë më të “këqij” para portës dhe të shfrytëzojnë rastet që krijojnë.

Mister, si vjen skuadra e Elbasanit në ndeshjen me Teutën?

Gjendja është shumë e mirë. Edhe pse me pak ditë në dispozicion, e kemi përgatitur ndeshjen ashtu si duhet. Kemi edhe seancën e fundit përpara kësaj sfide për të rregulluar edhe ato pak detaje që mund të na kenë mbetur.

Ndeshjen e parë keni fituar pastër 3-0, shpresoni te një tjetër paraqitje e tillë edhe në Durrës?

Çdo ndeshje ka një histori më vete. Ajo që ka ndodhur deri dje ka kaluar dhe duhet të shohim nga e ardhmja. Është një ndeshje tjetër, do të jetë shumë e vështirë, sepse luajmë jashtë shtëpisë, por skuadra është gati për të bërë një paraqitje të mirë.

Vini pas tre barazimesh radhazi, a po kalon skuadra juaj një mini-krizë?

Absolutisht jo. Pavarësisht se mund të barazosh, fitosh apo edhe të humbësh, i rëndësishëm është fundi. Ne jemi në vend të 5-të dhe afër kreut me pikë. Edhe skuadrat e tjera kanë bërë të njëjtët pikë si ne. Jemi në rregull me kampionatin, nëse mund ta themi kështu. Nëse do të ishim 7 apo 8 pikë larg është diçka tjetër. Në këtë pikë jemi të kënaqur me atë që kemi bërë.

Skuadra vazhdon të pësojë gol e para, mos po bëhet shqetësues ky fakt për ju?

Jo, jo. Ne e kemi reagimin e duhur për të rikuperuar ndeshjet. Normalisht është diçka që e dimë dhe përpiqemi të mos presim të pësojmë gol për të reaguar më pas. Por edhe në ndeshjen e fundit patëm disa raste shumë të mira para golit të tyre dhe shumë të tjera në fund të ndeshjes. Ky është futbolli, mund të pësosh gol, por i rëndësishëm është reagimi.

Çfarë i mungon Elbasanit për të shkuar aty ku dëshironi ju?

Nuk jemi aq të “këqij” sa duhet, sidomos para portës. Krijojmë shumë raste, shumë krose dhe mundësi të tjera shënimi, si ndaj Skënderbeut. Duhet të bëjmë gol, edhe për vetë djemtë që t’i japin vlerë asaj që kanë ndërtuar deri në atë moment dhe është e drejtë të finalizohet me gol. Duhet shënuar goli, sepse në fund është e vetmja gjë që të jep fitoren në fund.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"