EKSKLUZIVE/ Ecuria pozitive e shkodranëve, Gurishta: “Brdariç 2”, kjo Vllazni është më e fortë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2024 | 22:28

EKSKLUZIVE/ Ecuria pozitive e shkodranëve, Gurishta: “Brdariç 2”, kjo Vllazni është më e fortë (E PLOTË)

Ecuria pozitive e Vllaznisë në ndeshjet e fundit patjetër ka kënaqur këdo në Shkodër. Por, nga skuadra kërkohet akoma më tepër për të mbajtur ritmin dhe vendin e parë. Për këtë ka folur edhe Erdenis Gurishta në intervistë për “Panorama Sport”.

gurishta

Mbrojtësi thekson se ka ende punë për t’u bërë e ndërsa ndalet edhe te performanca e tij personale dhe dueli më i rëndësishëm këtë fundjavë në Superiore, ai kundër Egnatias.

Gurishta, fitore me Skënderbeun. E rëndësishme apo jo?

Normalisht se çdo 3 pikësh është i rëndësishëm ndaj çdo skuadre. Kjo fitore na jep qetësinë dhe moralin e duhur për të ecur para. Pas suksesit me Tiranën ishte e rëndësishme të vazhdonim ecurinë pozitive dhe të mbanim ritmin e fitoreve.

Duket se skuadra është futur në ritëm dhe po arrin rezultatet e duhura. Ndonjë sekret?

Nuk ka ndonjë sekret. Thjesht skuadra ka mentalitetin e duhur që të futet në çdo ndeshje për të marrë maksimumin. Lojtarët me eksperiencë së bashku me lojtarët e rinj që po e justifikojnë besimin e stafit e tashmë kemi arritur të ndërtojmë një Vllazni shumë të fortë.

Ekipi dhe mbrojtja në veçanti arriti ta mbante 0 mbrapa ndaj korçarëve. Krenar apo jo?

Kur mbahet zero mbrapa është merita e gjithë ekipit dhe jo vetëm e mbrojtjes. Ashtu sikur shënojmë që është meritë e të gjithëve. Patjetër kjo na kënaq sepse skuadra kishte disa ndeshje që pësonte. Gjithsesi kemi ende gjëra për të përmirësuar në të dy repartet dhe shpresoj që edhe në vazhdim të jemi edhe më të fortë.

Duket se mungesat e titullarëve nuk po ndikojnë te skuadra. Kjo tregon që gjithë lojtarët janë gati apo jo?

Padiskutim që ekipi ka nevojë për të gjithë lojtarët të jenë nën dispozicion, në mënyrë që të jemi sa më të kompletuar dhe të përballojmë situata të ndryshme që krijohen gjatë lojës. Megjithatë di të them se futbollistët që janë aktivizuar kur ka pasur mungesa e kanë justifikuar totalisht me performancën e tyre.

E keni rritur nivelin personal nga ndeshja në ndeshje. A duhet ende për t’ju parë në versionin më të mirë?

Nga ndeshja në ndeshje po ndihem më mirë dhe po rikthehem aty ku kam qenë më përpara. Sigurisht që nuk ka qenë i lehtë momenti i rikthimit pas një periudhe me probleme në Bullgari. Por, tashmë ajo është e shkuar dhe jam i përqendruar te Vllaznia, ku dua të përmirësohem nga java në javë.

Një krahasim nga ana juaj, meqë keni qenë pjesë e dy periudhave të Brdariç. Ka ndryshuar diçka apo jo?

Ndryshimi i vetëm është që herën e parë kur ishte Brdariç, ekipi u ndërtua vetëm pak javë para fillimit të kampionatit. Dhe kundërshtarët nuk na vlerësuan si duhet dhe ne përfituam nga ajo gjë. Ndërsa tani na e dinë forcën që kemi dhe sigurisht kundërshtarët i marrin masat. Pasi nuk është aspak e lehtë të luash ndaj një ekipi si Vllaznia.

Ndeshja e radhës me Egnatian. Sa vlen dhe si shkon Vllaznia drejt këtij takimi?

Kemi qetësinë e duhur para këtij dueli. Jemi në një moment shumë pozitiv dhe duhet ta shfrytëzojmë që ta përgatisim sa më mirë ndeshjen me Egnatian. E dimë vështirësinë e këtij takimi, por kjo na motivon që të kthehemi me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"