EKSKLUZIVE/ “Edhe një sforco për elitën”, presidenti Bardhi kërkon të shmanget ankthi: Nuk dua të bëj presion, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2023 | 12:43

EKSKLUZIVE/ “Edhe një sforco për elitën”, presidenti Bardhi kërkon të shmanget ankthi: Nuk dua të bëj presion, por…

Dinamo do që të mbyllë një orë e më parë llogaritë me Kategorinë e Parë. Dhe shansi i ka ardhur në derë. Janë vetëm tri pikë larg Superiores. Për këtë motiv, transferta e Lushnjës ka marrë rëndësinë e një finaleje të vërtetë.

bardhi adrian

Me një fitore të mundshme, blutë do të siguronin objektivin dy javë para fundit të krejt garës. Duhet pranuar se pritshmëritë ishin më të mëdha në kampin dinamovit.

Megjithatë, tani e vetmja gjë që vlen është rikthimi në mesin e më të mirëve dhe sidomos pas një sezoni me ulje-ngritje të mëdha. E thënë troç, në stadiumin “Roza Haxhiu” kryeqytetasit duan të marrin pikët e plota dhe shmangim ankthin. Kjo është një kërkesë që vjen edhe prej presidentit.

PRESIDENTI – Pa dashur të bëj presion, uron që ekipi t’i falë qetësi këtë fundjavë. Gjatë një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, Ardian Bardhi nuk e mohon faktin se fitorja në Lushnjë do ta lehtësonte atë. Teksa përpiqet t’i motivojë edhe më shumë të tijtë, thekson se është momenti që futbollistët të tregojnë vlerat më të mira për fanellën që mbajnë veshur.

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm të sezonit, është e kuptueshme. Dinamo e nisi kampionatin me objektivin e rikthimit në Superiore dhe tashmë është shumë pranë realizimit të tij. Jemi vetëm një hap larg. Kemi përpara ndeshjen me Lushnjën, një kundërshtar që duhet respektuar për emrin dhe vlerat që ka. Por Dinamo është Dinamo.

Do të doja shumë që skuadra ta interpretonte këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme, të luante për fanellën e madhe të Dinamos dhe për logon që ka mbi të. Kam shumë besim se lojtarët dhe stafi teknik do të japin gjithçka nga vetja. Na duhet edhe një sforco për ta kthyer Dinamon aty ku e meriton të jetë gjithmonë dhe më pas të gjithë bashkë të mendojmë të ardhmen e kësaj skuadre.

Kur them dua fitore për fanellën, nuk është fare presion, thjesht dua që skuadra të jetë e bashkuar, kompakte në fushë për qëllimin e vetëm të rikthimit në elitë. Ne si drejtues jemi munduar t’i qëndrojmë sa më pranë për ta finalizuar me sukses këtë sezon. Le t’ia lëmë gjithçka fushës, por uroj me zemër që djemtë të na falin kënaqësi dhe qetësi në fundjavë”, – ka theksuar presidenti Adrian Bardhi.

Është koha në klubet e tjera të futbollit shqiptar të flitet për premio në raste fitoresh, por Dinamo ka një “politikë” tjetër në këtë drejtim.

Klubi i drejtuar nga presidenti Bardhi ka një korrektësi financiare për t’u marrë shembull, që konsiderohet edhe si “premioja” më e mirë.

Fjalën e kanë tashmë futbollistët dhe stafi teknik. Nëse ata do të jenë “dakord’, festa blu mund të fillojë që të dielën në stadiumin “Roza Haxhiu”.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"